Politikë e Jashtme, apo show? Mbi çfarë të gjykohet?

Postuar në 06 Nëntor, 2016 15:58

Ka një përpjekje të qartë për të mbrojtur kryeministrin shqiptar nga armiqtë e Shqipërisë. Ata që shpallen të tillë me gjithfarë artificash: historike, politike, statisikore apo edhe emocionale. Armiq që njëherë janë me Berishën nëse kritikojnë, një herë tjetër janë jo profesionalë pasi nuk kanë fakte, e së fundmi, janë kundër Shqipërisë, meqenëse nuk i shkojnë pas avazit lojërave provokative të kryeministrit me fqinjët.

Këtu po zëvendësohet nevoja për të kërkuar llogari dhe sqaruar me apelin për rreshtim uniform “nacionalist”, gjithnjë me arsyetimin banal se kështu po bëjnë edhe mediat fqinje në rastin e Serbisë e të Greqisë. Mirëpo kur vjen puna te Politika e Jashtme, elemeni i parë që nevojitet për të mbajtur qëndrim është informacioni, transparenca. Diçka që nuk ekziston në këto anë.

Mund ta nisim menjëherë me një pyetje: Cila është politika e Jashtme e qeverisë aktuale? Drejtimet e saj?

Përgjigja është e thjeshtë: Nga sa duket është integrimi europian dhe orientimi perëndimor pa mohuar qasjet pragmatiste. Deri këtu nuk ka asnjë ndryshim nga qeveritë e mëparëshme. Ndaj mund të kalohet në një pyetje të dytë: çfarë ka negociuar kjo qeveri me partnerët e vet dhe çfarë ka prodhuar paketa e saj e zero problemeve?

Nëse i shohim shkurtimisht do të kemi:

Në marrëdhëniet me SHBA, qeveria shqiptare ka fituar një mbështetje jo të vogël – ekskluzivisht për kryeministrin – ajo ka dhënë miratimin pa njoftuar kënd në Shqipëri për strehimin e muxhahedinëve iranianë. Shqipëria i tha jo armëve kimike, por pse pati protesta, pasi është shumë e dyshimtë nëse Edi Rama do të mendonte dy herë. Po kështu, Shqipëria ka qenë vendi i parë që ka dërguar armë për kurdët peshmerga. Përkundrejt këtij qëndrimi, ne si qytetarë shohim se kemi marrë vetëm mbështetje të pakufizuar nga SHBA për reformën në drejtësi. Diçka e mirë dhe me shumë vlerë, por që ka efekte afatgjata. Ka edhe një zgjatje të afatit të vizave të qëndrimit në SHBA.

Në lidhje me BE-në, politika shqiptare është po ajo. Ka detyrime për të përmbushur, standarde, të cilat ende nuk i ka kapur. Qeveria shqiptare ka bërë disa përpjekje, duke iu përgjigjur nismës së Berlinit për Ballkanin, por këtu nuk kemi të bëjmë dhe aq me integrimin, sesa me një iniciativë që sjell implikime në rajon.

Qeveria shqiptare u rreshtua në anën e Austrisë për çështjen e refugjatëve dhe korridorit ballkanik, duke dëshmuar kështu një qëndrim të njëanshëm. Dhe ky nuk ishte vendim i gabuar, parë nga perspektiva e kapaciteteve tona, apo edhe e sjelljes së BE-së me Greqinë për këtë çështje.

Këto janë informacione të përgjithshme, të cilat nuk vlejnë kur hyjmë në analizën e raporteve dypalëshe.

Askush nuk di të thotë se çfarë qëndron në themel të raporteve mes Shqipërisë dhe Turqisë. Sa janë këto marrëdhënie më domethënëse sesa marrëdhëniet e Edi Ramës dhe presidentit turk Erdogan?

Ka spekullime, deduksione, ka një ndërhyrje të qartë të Ankarasë në Shqipëri, por deri më sot, qeveria shqiptare thjesht ka heshtur. Dhe po flasim për një marrëdhënie që ndikon edhe në gjeopolitikën e Shqipërisë dhe botës shqiptare në Ballkan.

Me këtë frymë personalizuese na vijnë edhe raportet “e reja” me Serbinë, të cilat kalojnë së pari nga Berlini dhe vullneti i Angela Merkel, e mandej nga miqësia e “Edit me Aleksandrin”. Përveç fjalëve dhe numrit të takimeve, kemi vetëm një marrëveshje: krijimin e dhomës së tregëtisë shqiptaro-serbe. Diçka e mirë, por që është shumë larg të qenit pretendimit për “një erë të re në marrëdhëniet me Serbinë”.  Sepse Serbia ka ende probleme serioze me orientimin e saj strategjik, i cili kushtëzon detyrimisht raportet me një vend si Shqipëria që ka shpallur botërisht se hyn te vendet që synon vetëm një drejtim: Anëtarësimin në BE.

Më e qartë bëhet kjo ndërvarësi dhe kushtëzim kur kalojmë te raportet me Greqinë. Sot që flasim ka një krizë emocionesh që është prodhuar nga disa deklarata e disa postime gravurash. Bashkë me qëndrimin e padenjë të ministrit të Jashtëm grek Nikos Kotzias, i cili në një intervistë për një gazetë të ekstremit të djathtë, foli si anëtar i Agimit të Artë. Por mbërritja deri në këtë pikë është paraprirë nga një distancim dhe lojë për të fituar avantazhe, sa kohë së fundmi u mor vesh se kryeministrit shqiptar i është refuzuar një ftesë për vizitë në Athinë e anasjelltas. Edi Rama e vuri në siklet të madh Vuçiç, me deklarimet e tij në vizitën e parë në Beograd. Por mbas tij kishte nismën e Berlinit që sugjeronte një marrëdhënie të re dhe ofronte kontekstin amortizues pa të cilin gallatat e Edit të shkompleksuar do të kishin marrë tjetër përgjigje. Përveç relaksimit të marrëdhënieve që buron nga rivendosja e kontaktit pas një kohe të gjatë, nuk shihet të ketë diçka tjetër në këtë qasje. Por ai është patjetër një hap pozitiv dhe duhet përshëndetur.

Ndoshta kjo sjellje e tij i ka mësuar Athinës që të mos lejojë që provokimet të përsëriten edhe në derë të saj, duke shmangur vizita pa rënë dakord paraprakisht për disa piketa. Iniciativën për një hapje në raportet dypalëshe e ka marrë Athina zyrtare, diçka që kulmoi me vizitën në Tiranë të ish-Presidentit Karolos Papulias. Por asgjë nuk lëvizi nga vendi. Dhe edhe këtë asnjë nuk e sqaron pse, as analistët që e ngrenë Edi Ramën në rangun e një polemisti të klasit të parë. Sepse me të vërtetë, kur politika e jashtme reduktohet në variabël të spektaktlit, aty është e vështirë të gjesh arsye të vërteta.

Shqipëria ka të gjitha instrumentet për të ndjekur një politikë të strukturuar ndaj Greqisë dhe pa komplekse. Për çështjen e nxehtë çame, qeveria ka në dorë një rezolutë të Parlamentit që e detyron trajtimin e saj. Për marrëveshjen e detit, ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese, ndërkohë që vetë Parlamenti grek nuk e ka ratifikuar atë. Dhe këto dy elementë i di edhe Athina zyrtare, e cila dërgoi këtu dy herë ministrin Kotzias, që është edhe propozuesi i atij udhëzuesi, apo rruge që duhet të ndiqte trajtimi i problemeve. Thënë ndryshe, pala shqiptare nuk mund të ulet në tryezë me palën greke duke injoruar vendimet e institucioneve të veta. A është ezauruar kjo rrugë në diskutimet me palën greke? A janë vënë në tryezë të gjitha këto çështje, duke i trajtuar ato konform detyrimeve që rrjedhin nga aktet e mësipërme? Askush nuk di ta thotë këtë gjë, sa kohë që raportet me Greqinë, njësoj si ato me Turqinë e Serbinë, po kapërcejnë drejt shfaqjeve si kërkesa për ligjin e luftës dhe publikime gravurash. Dhe këtu vijmë sërish te cektësia e apologjisë së analistëve të oborrit: në politikën e jashtme nuk i duhet kujt polemika, as mistrecllëku. Le të na thotë dikush: si do të përparojë çështja çame, apo ajo e të drejtave të tyre pronësore, nëse Traktati i Miqësisë nuk rifirmoset? Dhe a ka një analizë se cili mund të jetë ndikimi më i gjerë për qytetarët shqiptarë nga kjo krizë që nuk shihet se i ndihmon kujt? Theksojmë edhe njëherë: Shqipëria ka tagrin që të paraqitet para palës greke me një qasje të strukturuar, sepse ka vendime institucionesh që e kushtëzojnë mandatin e kujtdo zyrtari. Por kjo kërkon përpunimin e një rruge dhe strategjie.

Qeveria nuk na ka zbuluar se si, në emër të reciprocitetit dhe politikës “së re”, mendon ta ndryshojë përmbajtjen e traktatit si kusht për rifirmosjen e tij? Ka rëndësi kjo, sepse na duhet të mbështesim apo gjykojmë dokumentet jo shakatë e historianëve gaztorë të Facebook.

Vetë PDIU-ja nuk ka një propozim konkret, një rrugë dhe përqasje diplomatike për trajtimin e çështjes çame. Ajo është ndalur në retorikë - efektive për të mbledhur vota – por e cila nuk ofron asgjë përtej kërkesës për pronat, akuzës për genocid dhe stigmatizimit të grekëve.  Një qëndrim që mori goditje nga vizita e Ilir Metës në Athinë, mesazhi kryesor i së cilës ishte se Tirana zyrtare ka dy zëra për raportet me fqinjin jugor.  

Edhe me një vend tjetër, Gjermaninë, askush nuk ka një ide se çfarë qëndron përtej teatrit të takimeve mes Merkel dhe Edi Ramës. Në përgjithësi takimet shërbejnë për marrëveshje dypalëshe, cilësimi i raporteve si “strategjike” shoqërohet me përfitime të dyanshme. Mirëpo ne shohim se ish-ambasadori gjerman ishte ndër më kritikët për klimën e biznesit në Shqipëri, për korrupsionin  etj.. Dhe asnjë reagim nga Shqipëria.

***

Nëse do t’i mbledhim të gjitha këto, që janë vetëm disa, do të kemi si rezultat në dorë, se përfituesi kryesor i këtij lëmshi, është vetëm një: Edi Rama. Ai ka mbështetje – nëse do konsiderojmë të tillë takimet – nga aktorë të fuqishëm, atij i ka ecur skema banale e provokimit me fqinjët, ai ka një marrëdhënie personale me Erdogan që sot vlen më shumë se raportet mes dy vendeve. Por ai nuk ka një Politikë  mbi të cilën të gjykojmë. Ai ofron spektaklin, si në Kosovë, dhe mandej të gjithë duhet të rendim pas tij. Ai nuk ka bërë asnjë gabim diplomatik, taktik e strategjik, sepse nuk ka premisa të tilla për aksionet e veta. Acarimi i tjetrit është i kollajtë sidomos në Ballkan, por nuk çon në asnjë zgjidhje. Ai ka fituar vëmendjen, vizibilitetin, ka rithemeluar kriza të vjetra pa përfituar diçka qenësore.

Çfarë kuptimi ka atëherë të shtrosh pyetje se gjysma e mediave ishte pro tij e gjysma kundër, kur këtu është e qartë se kemi të bëjmë me trille të një njeriu e asgjë më shumë? Me një lojë elektorale që të inkuadron patjetër tek mjeshtrat e bizantinizmit por jo tek ata të politikës së jashtme. Edi Rama nuk ka ndryshuar ndonjë orientim, as i ka dhënë shtysë të rej integrimit, që të mund të flisnim realisht për ndryshime. Jo. Ai është për momentin artisti më i suksesshëm i këtij cirku pa kuptim, i cili siç duket ka shumë spekatatorë e dashamirës, sepse siç është bërë zakon në këtë vend, qeveritarët për probleme të tilla, luajnë rolin e zëdhënësit. Përndryshe do të kishim një Politikë të Jashtme shumë më serioze, e aty pastaj do kishte shumë pak rëndësi sesa do binin dakord me të.

 

Comments

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.