Rekomandimi i KE-së/Pozitiv, pozitiv me kushte apo negativ? Fitusi: “Lufta kundër drogës, jo “avash – avash””
Shqipëria pret për disa ditë një vendim nga Komisioni Europian për hapjen e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Nuk ka ende një perceptim të qartë se cili do të jetë rekomandimi, ndërkohë që është e qartë se lufta ndaj drogës, krimit të organizuar dhe korrupsionit, do të peshojnë shumë. Kjo bëhet e qartë edhe nga një koment i ambasadorit francez në Shqipëri, Bernard Fitusi, i cili në një pronocim për “Vizion Plus” thotë se duhen hapa më të shpejtë.
“Siç e dini, pas disa ditësh, Komisioni Evropian do të miratojë një rekomandim për hapjen apo jo të negociatave. Unë nuk e di se si do të jetë ky rekomandim. A do të jetë pozitiv, pozitiv me kushte, apo negativ? Por vendimi merret nga kryetarët e shteteve dhe qeverive, të cilët do të mblidhen më 13 dhjetor. Unë mund t’ju them një gjë: sipas këndvështrimit të tyre, lufta kundër korrupsionit, lufta kundër krimit të organizuar, lufta kundër trafikut të drogës është një obsesion, nuk është një shqetësim i thjeshtë, është një obsesion. Së fundmi edhe kryeministri na informoi për rezultatet konkrete të arritura dhe mund t’ju them se ne jemi shumë të vëmendshëm. Për sa i përket luftës kundër krimit të organizuar dhe luftës kundër korrupsionit, luftës kundër trafikut të drogës, nëse flasim me një fjalor diplomatik, mund të themi se duhen bërë përmirësime. Unë mendoj se, nëse përdorim një shprehje të gjuhës shqipe, nuk duhet të themi më “avash avash”. Duhet të ecet më shpejt”, tha ai.
Add new comment