Deputeti i PD-së, Dogjani kërkesë publike kryeministrit: Rihapni filialin e Universitetit të Tiranës në Kukës

Postuar në 02 Nëntor, 2016 13:43
Asllan Dogjani*

Z. Kryeministër,

Në emër të qytetarëve të Kukësit, por dhe si kuksian, ju drejtohem me këtë letër të hapur me të cilën kërkojmë: Anulimin e vendimit për mbylljen e Filialit të Kukësit dhe rihapjen e këtij Filiali po me degët, Ekonomik- Administrim Biznesi, Infermieri dhe Gjuhë e Huaj, për arsyet që do t’i parashtroj në këtë letër.

Në vitin 2008, një vit pas atij të Sarandës, u hap në Kukës Filiali i Universitetit të Tiranës me tri degë: Ekonomik – Administrim Biznesi (100 kuota), Infermieri e Përgjithshme (100 kuota) dhe Gjuhë të Huaja – Anglisht (60 kuota). Kjo ishte një ngjarje e shumëpritur nga komuniteti arsimdashës i rajonit (kujtojmë që shkolla e Kolesjanit ishte ndër të parat shkolla shqipe në trojet shqiptare), siç u quajt atëherë, “autostradë e dijes”.

Me gjithë vështirësitë e kuptueshme të fillimit dhe skepticizmin e arsyeshëm ose jo që e shoqëroi në atë kohë, brenda një kohe të shkurtër, Filiali krijoi profilin e një Universiteti të ardhshëm. Gjatë këtyre viteve filluan studimet e larta mbi 1500 të rinj e të reja nga rajoni, por dhe rrethe të tjera të Shqipërisë.

Me përkushtimin, seriozitetin dhe profesionalizmin a lakmueshëm të stafit akademik vendës dhe administratës, por edhe mbështetjen e paçmueshme të disa prej profesorëve më me përvojë të Universitetit të Tiranës, nga viti në vit Filiali arriti të tërheqë maturantë gjithnjë e më cilësorë. Ndërkohë, komuniteti priste dhe shpresonte për hapjen e degëve të reja të studimit.

Vendimi për mbylljen e Filialit erdhi si një rrufe në qiell të pastër, duke prerë në mes ëndrrat e shumë të rinjve dhe familjeve të tyre për shkollim universitar. Mbyllja e Filialit, për rrethanat specifike të rajonit shumë larg qyteteve universitare, mund të konsiderohet në radhë të parë si një mohim i një të drejte themelore për vetë brezin e tij të ri dhe për të ardhmen e tyre. Nuk do shumë mend se një i ri më i shkolluar është më i aftë dhe më i vlefshëm për veten dhe familjen e tij.

Pamundësimi i shkollimit, që për fat të keq vështirë se bëhet më vonë në jetë, do të thotë një shans i humbur për të ardhmen e tyre. Teoricienët e ekonomisë bien dakord që një vend mund të hyjë në rrugën e zhvillimit të qëndrueshëm e afatgjatë, nëse investohet në radhë të parë në arsim dhe infrastrukturë. Nuk është rastësi që vendet e zhvilluara janë në krye për sa u përket investimeve në këta sektorë.

Bota ka mjaft shembuj të vendeve ndër më të zhvilluarat, me pasuri modeste natyrore, por me nivele shumë të larta arsimimi. Një fuqi punëtore e shkolluar është një aset që garanton të nesërmen. Rajoni i Kukësit, me gjithë pasuritë e bollshme natyrore, vazhdon të mbetet më i varfëri në vend. Arsyeja kryesore, përveç të tjerash, është mungesa e theksuar e njerëzve të shkolluar dhe të aftë, atyre që për rëndësinë që kanë, quhen ndryshe dhe “capital human”.

Sigurisht, kjo gjendje nuk është diçka e vonë për Kukësin dhe Verilindjen në përgjithësi. Për arsye që nuk është e udhës t’i përmendim, rajoni është lënë pas dore në këtë aspekt gjatë gjithë periudhës së komunizmit. Duke shtuar këtu edhe rrjedhjen nga hemorragjia e pandalshme e emigrimit në periudhën paskomuniste brenda dhe jashtë vendit të atyre pak të arsimuarve, mund të kuptohet “bollëku” i kapitalit human në Kukës.

Por sot, kur një ndër prioritetet e politikave ekonomike europiane është zhvillimi i rajoneve, është e pafalshme që një rajon i tërë, më i varfëri i Shqipërisë, të dënohet me prapambetje të përjetshme. Ndjekja e studimeve të larta në Universitetet e tjera të vendit është një mision gati i pamundur për shumicën e të rinjve dhe familjeve të tyre në këto anë. Në Kukës ka një fjalë të urtë: “fukarallëku është derë hekuri”, d.m.th., e pakapërcyeshme.

Kostoja e një viti studimesh larg familjes është minimumi 300 mijë lekë të vjetër në muaj, diçka e papërballueshme për një familje mesatare. Ndërkohë që kostoja e jetesës për një student në Kukës është shumë herë më pak dhe për më tepër, do të shpenzohej lokalisht për qira fjetjeje, ushqime, veshmbathje, transport dhe shërbime të tjera, diçka për të cilën kanë aq shumë nevojë bizneset e vogla dhe të varfra lokale. Për të shtuar këtu edhe diçka jo aq të parëndësishme, që prania e qindra të rinjve universitarë në rrugët dhe ambientet e qytetit i jep atij gjallëri e freski, pse jo edhe hijeshi, duke ngjallur entuziazmin dhe shpresën e munguar gjatë te banorët se edhe Kukësi mund të jetë i jetueshëm.

Alternativa e mbetur për shumicën e këtyre të rinjve mbetet t’i bashkohen ushtrisë së të shumtëve, asaj të të papunëve ose emigrantëve dhe, mos o Zot, asaj të krimit, për të thelluar edhe më tej plagët sociale tashmë mjaft të thella. Për të gjitha këto arsye, por edhe shumë të tjera, do të ishte në nderin e Kryeministrit dhe Ministrisë së Arsimit që të shikojnë mundësinë për rihapjen e Filialit, ashtu siç bënë me Filialin e Sarandës, për t’i rikthyer Rajonit të Kukësit një dritë shprese për të cilën ka shumë nevojë.

*Deputet i PD"

"Panorama"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.