Palasa –një ferrë e vogël me lepur të madh?
Për herë të parë vëmëndja ime në këtë ferrë u tërhoq nga shkrimi i para disa ditëve: “Resortet turistike në bregdetin e jugut po ndërtohen në prona të grabitura”(http://www.reporter.al/resortet-turistike-ne-bregdetin-e-jugut-po-nderto...), i gazetares së BIRN, Lindita Çela, i botuar në reporter.al. Pas leximit me kujdes të këtij shkrimi dhe gjurmimit të mëtejshëm të linkeve që shoqërojnë këtë shkrim, (janë 8 linke: letra, dokumenta, vendime dhe ligje), m'u ngjit një dyshim më i madh nga ai sa duket në shkrimin në fjalë. Por le ta shohim pak më me kujdes se çfarë fsheh kjo ferrë, në dukje e vogël, duke filluar direkt me linket.
Nëse do të hapni linkun e parafundit, që i bie linku i 7-të, ku thuhet kliko këtu për të parë kontratën, do të shohim një vërtetim të lëshuar nga Zyra Qëndrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtëshme, nga ajo vendore në qytetin e Vlorës, Ky vërtetim është lëshuar më 20.8.2015 nga kjo zyrë dhe vërteton pronësinë e 13 mijë metrave katrorë në Dhërmi-Vlorë të qytetarit Gerion Kuka. Kjo pasuri e paluajtëshme rezulton e regjistruar fillimisht në Nr.Hip 75, dt. 13.2.2014 dhe sërish e regjistruar nipotekar me nr. 83, dt. 27.2.2014. Ky vërtetim kaq i thjeshtë, pa dhënë detaje të kësaj prone se ku ndodhet saktësisht, në kufi të cilave prona të tjera, dhe çuditërisht i rrombullakosur si shifër metrash katrorë (13 mijë, as më pak e as më shumë por fiks!), ky vërtetim pra kaq i thjeshtë është i mjaftueshëm për të lidhur një kontratë me një firmë, (një shoqëri në fakt; e biles as shoqëri, por grup, për të cilin do flasim më poshtë)! Pra, ky vërtetim këtu na tregon se sa kollaj është për të lidhur një kontratë midis një personi civil (siç është një pronar çfardo toke) dhe një personi juridik (siç mund të jetë një firmë, një zyrë avokatërie, noteriale, etj.)! Nuk e besoj se në vënde të ndryshme është i mjaftueshëm një vërtetim kaq i thjeshtë për lidhje kontratash të ndryshme! Më duket se këtu ligj-bërësi ka lënë shumë fushë të gjërë për spekullime, pasi me vërtetime kaq të thjeshta mund të spekullohet më kollaj nga spekullantë dhe fallsifikatorë të ndryshëm.
Në këtë link ku jemi dhe në të njëjtën foto kemi përkarshi dhe kontratën e shit-blerjes së 13 mijë metrave katrorë, midis pronarit Geron Kuka dhe shoqërisë “Green Coast”, kontratë kjo e lidhur më 24.2.2014 tek një notere në Tiranë, e cila në kontratë përmend pronësinë prej 13 mijë m² në bazë të dokumentit zyrtar Z.K. Nr. 1481 me Nr. 75 dt.13.2.2014, si dhe rregjistrimin e shoqërisë “Green Coast” më 29.1.2014. Kjo kontratë konsiston në një lloj shkëmbimi pronësie midis këtyre dy palëve, duke sqaruar shkurt më tej se pronarit Gerion Kuka i takon pas ndërtimit të kompleksit turistik një përqindje nga ky kompleks, (numri i përqindjes është i zhgarravitur në këtë dokument, por këtë po e marrim si një anë teknike të problemit, pa u ndalur në këtë “çikërrimë”).
Tani, duke u ndalur pak këtu vërejmë se kjo shoqëri na qenka regjistruar (formuar) më 29 janar 2014, ndërsa dy javë më vonë, në datën 13 shkurt 2014 qenka regjistruar prona prej 13 mijë m² e pronarit të sipërpërmendur. Dhe pa u mbushur edhe dy javë të tjera, më 24 shkurt 2014 lidhet kontrata në një zyrë noteriale. Me një shpejtësi marramëndëse kemi disa akte juridike, dy regjistrime dhe një kontratë! Afërsia e datave të regjistrimit të shoqërisë dhe regjistrimit të tokës në pronësi nuk është aspak në kundërshtim me ligjin. Të dy subjektet janë akoma të pavarur nga njëri-tjetri. Njëri regjistrohet në Tiranë e tjetri regjistron pronën e tij në Vlorë. E ndoshta edhe proçedura noteriale e kontratës së këtyre dy subjekteve mund të jetë tërësisht brenda rregullave!? E ndoshta edhe vetë këto rregulla noteriale të lidhjes së kontratave mund të mos jenë aq të qarta dhe strikte!? Ky është tashmë problem i Dhomës së Noterve dhe i Prokurorisë, ku problemi ka kaluar e të cilët i dinë rregullat dhe ligjet. Por unë, si qytetar habitem se si mund të lidhen kontrata të tilla, duke bërë përshkrimin e pronës me vetëm tre fakte të thata e të pakta, numrin e regjistrit hipotekor, madhësinë e tokës dhe fshatin ku ndodhet kjo tokë!?.. Kështu pa dhënë përshkrime më të gjëra për këtë tokë, si terreni fizik, përdorimi i saj i deri-tanishëm, pronari parakalues, me cilat prona kufizohet kjo tokë, si quhet vendi ku ajo ndodhet, etj. të dhëna për këtë tokë që shitet apo këmbehet, të cilat çdo jurist/e duhet ti dijë mirë! Nëse ky model kontratash është modeli normal në zyrat noteriale, atëhere nesër unë do të shes kryeministrinë e Edi Ramës, ashtu siç disa qyfyrexhinj në kohën e bablokut i shitën një fshatari sahatin në qendër të Tiranës.
II
Tani, meqë përmendëm kryeministrin shqiptar, se ky do na dilte që do na dilte në këtë histori edhe më mbrapa, po shikojmë linkun e fundit të shkrimit të gazetares së BIRN-it, pas të cilit na hapet letra e disa fshatarve drejtuar kryeministrit shqiptar, Edi Rama. Fatkeqësisht, gazetarja e BIRN na e sjell këtë letër me një stampë të madhe: reporter.al, e cila nuk na lejon të lexojmë të gjithë tekstin e letrës! Por nga aq sa lexojmë (90%), ne kuptojmë se kjo histori që sapo pamë më lart, na qenka e nisur shumë më herët. Fatkeqësia e dytë këtu është, se letra është një ankesë popullorçe, pa leksik dhe formë juridike, pra edhe me mungesë datash, gjë me të cilën kryeministri po të dojë fshin menderen, (dhe siç do të shohim më poshtë ai nuk ka bërë gjë tjetër me këtë letër), dhe çdo jurist i paguar nga firmat e mëdha me para do të qeshë me këtë tekst të letrës.
Letra shkruhet nga disa fshatarë që pretendojnë, se toka e dhënë në përdorim firmës për resortin turistik, është tokë e tyre dhe jo e pronarve të ndryshëm, që e kanë kaluar sa nga dora e njërit tek e tjetrit. Unë nuk do të merrem këtu me pronësinë e tokës, duke u nisur si nga thënia lapidar e Sen Zhystit (Louis-Antoine-Leon de Saint-Just de Richebourg): më jepni një fakt, ta interpretoj në dy mënyra, ashtu edhe nga fakti se në Shqipëri janë hedhur të gjithë në luftë me njëri-tjetrin, për të rrëmbyer ku të mundin toka dhe prona pa zot ose me zot të humbur, kështu nuk mundem dhe nuk dua të çmoj këtu se kush është fajtori dhe kush ka të drejtë, kush ësht pronari i vërtetë dhe kush i rremë. (Të mos harrojmë se Palasa është një fshat prej dekadash pa banorë, pasi banorët e dikurshëm të saj janë shpërngulur prej dekadash në fshatrat e tjerë aty pranë, si Dhërmi, Vuno e Himarë. Të njëjtin fat kanë patur edhe Sasaj, Hundecova, etj. Nëse sot banorë të dikurshëm të këtyre fshatrave janë kthyer, unë nuk di gjë.) Këtu na mjaftojnë disa data e të dhëna të tjera, të cilat na tregojnë se çfarë sistemi juridik kemi në Albanistan. E të mos harrojmë se ky sistem i tanishëm është kryesisht kopje e sistemeve të ofruar nga të huajt, nga demokracitë perëndimore.
Letra, përveç kryeministrit, të cilit i dërgohet, i është vënë në dijeni edhe deputetit të Vlorës, Koço Kokëdhimës dhe presidentit të firmës “Balfin Co”, Zamir Mane, firma e të cilit interesohet për vendin dhe tashmë ka nisur ndërtimet. Letra –fatkeqësisht– nuk ka datë nisje në krye të saj, por e ka këtë datë në fund të saj, Dhërmi 14.12.2013, pra rreth një muaj para datave të mësipërme regjistruese, që sapo pamë në pjesën e parë të kësaj analize. Por duket se kjo letër, (ndoshta jo i gjithë teksti, por një pjesë e tij) është dërguar edhe herë të tjera diku (kryeministrisë?), pasi në brendësi të saj shohim interesimin prej vitesh e të vazhdueshëm të këtyre banorve tek institucionet dhe organet e shtetit shqiptar (kryemin., min. e drejt. dhe gjykata penale): ...zoti kryeministër ju jeni në dijeni për problemet tona në përgjithsi,... në ankesën e dërguar nga ana jonë në dhjetor të vitit 2013 kemi dashur t’ju informojmë për problemin tonë për një pronë të grabitur në zonën e famshme “Dhrale” ... na u përgjigj Ministria e Drejtësisë ... se çështja është në ndjekje penale në shkallën e dytë ... por ama nuk shohim qysh prej denoncimit në shtator të vitit 2011 e deri më sot 11 prill 2014 ... jo vetëm mbyllet çështja gjoja për vonesë hetimesh ... në hipotekën e Vlorës, por bëhen shitblerje të njëpasnjëshme për të humbur gjurmët... Dhe letra jo e gjatë vazhdon me kalvarin e kërkimit të së drejtës së këtyre fshatarve, e cila ka nisur me fallsifikim dokumentash nga kryesia e fshatit në favor të ... Beja, histori të cilën e kemi disi të trajtuar edhe në shkrimin e gazetares së BIRN-it dhe në dokumentat e tjera pas linkeve që do i shohim pak më poshtë. E rëndësishme në leximin e rreth 90% të kësaj letre, është se kjo histori prone ka nisur qysh në 2008-ën, për t’mos thënë edhe më shpejt. Se çfarë ka bërë kryeministri shqiptar në lidhje me këtë çështje, prisni se do ta shihni më poshtë. Më parë do të shohim se ç’farë ka ndodhur gjatë viteve 2008-2014.
III
Ne shohim në shkrimin e gazetares së BIRN-it, Lindita Çela, se për disa toka pranë fshatit Dhërmi (përfshi Palasën), ka hetime nga Prokuroria e Vlorës dhe nga Task Force për Verifikimin e Ligjishmërisë, -kjo e fundit është një Grup Veprimi, në këtë rast për Verifikimin e Ligjishmërisë. (Termin Task Force unë po e has gjithashtu për herë të parë, apo të paktën po ndalem për herë të parë në jetën time ta shoh çfarë është ky subjekt, pikërisht në këtë analizë, ndaj më duhet ta verifikoj me sa mundem nëpërmjet internetit, siç dhe çdo subjekt tjetër të paqartë, që has në shkrimin e gazetares së BIRN-it. Në këtë gjurmim interneti marr vesh se ky është një grup kontrolli dhe verifikimi, si shumë të tilla e me të njëjtin emër në këtë vend, të cilat janë ngritur gjatë këtyre viteve të fundit për sektorë të ndryshëm të ekonomisë, jetës politike, asaj shoqërore, etj., grupe këto të varura nga ministrira dhe dikastere të ndryshëm, apo dhe nga vetë kryeministria. Për këto subjekte –task force– do flas për aspektin juridik dhe faktik të tyre në shkrime të tjera më mirë, për t’mos u hapur shumë.) Në linkun e tretë të shkrimit kemi verifikimin e task-force, një dokument ky i dalë nga zyra kryministrore (shiko linkun në fund të paragrafit të gjashtë të shkrimit).
Ky dokument i lëshuar nga kryeministria dhe që përmban të dhënat e task-force për problemin në fjalë, ka nr. prot. 792/7 dhe datën 1.4.2014. Fatkeqësisht ky dokument na jepet në link i markuar me stampën Reporter.al, gjë që mbulon rreth 10% të tij. Megjithatë, duke lexuar me imtësi shkrimin e gazetares Lindita Çela, marrim vesh që qysh në 2008 kanë nisur veprime juridike të ndarjes dhe shitjes së tokës në Palasë-Dhërmi, nga familjarët me mbiemër Beja tek të tjerë me radhë, ku si fillim dallon emri A. Ismailaj, pastaj A. Hamzaj, pastaj A. Petoshati, më tej A. Gerveni, më tej Shoq. AIC shpk., apo Shoq. E-E shpk., pastaj A. Ashta dhe në fund G. Prizreni. Kundër familjes Beja dhe përfaqësuesit të tyre me prokurë, S. Billa (dhëndër i familjes Beja), ka paraqitur ankesë dhe padi (2011) për fallsifikim dokumentash familja Nina, e bashkë me ‘të edhe familjet Duni, Ruci dhe Bifsha. Mjaft interesant në dokumentin e nxjerrë nga Kryeministria, pra në raportin e Task-Force, janë disa pasazhe nga fundi i këtij raporti, që tregojnë jo vetëm pushimin e çështjes në Gjykatën e Vlorës, (çfarë thekson edhe shkrimi i gazetares së BIRN-it), por edhe disa vendime që nuk janë ndjekur më tej nga BIRN-i e ndoshta edhe nga prokuroria, apo dhe task-force. Ja pasazhet nga verifikimi i task-force:
“Gjykata ... Vlorë me vendimin nr.184, datë 07.05.2013, ka vendosur pushimin e çështjes penale për efekt të paraqitjes së materialit tej afatit procedurial. Aktualisht dosja ndodhet në Gjykatën e Apelit Vlorë, pasi kundër vendimit të mësipërm është bërë ankim nga ana e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë. / Mbi bazën e këtij dokumenti të fallsifikuar [i nxjerrë ky nga arkiva qëndrore në Tiranë, akt ky për të cilin raporti bën fjalë pak më sipër] si dhe vendimin nr.2068, datë 20.07.2008, “Për vërtetimin e faktit juridik”, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, kanë dalë vendimet me nr.413, dhe 414, datë 30.12.2008 të ZRKKP Qarku Vlorë, për subjektin e shpronësuar Kiço Beja dhe trashëgimtar Polimer Beja, të cilit i është njohur dhe kthyer një sipërfaqe prej 130 dynym dhe 80 dynym, në vendin e quajtur Dhraleo, Gjilek, Dhërmi. ! Mbi këtë pasuri është nxjerrë dhe vendimi nr.173, datë 14.06.2006 i AKKP, për subjektin e shpronësuar Vangjel e Kozma Duni për një sipërfaqe prej 18 dynym të ndodhur në vendin Dhraleo, Gjilek, Dhërmi, të cilët pretendojnë se ka mbivendosje dhe duhet parë me hartografët e akkp nëse ka mbivendosje të këtyre vendimeve që do shtosh me vendimet nr.413 dhe 414 të kiço bejës. Më tej konkluzioni i task-force është që vendimet 413 dhe 414 të anulohen, pra sipërfaqja prej 130 dhe 80 dynym e Kiço dhe Polimer Bejës të reduktohet e të caktohet sipas dokumentave të pafallsifikuar.
Dhe, nëse është bërë verifikimi i imët dhe i saktë i mbivendosjes në ish pronën e familjes Duni, për këtë reporti i gazetarve investigativë të BIRN, nuk na bën fjalë akoma! Por sidoqoftë dhe pavarësisht kësaj, task-force ka dalluar fallsifikimin në fjalë. Duket se ky fallsifikim është dalluar edhe nga Prokuroria e Vlorës, e cila e ka hedhur çështjen në Gjykatë, ku kjo e fundit ka dhënë vendimin negativ të zbardhjes së këtij fallsifikimi, duke argumentuar se hetimi i Prokurorisë i ka kaluar afatet ligjore të hetimit. Dhe vërtet, në linkun e pestë që na sjell gazetarja Lindita Çela, kemi vendimin e Gjykatës së Apelit Vlorë, dt. 11.03.2015, vendim i cili le në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Vlorës, dt. 7.5.2013, që do të thotë se prona i takon atij që është akuzuar për fallsifikim. Me fjalë të tjera kjo do të thotë që, për arsye proçeduriale, një fallsifikim apo vjedhje nuk mund të verifikohet, nuk mund të anullohet. Pra, një vepër e dyshuar si e fallsifikuar apo e vjedhur mund ti ngelet subjektit që akuzohet për fallsifikim ose vjedhje, vetëm nga shkaku se hetimi i prokurorisë e kalon afatin e parashikuar nga ligji për këtë hetim! Dhe, duket se ky ligj ka barazuar si hetimet për një portofol të humbur me 10 lekë të reja, ashtu dhe hetimet për një tokë të humbur me vlerë 10 milion lekë të reja! Vërtet Shqipëria të ketë një legjislacion të tillë?!?
IV
Por prisni, gjatë këtij hulumtimi të përciptë që unë po bëj, më del përpara edhe një “lapsus” tjetër juridik, për t’mos thënë disa. Në fillim të shkrimit të gazetares së BIRN-it, paragrafi i dytë, kemi linket (të parin dhe të dytin), ku na tregohen vendimet e qeverisë për ndërtimin e fshatrave turistikë. Në linkun e parë kemi vendimin e KIS-it (Komiteti i Investimeve Strategjike) për miratimin e projektit investues të “Green Coast”-it në Palasë, Dhërmi, Himarë, dt. 14.7.2016, vendim ky i bazuar në ligjin 55/2015, për investimet strategjike në Rep. e Shq., ligj i cili është miratuar nga Kuvendi Popullor më 28.5 2015. (Për historikun e këtij Ligji dhe këtij Komiteti mjafton qoftë edhe një artikull në internet, ai i gazetës Sot, dt.13.5.2015: Projektligji “Për investimet strategjike”... , ku dallohet qartë se ky Komitet i varur direkt nga kryeministri mund ti japi stausin e veçantë një investitori me peshë, atë të investimeve strategjike, që e ndihmon investitorin në lehtësimin dhe përshpejtimin pa pengesa administrative të projektit të tij dhe, mbi të gjitha, i jep këtij biznesmeni garanci juridike në shpronësimin e tokave të të tjerëve!
Ky Ligj do një trajtim të veçantë, por ajo që mua më ra në sy tani është se, 1. miratimi i këtij ligji mbështetet në nenet 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës Shqiptare, nene këto thjesht proçedurialë, pra që vetëm parashikojnë votimin e një problemi të caktuar nga deputetët e kuvendit. Kjo do të thotë se ne mund të sjellim çdo lloj projekt-ligji në fuqi, duke u bazuar në dy nene të Kushtetutës që nuk kanë asnjë përmbajtje etike, juridike, të drejtash, ekonomike, ambientaliste, etj., por thjesht tregojnë se me aq e kaq të numrit të deputetëve mund të bëhet një votim i caktuar! Dhe tjetra çfarë mua më ra në sy është se, 2. ky Ligj na paska në fund të tij një datë skadence!!! Po-po, mos u çudisni, ligjet nuk bëhen për të parashikuar veprime dhe veprimtari që zenë një kohë hipotetike pa kufi! Kështu, nëse ne dënojmë sot vjedhjen, kjo do të thotë se ky ligj ekziston për vetëm këtë vit. Vitin në pasim vjedhja është e lejuar! Pra, ky Ligj i firmosur nga kryetari i Kuvendit Popullor, Ilir Meta na thotë se, afati i fundit për paraqitjen e kërkesave nga subjektet investuese të interesuara për përfshirjen në proçedurat për përfitimin e statusit “Investim/ investitor strategjik, proçedurë e asistuar/ e veçantë”, në zbatim të këtij ligji, është data 31 dhjetor 2018.
Siç e shikoni, jo vetëm Edi Rama, jo vetëm Qeveria, jo vetëm Shteti Shqiptar, por edhe Kuvendi Popullor dhe Ilir Meta bëjnë ligje të përkohshme, siç duket për sa kohë ata do të jenë në pushtet. Edhe një njeri pa shkollë juridike e di se ligjet nuk kanë karakter lokal në hapsirë dhe kohë, siç mund të kenë vendimet e ndryshme, ato të qeverisë, apo dhe komunave. Vendimet bëhen pikërisht për kohë dhe hapsirë të caktuar. Ndërsa Ligji bëhet për kohë dhe hapsirë pa kufizim. Nga kjo pikë përkufizuese në kohë e këtij ligji, i bie se projekti i statusit të investitorit strategjik nuk bëhet për Shqipërinë dhe të ardhmen e saj, e cila do të ekzistojë edhe kushedi sa qindra apo mijra vjet, por ky projekt bëhet sa për të përfituar dikush në një kohë prej 3 vjet e gjysëm! A nuk bie erë korrupsioni ky ligj!? E mbi të gjitha, a nuk bie erë injorancë juridike ky ligj!? Mirë Ilir Meta se nuk merr vesh nga ligjet dhe as që e ka dalluar këtë “lapsus” juridik, por atyre juristëve që ka pranë, a nuk u ka rënë në sy ky allishverish!?..
V
Deri këtu pamë akuza të ngrejtura për fallsifikime në pronësi, gjë me të cilën është sot e mbushur Shqipëria. Deri këtu pamë zbulimin e këtyre fallsifikimeve nga taske-force, zbulime këto me të cilat Shqipëria nuk është mbushur akoma mirë, sepse fallsifikatorët përdorin lloj-lloj formash dhe mënyrash. Deri këtu pamë ngritjen e shumë strukturave administrative, si taks-force të ndryshme, e të varura të gjitha këto grupime nga kryeministri dhe ministritë e ndryshme (sipas fushës ku veprojnë). Deri këtu pamë ngritjen e një Komiteti të Investimeve Strategjike (KIS), i cili është nën varësinë e kryeministrit. Deri këtu pamë ligjin e veçantë për Investimet Strategjike. Deri këtu pamë se financuesit e mëdhenj marrin statusin e investitorit strategjik, dhe këta mund të veprojnë në bujqësi, miniera, turizëm, telekomunikacion, infrastukturë, industri, pra në të gjithë ekonominë. Deri këtu pamë se si me këtë ligj dhe institucion të ri bëhet e mundur shpronësimi i privatëve pa pëlqimin e tyre. Deri këtu pamë se si çdo pretendues për pronën e tij të vjedhur dhe grabitur, edhe nëse merr të drejtën ligjore për ta marrë këtë pronë, ai ta harrojë këtë pronë dhe të pregatisë dokumenta të reja për kompesim në para ose tjetër vend. Deri këtu pamë se si familja Nina dhe ato të tjerat kanë për ta parë tash e tutje pronën e tyre vetëm në ëndërr. Deri këtu pamë dhe mësuam se e njëta gjë do të ndodhë edhe me shumë fshatarë të tjerë, të cilët jetojnë prej qindra apo dhe mijra vjetësh den baba den në trojet e tyre. Deri tani pamë se si ky komision strategësh shqiptarë me në krye kryeministrin dhe me bekimin ligjor të zotit Meta cakton kë zonë të dojë të Shqipërisë si zonë strategjike, dhe pas kësaj cilido parelli i madh mund të investojë e ti bëjë edhe këto zona akoma të virgjëra dhe gjysëm të virgjëra njëlloj si zonat e tjera bregdetare në detin Adriatik, ku nuk shkon më njeri për plazh. Deri tani ne po shohim se si në Albanistan po investojnë vetëm njerëz mafiozë, shqiptarë apo të huaj, të tillë kapitalistë që duan të investojnë pak e të marrin sa më shpejt fitime të shumta.
VI
Cilat janë këto firma dhe njerëz që duan të investojnë në Rivierën e bukur shqiptare? Siç e pamë nga shkrimi i gazetares investigative të BIRN-it, është Shoqëria „Green Coast“, e regjistruar kjo në datë 29.1.2014 dhe e përfaqsuar nga Ervin Kajno. (Ky emër personi del në internet edhe si administrator i “CE2 Service” në vitin 2012, firmë kjo që mbledh për llogari të CEZ-it lekët e faturave të energjisë elektrike.) Shoqëria “Green Coast” është pjesë e Grupit të Investimeve Financiare BALFIN SH.PK, Balkan Finance Investment Group, grup ky i cili përmbledh shumë shoqëri të tjera në vendet e Ballkanit, përfshi Italinë, Dubain, Hong Kongun dhe USA, të gjitha këto degë punësojnë rreth 3000 njerëz. Duke patur parasysh se BALFIN prezantohet në mbi 10 vende, numri prej 3000 vetash si punonjës të saj nuk duket i madh! Siç duket edhe në internet, kjo firmë nuk prodhon asgjë, por vetëm blen dhe shet. Dhe jo vetëm pajisje elektronike, aktivitet me të cilin mburret, por duket se blen dhe shet edhe pasuri të tundshme dhe të patundshme, aktivitet ky që jo deomos ecën në bazë të ligjeve të çdo vendi. President i Balfin-Grupit është Zamir (apo Sajmir) Mane, në mos gaboj nga Përmeti dhe i cilësuar nga shtypi shqiptar, si qengj i urtë që pi dy cica, atë të PD dhe atë të PS, kush të jetë në mazhorancë.
Firma tjetër e përmendur në shkrimin e gazetares së BIRN-it është Eurocol shpk, e cila në internet prezantohet si një firmë që shet gjeneratorë dhe pajisje të tjera të ngjashme. Po kjo firmë –duket– është ajo që po ndërton shtëpiza të bukura në Palasë-Dhërmi, siç tregon një tjetër faqe më tej në google. Duke kërkuar më tej në google të dalin edhe artikuj gazetash, prej nga mëson se presidenti i kësaj shoqërie quhet Pandeli Carapuli, i cili konsiderohet nga shtypi (duket ai i djathtë) si mik i Ramës. Thuhet se kjo shoqëri ka marrë disa tendera nga qeveria e Ramës.
Se kush i vërteton të gjitha sa shkruhen në shtypin shqiptar për këto dy kompani, një dreq e di! Se kush i kontrollon aktivitetet e këtyre shoqërive, pak gjasë ka të ngjasë! Nëse ka legjislacion që përcakton edhe kontrollin e aktivitetit të firmave të ndryshme, këtë le ta shohë Avokati i Popullit, Gjykata Kushtetuese dhe Kuvendi Popullor. Ajo që dihet është se ky vend po i shërben vetëm një grupi të vogël njerëzish.
VII
KONKLUZIONE
Unë nuk kam patur kurrë iluzionin, se me përmbysjen e sistemit “socialist” punët do të shkonin fjollë në Shqipëri. As kam shpresuar se Shqipëria e bukur do të zbukurohej edhe më shumë. Por nuk e kam imagjinuar kurrë se drejtësia ligjore do të bëhej çorap në këtë vend, siç është bërë me përkujdesjen e të huajve, dhe as e kam përfytyruar këtë shkatërrim që i është bërë bregdetit Adriatik dhe që po nis ti bëhet edhe atij të detit Jon nëpërmjet firmave dhe njerëzve që duan më shumë paranë se vëndin!
Unë nuk ushqej iluzionin se njerëzit do të jenë idealistë. Unë nuk dyshoj se materializmi do dominojë gjithmonë. Por pikërisht sepse kjo është e njohur për të gjithë, shoqëritë zgjedhin idetë më largpamëse të njeriut, zgjedhin ligjet më të përshtatshme për të ndalur makutërinë e tejshme materialiste, zgjedhin në pozicione kyçe drejtuese dhe ekzekutive njerëz të paanshëm dhe që duan më parë vendin. Në Shqipëri mungon kjo në veçanti!
Ndaj dhe përjetojmë këtë gjëndje ku jemi katandisur! Edhe ajo nuse e bukur si Riviera, apo siç quhet në gjuhën e popullatës vendase kjo zonë, Bregdeti, po nis ti nënshtrohet tani kanibalizmit shkatrrimtar të investitorve të ndryshëm, të cilët para parasë së tyre nuk shohin gjë tjetër. Në vend që kjo zonë e detit Jon, ashtu si dhe Alpet madhështore shqiptare, ashtu si dhe shumë e shumë kanione të bukur, ashtu si dhe shumë grykëderdhje të mahnitshëm përrenjsh e lumenjsh, ashtu si dhe shumë male dhe vënde perëndish të mrekullueshme të këtij vendi, të shpalleshin ZONA STRATEGJIKE TË MBROJTURA NGA SHTETI, në vend të kësaj ruajtje të tyre, mafia shqiptare e parasë i ka shpallur vende strategjike për investime parash!!! Tashmë, me Ligjin për Investimet Strategjike (LIS) dhe Komitetin e Investimeve Strategjike (KIS), do të përdhunohet dhe do të zhvirgjërohet gjithshka e bukur në këtë vend! Shteti mund të ndërhyjë tani pa as një lloj preçedence, thjesht nga gjykimi se kjo zonë mund të përcaktohet si strategjike dhe investimi i dikujt po ashtu, gjë që sjell jo vetëm shpronësimin me forcë të kujdo fshatari dhe pronari, por edhe injorimin e çdo ligji tjetër që garanton pronën dhe vendimet komunale! Pra, kryeministri mund të bëjë tashmë me Shqipërinë ç’të dojë, mjafton tu hedhë nga një kockë atyre që ka përreth. Ata që kërkojnë tokat e tyre stërgjyshore në këtë zonë të Jonit kanë vetëm një rrugë, të shkulin kryqin e kishës së fshatit, ti hypin një varke ku kanë ngulur këtë kryq të Jezuit, e të vorisin thellë e më thellë detit të tyre JON, duke i lënë përgjithmonë trojet e tyre mijra vjeçare, e të mbyten me stoicizëm klasik, (njëlloj si në skenën e një filmi klasik të famshëm, që s’po më kujtohet emri tani). Më shumë nuk kanë ç’të arrisin! Sepse prapa krahëve të këtij kryeministri të gjatë, prapa këtij kryetari të shëndoshë parlamenti, prapa një Kuvendi me biznesmenë dhe injorantë makutër, prapa kësaj qeverie kukull, qëndron vetë zoti i Zotërve, zoti LU, zëdhëndësi i tutorit të Shqipërisë, USA, vetë komandanti i ri shqip-folës. Përdhunuesve u vret sytë virgjëria, nga vetë ndjesia e zakonit!
Shkrim i dërguar në adresën elektronike me autorësi: Karl Marks
Add new comment