Kryeministri ironizon “brenda murit të Facebook” dhe mohon përgjimin. A nuk është më mirë – edhe për të – që Sajmir Tahiri, t’i nënshtrohet Poligrafit?

Postuar në 16 Maj, 2016 15:30

Parlamenti është vënë në lëvizje për të zbardhur të vërtetën e pajisjes së përgjimit që pretendohet se disponon dhe përdor policia në shkelje të ligjit. Presidenti i Republikës ka zyrtarizuar shqetësimin e vet në këtë drejtim – përtej konsideratave politike, Bujar Nishani përfaqëson një institucion dhe ndaj tij nuk mund të përgjigjesh me deklarata politike.

Prokuroria ka nisur hetimin për këtë çështje, siç bëri me dije sot ministri i Drejtësisë Ylli Manjani. Ka pra lëvizje të përgjithshme për të sqaruar se çfarë po ndodh dhe nëse ajo që përflitet prej kohësh është e vërtetë apo jo.

Kësaj situate i është ndajshtuar me përmasën komike origjinale, një status në Facebook i kryeministrit të vendit Edi Rama. “Hall i madh Reforma ne Drejtesi tani u behet edhe sikur i pergjojne”, shkruan Rama, që shton edhe ngushëllimin e shpikur për përdorim të brendshëm: Vajmedet PD.

Deri këtu jemi në kuadrin e “hungërimës” politike. Por nga qeveria kërkohet një përgjigje institucionale, pasi me sa duket, ndoshta fatkeqësisht, shqiptarët nuk kanë nga dy jetë në dispozicion të tyre, që njërën ta konsumojnë duke besuar me dorë në zemër Edi Ramën, apo Sajmir Tahirin. Këta natyrisht që kanë të drejtën e deklaratave, madje e bëjnë këtë përditë duke na hyrë në shtëpi edhe përmes RTSH-së sa për të përmendur një institucion të besueshëm, por kjo nuk mjafton. Besimi është vrarë dhe kërkohet diçka më serioze. Ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, deklaroi në fjalën e tij më 23 mars, në kuadër të “Partneritetit për qeveri të hapur”, se një nga mënyrat për të patur hetues të ndershëm, është testi i Poligrafit. “Ne kemi vënë mënjanë miliona dollarë për të paguar pajisjet dhe trajnimet e këtyre policëve. Trajnimi i tyre do të zhvillohet në Akademinë e FBI-së në Shtetet e Bashkuara. Një agjent i FBI-së do të caktohet në Tiranë për të mbështetur krijimin e kësaj organizate.  Dhe të gjithë policët e BKH-së do të kalojnë përmes testeve të dallimit të gënjeshtrave (njohur ndryshe si testi i poligrafit) dhe llogaritë e tyre bankare do të mbikqyren për t’u siguruar që ata nuk po marrin rryshfet ose që nuk po punojnë për krimin e organizuar”, sqaroi Lu(http://perqasje.com/2016/03/donald-lu-ja-pse-duhet-te-keni-besim-te-refo...).

Pra SHBA nuk i beson këta të Tiranës, ndaj i drejtohet shkencës. Asaj që është për momentin. A nuk do të ishte në ndihmë të procesit dhe të davaritjes së kësaj mjegulle akuzash, që në mos kryeministri, të cilin e besojmë, pasi fitoi me mbi 90% në referendumin e PS-së, ministri i Brendshëm, t’i nënshtrohej një testi të poligrafit nëse ka përgjuar apo jo jashtë ligjit? Kjo do t’i vlente edhe kryeministrit Edi Rama, që për punën që bën, e ka me përkufizim, detyrimin për të dyshuar. Përderisa në test do të kalojnë hetuesit, pse të mos e provojë njëherë edhe ministri i Brendshëm? Kështu nuk kemi pse të kërkojmë "me sy" te qeveria, nëse na gënjen apo jo.

Sa për përgjigjen politike ndaj qëndrimit të Kryeministrit, këtu më poshtë po sjellim reagimin e një qytetari, komenti i të cilit ka titullin: VajmedetPopulli: “Po ti ke te drejte te tregohesh kaq shume ironik..se ke qe kur ke ardhur e deri tani vetem nje fjale di "Fajin e ka Saliu" Saliut ia dhame drejtimin, po keshtu do jete dhe rradha jote...megjithese per ju aq mjafton..nje katervjecar ne pushtet dhe beheni superbosa..dhe nuk ju shkon me neper mend per njerezit..per mua fajin nuk e ka as saliu as ti as meta asnje...fajin e kemi ne qe nuk po bejme ndonje shembull nga ju...qe pasardhesit tuaj ta mendojne bythen mire kur te hipin ne ate karrige...Shoku rama ka ikur dhe koha e saliut dhe e enverit kur populli genjehej me sllogane dhe premtime partish...mire qe po na shkerdh... nga te gjitha anet por te pakten mos u tregoni kaq arrogant..duke na fyer dhe injoruar kur thoni qe jemi dembela dhe nuk punojme...e kemi treguar veten ne cdo vend te botes per pune...skemi lene hale te evropes pa pastruar....por si te mbushen zyrat dhe institucionet e ketij vendi vetem me bythgrisur (te veshur me kollare) qe e vetmja gjie qe dine te bejne eshte te sigurojne vota kshu ka per te shkuar ky popull....nuk po i shkruaj qe ti lexosh ti keto sepse nuk me intereson qe ti lexosh ti..se nga ty nuk pres ndonje reagim...#VAJMEDETPOPULL”.

Koment që mesa duket është fshirë.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.