Shqipëria po dorëzon sovranitetin(edhe ky lapsus i miqve?)

Postuar në 09 Maj, 2016 16:07
Agron Alibali

Njëlloj si Atlasi në mitologjinë greke, që u shtrëngua të mbajë mbi kurriz barrën e pamundur të qiejve, deputetët e Kuvendit të Shqipërisë po ballafaqohen sot me malin e pakapërcyeshëm të së drejtës ndërkombëtare dhe të kushtetutës së vendit. Fjala është për Aneksin e projekt amendamenteve të Kushtetutës, i cili ka cene dhe të meta të papranueshme dhe juridikisht të pakapërcyeshme. Për herë të parë në historinë e këtij vendi Aneksi parashikon se (i) shqipja nuk është e vetmja gjuhë zyrtare këtu, dhe çka është edhe më serioze, (ii) Republika e Shqipërisë nuk është më vend i pavarur dhe sovran.



Shqipja e "dyzuar"



Mënjanimin e shqipes si gjuhë e vetme zyrtare në Republikën e Shqipërisë e parashikon çuditërisht Neni C.10 i Aneksit, që mbulon veprimtarinë e organizmave të ndryshme të kontrollit të figurës së gjyqësorit. Aty parashikohet shprehimisht se "gjuha zyrtare e Komisionit, e Dhomës së Apelit dhe e Komisionerëve Publikë do të jetë shqipja dhe anglishtja, (theksimi i autorit)..."



Ky Nen është haptazi në kundërshtim me Nenin 14.1 të Kushtetutës, që sanksionon se "gjuha zyrtare në Republiikën e Shqipërisë është shqipja". Ç'mendojnë vallë gjuhëtarët, historianët, studiueset e letrave dhe letërsisë shqipe, shkrimtarët, akademikët, botuesit, studentë e nxënës, prindërit, nënat, gratë dhe vajzat e këtij vendi, pensionistë e përfaqësues të brezave të tjerë, fëmijët e fshatit shqiptar, që janë mëkuar me Naimin, Vasën, Çajupin, Mjedjen, Konicën, Nolin, Fishtën,Migjenin, Kadarenë, Agollin, Spassen, Paskon, Spahiun e shumë të tjerë, për këtë zhvillim të pashembullt në Kushtetutën e vendit? A mos vallë do ta kalojnë, si zakonisht, me një "punë e madhe" dhe me kafen e rradhës?



Shkelja e së drejtës ndërkombëtare 



E drejta ndërkombëtare, e buruar nga Karta e Kombeve të Bashkuara dhe e drejta zakonore ndërkombëtare, sanksionon parimin e të drejtave të barabarta të popujve, të barazisë sovrane dhe të pavarësisë së të gjitha Shteteve, si dhe të lidhjes së traktateve në bazë të vullnetit apo pëlqimit të lirë, mirëbesimit dhe të parimit pacta sunt servanda. Mirëpo Neni B i Aneksit cënon rëndë parimet themelore dhe praktikën e të drejtës ndërkombëtare. Variantit i fundit i Aneksit parashikon se në Shqipëri "do të vendoset një Operacion Ndërkombëtar Monitorimi, i udhëhequr nga Komisioni Evropian sëbashku me partnerët, për të mbështetur procesin e rivlerësimit (të gjyqësorit, A. A.), në kuadrin e integrimit Europian dhe të bashkëpunimit Euro-Atlantik." Sipas këtij Neni. "Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit do të caktojë Vëzhgues Ndërkombëtare pas një njoftimi drejtuar Këshillit të Ministrave dhe do të jetë kompetent për të monitoruar dhe mbikqyrur të gjithë procesin e rivlerësimit "(të gjyqësorit)." Theksohet këtu se një variant i përparshëm ia linte Kryeministrit të Shqipërisë - pavarësisht se kush e ka sot atë post - kompetencën - tashmë të hequr - të emërimit të vëzhguesve ndërkombëtarë....



Afati i operimit të këtij misioni ndërkombëtar është, në thelb, i pacaktuar. Sipas draftit të Kushtetutës, Komisioni i Pavarur i Vlerësimit të gjyqësorit ka afat pesëvjeçar (Neni 179/b.5). Dhoma e Apelit e tij do të pushojë së ekzistuari vetëm pas 9 vjetësh (po aty), kurse çështjet e mbartura mund ta shtyjnë edhe më tej afatin e këtij operacioni të pashembullt bizantin. Me fjalë të tjera, misioni ndërkombëtar do të funksionojë në Shqipëri deri të paktën në vitin 2027. Mirëpo vendosja në Shqipëri e një Operacioni Ndërkombëtar të Monitorimit nuk mund të rregullohet eksluzivisht sipas të drejtës së brendshme shqiptare, d.m.th. me anë të Kushtetutës.



Angazhimi afatgjatë i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, dhe kompetencat e jashtëzakonshme të tij në një vend sovran, anëtar të OKB-së, mund të bëhet vetëm sipas normave të së drejtës ndërkombëtare, nëpërmjet një marrëveshjeje ose Traktati dypalësh ose shumëpalësh midis Republikës së Shqipërisë, Bashkimit Europian dhe "partnerëve" të paidentifikuar. Ky traktat duhet të jetë në trajtë të shkruar, Ratifikimi i tij, që më në fund është akt sovran sipas së drejtës së brendshme, rregullohet si formë dhe procedurë nga e drejta ndërkombëtare e parashikuar kryesisht në Konventën e Vienës për të Drejtën e Traktateve. Sikurse u përmend, Neni B i Aneksit parashikon edhe "partnerë" të paspecifikuar, që nuk dihet nëse janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.



Vërehet se varianti i tanishëm i Nenit B ka pësuar ndryshim radikal krahasuar me variantin fillestar të shtatorit 2015. Ky i fundit parashikonte se "operacioni ndërkombëtar i monitorimit është bashkëpunim midis Komisionit Europian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës,...etj. (shih Nenin 2, Amendamentet Kushtetuese, versioni 24 shtator 2015, www.euralius.eu). Me siguri eksperti amerikan i OPDATit e ka pasur të qartë se nuk mund të merrte përsipër angazhime që i takojnë ekzekutivit dhe Senatit të Shteteve të Bashkuara, çka mund të shpjegojë edhe ndryshimin e detyruar të përmendur më lart. Përndryshe normat e brendshme kushtetuese, që deputetët e Kuvendit të Shqipërisë po shtrëngohen të miratojnë nën një trysni dhe ngutje të pashembullt, kurrsesi nuk janë të detyrueshme, dhe as nuk mund të zbatohen nga pala tjetër, d.m.th. nga Bashkimi Europian.



Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë nuk mund të flasin në emër të 500 milionë shtetasve të vendeve anëtare të BEsë. Eshtë afërmendsh që ata nuk kanë tagër të ushtrojnë të drejta dhe të marrim përsipër detyrime në emër të vendeve anëtare të BEsë. Përndryshe, kjo do të ishte nonsens i pashembullt juridik; akti i tyre nuk do të kishte kurrfarë efekti ligjor, pasi do të përbënte shkelje flagrante të normave dhe praktikës të së drejtës ndërkombëtare, që janë të detyrueshme për të gjitha subjektet e saj, përfshirë Republikën e Shqipërisë, Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.



Shkeljet e tjera të së drejtës së brendshme



Por përveç së drejtës ndërkombëtare, ekzistojnë edhe dispozita sipas së drejtës së brendshme, që u zhveshin deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë tagrin për të miratuar Aneksin e Projekt Amendamenteve Kushtetuese, pasi ata kurrsesi nuk mund të ndërmarrin ndryshimet kushtetuese të kërkuara në emër të 3 milionë shtetasve të tyre. Sikurse u shtjellua, Neni B i Aneksit parashikon gërryrjen e sovranitetit dhe "të barazisë sovrane dhe pavarësisë" së Republikës së Shqipërisë (shih Preambulën e Konventës së Vjenës për të Drejtën e Traktateve).



Për më tepër, ndryshimet e propozuara cënojnë parimet kushtetuese të sovranitetit të popullit dhe të pavarësisë së shtetit (përkatësisht Neni 2 dhe 3 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë). Në vend që të ushtrohet drejtpërdrejtë nga populli edhe në funksion të spastrimit të gjyqësorit, sovraniteti i dorëzohet me pjatë argjendi "vëzhguesve ndërkombëtarë", duke cënuar rëndë madje edhe pavarësinë e shtetit, që përbën "themelin" e paprekshëm kushtetues të shtetit bashkëkohor shqiptar. Kësisoj, në emër të luftës kundër korrupsionit në gjyqësor e prokurori, shqiptarët përgatiten të pranojnë mbi zverkun e tyre disa "pashallarë modernë" të rinj, të ndryshëm në formë, por të krahasueshëm në përmbajtje me "pashallarët otomanë" të Shekullit XIX, apo "pashallarët e kuq" të Shekullit XX.



Pyetje në vend të mbylljes 



Duket se ideatori i këtyre ndryshimeve radikale të Kushtetutës së një vendi sovran është drejtuesi i tanishëm i misionit EURALIUS IV. Vetëm propozimet e mësipërme, që bien ndesh me të drejtën ndërkombëtare dhe kushtetutën e vendit, do të mjaftonin që atij t'i ndërpritej kontrata e angazhimit, pasi ato janë haptas përtej pesë fushave për të cilat misioni EURALIUS IV është kontraktuar. Duhet theksuar se ai e ka marrë njëherë "kartonin e verdhë" nga ministria shqiptare e drejtësisë, kur janarin e shkuar tentoi të përzihej në problemet e referendumeve.



Theksojmë gjithashtu se Misionit EURALIUS IV financohet nga Bashkimi Europian, por kurrsesi nuk përfaqëson Bashkimin Europian, sikurse deklarohet fare qartë në faqen e internetit të EURALIUS IV. Përfundimisht, projekti i tanishëm i amendamenteve kushtetuese ka plot probleme, mangësi, dhe "xhevahire" të tjera juridike, të cilat mund të trajtohen herë tjetër, dhe ai kurrsesi nuk mund të miratohet në trajtën dhe përmbajtjen e sotme, aq problematike dhe të cunguar.



Thirrja e Asamblesë Kushtetuese apo Kuvendit Kushtetues, të përbërë nga të gjithë deputetët e zgjedhur dhe që janë gjallë qysh nga zgjedhjet e para pluraliste në vitin 1992, është rruga e vetme për hartimin, diskutimin dhe miratimin gjithëpërfshirës dhe plotësisht të legjitimuar të ndryshimeve kushtetuese. Në mbyllje kemi të drejtë të bëjmë këtë pyetje: A mundet, vallë, që sot, në vitin 2016, të ketë vërtet ndonjë deputet të legjislaturës së tanishme të Kuvendit të Shqipërisë, që mendon se mund të marrë mbi vete tagre që s'i takojnë, duke marrë përsipër përgjegjësi individuale dhe partiake që të sanksionojë shkeljen e së drejtës ndërkombëtare, si dhe gërryerjen e sovranitetit të vendit e cënimin e pavarësisë së tij, pikërisht 102 vjet pas Shpalljes së Pavarësisë?



*Autori është Senior Fellow në Universitetin e Masaçusets në Boston, SHBA

"Shekulli"

*Titulli origjinal: Shqipëria po dorëzon sovranitetin

Comments

Submitted by edmond cata (not verified) on

Ca dite me pare, Respublica e perkufizonte raportin klase politike - qeverisje - demokraci - sovranitet me titullin e goditur "klase politike qe e perdor sovranitetin per te vjedhur!"

Sot, Gjykata Kushtetuese i ka hequr Koco Kokedhimes mandatin e deputetit per shkak te perfitimit nga fonde publike ne kundershtim me statusin si deputet, Po sot z. Alibali thote se po rrezikohet dhe perdhunohet sovraniteti dhe Kushtetuta e Shqiperise!

Nese do te behej fjale per ndonje lende seminar ne "Marredhenie Nderkombetare", ne nivel 900 doktoral, teza e Alibalit, e ngritur mbi nje perspektive realiste te marredhenieve nderkombetare, do te ishte interesante, por perseri, me plot dritare per kundeshtim dhe hedhje poshte si te gabuar, te pakten ne rastin e Shqiperise. Kesisoj, te gabuara do te rezultonin edhe ankesat dhe recetat qe sugjeron z. Alibali.

Z. Alibali e ngre analizen e tij mbi supozime nistore te gabuara. Ai supozon se Shqiperia perfaqeson nje vend me sovranitet tipik ala Westfalian. Qofte ne sferen e politikes se brendeshme (te zgjedhurir vs. zgjedhesve) qofte ne sferen e marredhenieve te jashtme (shtet vs. shtete). Jo! Shqiperia nuk eshte bartese dhe ushtruese e nje sovraniteti te tille. Esenca e sovranitetit eshte perfaqesueshmeria!

Se brendeshmi, ne Shqiperi sovraniteti ka probleme sepse perfaqesueshmeria e njerzve eshte problematike. Perfaqesueshmeria realizohet permes zgjedhjeve te lira dhe delegimit mbi bazen e vullnetit te lire te autoritetit nga individet, grupet, shoqeria tek perfaqesuesit e zgjedhur. Ne 25 vitet e fundit, edhe pse shqiptaret filluan te aplikonin demokracine si modelin e formesimit te sovranitetit te brendeshem, njerzit asnjehere nuk u perfaqesuan realisht te institucionet perfaqesuese - parti, parlament, egzekutiv, presidence,; vota e tyre gjithnje u vodh; zgjedhjet kane qene gjithnje te dyshimta dhe jo korrekte; dhe "te zgjedhurit" kane marre autoritetin e ligjevenesit apo ligjzbatuesit jo nepermjet shprehjes se lire por blerjes dhe vjedhjes se votes, jo nepermjet perfaqesimit real por pseudoperfaqesimit! Andaj raporti zgjedhes-i zgjedhur ka rezultuar jo-demokratik, pa dhogari-dhenie, autoritarist; kesisoj, "te zgjedhurit" kane vjedhur sa kane dashur - individin, komunitetet, shoqerine, qeverisjen, vete shtetin. Nje tablo e tille con vetem ne nje drejtim: shtet i deshtuar (failed state). Dhe Shqiperia, me pare se shtet sovran, mund te kualifikohet si shtet i deshtuar!

Se jashtmi, sovraniteti i Shqiperise, me shume se i garantuar nga ekonomia, tanket, dhe topat e brendeshme, ka qene garantuar nga konjukturat e jashtme! Shqiperia lindi sepse deshen austriaket; Shqiperia nuk u pushtua dot nga Bashkimi Sovjetik si Cekosllovakia per shkka te pozites gjeografike dhe luftes se ftohte mes Lindjes dhe Perendimit; Shqiperia nuk iu ekspozuar ne 1999 inkursionit te Serbise kunder Kosoves jo sepse Shqiperia kishte takat te perballonte ushtarakisht nje sulm te Serbise por sepse fuqite e medha me ne krye SHBA u rreshtuan kunder Kosoves dhe nga kjo perfitoi edhe Kosova, dhe i shpetoi "testit" edhe Shqiperia!

Ne keto kushte z. Alibali, te flasesh dhe te qash per sovrantitetin e Shqiperise ne rastin me te mire eshte luks, ne rastin me te keq eshte te mos duash qe gjerat te ndryshojne ne kete vend.

Sot sovrantiteti, jo vetem qe nuk ka me ate kuptim qe ka patur historikisht, por ka ndryshuar deri ne ate pike sa disa shtete, kane ndermare vullnetarisht edhe hapa ne drejtim te kufizimit te sovranitetit te tyre. Sot sovranitet ne kuptimin Westfalian, te bazuar mbi perfaqesueshmerine dhe forcen, mund dhe jane ne gjendje te ushtrojne vetem pak shtete, kryesisht ato qe jane te forta ekonomikisht dhe kane nje tradite te konsoliduar shtet-formimi. Bota sot popullohet nga mjaft shtete te cilat e gezojne sovranitetin vetem formalisht, ndersa praktikisht nuk mund te konsiderohen sovrane. Por bota sot popullohet edhe ashtu nga dinamika dhe shtete te cilat asociohen me heqjen dore ne menyre vullnetare nga sovraniteti. Procesi i integrimit europian dhe organizata nderkombetare e Bashkimit Europian eshte nje shembull procesesh ku shtetet heqin dore vullnetarisht nga sovraniteti i tyre per hir te nje perfitimi qe gjenerohet dhe shkon pertej kufijve dhe limiteve te sovranitetit. Po ashtu, aderimi i shteteve ne Gjykaten Nderkombetare te Drejtesise eshte po ashtu shembull tjeter se si shtetet pranojne te heqin dore nga elemente te sovranitetit te tyre per hir te nje te mire me te madhe. Rastet e vendeve te Vishegradit (Hungari, Poloni, Cekosllovaki) jane raste tipike te heqjes dore nga sovraniteti kombetar dhe perqafimi i normave nderkombetare. Te sapo-cliruar nga tutela sovjetike ne vitet 1990, per shkk te mosbesimit te krijuar ndaj lidershipit te brendeshem, keto vende, gjeja e pare qe bene sapo dolen nga sfera e ndikimit sovjetik bene kuader juridik te brendeshem, dhe i dhane perparesi Konventes Europiane te te Drejtave te Njeriut. Mbi te gjitha, praktikimi i sovrantietit sot eshte tronditur edhe nga pjesemarrja e nje vendi ne organizata nderkombetare.

Nisur nga te gjitha me lart. sovraniteti i Shqiperise eshte sovranitet qe vlen ne leter, por jo ne jeten e perditshme; vlen per klasen e saj politike por jo per shqiptaret, jeten, lumturine e perditshme te tyre. Shqiperia sot eshte antare e NATO-s dhe sikur vetem ky fakt te mbahet parasysh, do te justifikonte ne nje mase te madhe perpjekjet dhe deklaratat e ambasadoreve amerikane apo te BE-se. Por Shqiperia, ne leter te paktemn, pretendon te behet edhe antare e BE-se; ne kete kontekst, eshte e kuptueshme qe nje Shqiperi antare e BE-se nuk mund ti flase vetem shqip antareve te tjere; ndaj futja e anglishtes perfaqesion thejsht nje tenative dhe tregues me shume per predispozicionin ovranitet-leshes te Shqiperise sesa per cenimin e sovranitetit te saj!!

Keshtuqe nese sovraniteti ne Shqiperi eshte ai qe eshte - i pabuke, jo real, i shfrytezueshem per keq-qeverisje - atehere ajo qe do te isha kurioz te dija nga z. Alibali, eshte cili eshte motivi i vertete pas qarjes se tij se me nderhyrjet e Euraliu-sit, ambasadoreve, apo tjeterkujt, po rrezikohet te preketr sovraniteti i Shqiperise! Ne djall vafte sovraniteti ir Alibal nese ky eshte i destinuar vetem per te vjdhur!!!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.