"Kurum" shkriu kantierin e riparimit të anijeve, në portin e ri të peshkimit ankorohen jahtet
I ndërtuar rreth një vit më parë me një vlerë prej 15 milionë euro, porti i peshkimit në Durrës ende nuk është marrë në dorëzim nga Autoriteti Portual dhe nuk po shfrytëzohet për qëllimin që është ngritur. Ky port është kthyer në një vendqëndrimi për jahtet dhe velierat, ndonëse brenda hapësirës së tij janë ndërtuar e kanë përfunduar magazinat e peshkut për grosistët, bankinat dhe infrastruktura e duhur që kërkon një port peshkimi. Porti i peshkimit është në varësi të firmës që ka kryer punimet dhe asnjë prej strukturave të tjera nuk ka autoritet mbi të, pavarësisht se aty janë ankoruar e qëndrojnë me muaj mjetet lundruese luksoze. Më 19 tetor të vitit që shkoi, ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti u premtoi peshkatarëve zgjidhjen e problemit. Në atë kohë, Panariti u shpreh se “porti nuk i ka respektuar parametrat për të cilat është ndërtuar. Por, bashkë me projektuesit do përpiqemi për zgjidhjen e këtij problem që në këtë port të ankorohet flota e peshkimit dhe jo jahtet. Unë jam kundër kthimit të këtij porti për ankorimin e jahteve”. Kreu i sindikatës së peshkimit tha për Gazeta Shqiptare se "Prej vitit 2011 nuk ka kantier për riparimin e anijeve të peshkimit, sepse u shkri në furrnaltat e Elbasanit nga ‘Kurumi’. Peshkimi është në buzë të greminës, ndërsa edhe porti i ri u kthye në port për jahte e veliera”-shton ai.
Add new comment