Në mbrojtje të shërbimit konsullor, zv.ministri i Jashtëm: “Problemet, pjesë e inercisë së të shkuarës. Nuk kemi për t’i mbrojtur shkelësit e ligjit”
Zv.ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Halil Hyseni, ardhur në detyrë nga radhët e PDIU-së, publikon sot në gazetën “Shekulli” një shkrim mbi situatën në shërbimin konsullor të vendit tonë. Duke marrë shkas nga investigimi i bërë nga emisioni “Stop”, Hyseni deklaron se, ndonëse denoncimi i ngjarjeve të tilla vetëm sa e shëndosh klimën dhe punën e shërbimit, në tërësi ai nukmduhet të hedhë baltë mbi të. Zv.ministri shkruan madje se “Sistemi ynë i shërbimit konsullor është i krahasueshëm me të kujtëdo vëndi të përparuar, përmirësimet që po bëhen e bëjnë edhe me të vlefshëm atë. Përmirësimi i arritur është fryt i punës në dekada. Ngjitja më lart, që po ndodh, mbështetet plotësisht në punët e mira të bëra nga pararendësit, mbështet në arritjet e tyre e ne vetërregullimin e pandërprerë”.
Duke renditur disa nga arritjet e shërbimit konsullor, sidomos në planin e zgjerimit të kompetencave dhe të së drejtës për të ofruar shërbime, zv.ministri i njeh problemet jo si pjesë e frymës që dominon në shërbimin diplomatik, por si pasojë e inercisë. “Konsujt nuk merren me temat e mëdha të globit. Ata, përgjithësisht nuk merren as me temat e mëdha të vëndit ku akreditohen apo të vendit nga vinë. Konsujt kanë për detyrë të merren me hallet “e vogla” të qytetarëve tanë, kudo ku ata shërbejnë. Konsujt i shërbejnë Shqipërisë duke i shërbyer popullit, qytetarit shqiptar. Ka patur, padyshim ka dhe do te ketë edhe konsuj që prioritet kanë shërbimin ndaj xhepit të tyre. Të tillët, edhe pse veshin petkun e konsullit, edhe pse thirren konsuj, faktikisht Kodi Penal i pagëzon me tjetër emër: i quan kundravajtës. Për të tillët, si për këdo, ligji penal ka rregullimet e veta dhe organet përkatese kanë fushë të plotë veprimi. Imuniteti diplomatik i konsujve nuk shtrin mbrojtje për kundërvajtës të tillë. Ministria e Punëve të Jashtme nuk i merr nën sqetull. MPJ përherë do të mbajë qëndrim të prerë, administrativ, duke i mënjanuar nga shërbimi”, shkruan Hyseni. Do të ishte mirë që zv.ministri të sqaronte opinionin se ccfarë kontrollesh ka kryer Ministria e Jashtme dhe si e kryen punën shërbimi ynë konsullor dhe ai diplomatik me pagesat aktuale në qytete të shtrenjta si ato të Europës.
Add new comment