Burri me Shall…

Postuar në 21 Janar, 2016 15:58
Fation Nikolla/Institucioni Arsimor Profesional “Time Center”

Në kujtim të Doktor Ibrahim Rugovës...

Imazhin e tij e sjell nëpër mend që në fëmijërinë time të hershme...Parë me syrin e një fëmije, ishte një njeri i çuditshëm, një person tërheqës dhe abstrakt, një njeri që vinte si imazhi i një heroi në mjegullnajë. Kishte diçka tërheqëse tek ai njeri që dhe sot më tërheq e më bën të meditoj akoma.

Tek rrekem ta kujtoj, sot e shpesh, sa herë meditoj mbi figurën e tij më kujtohet që emrin e parë rastësisht e kam dëgjuar foshnje në vitet 1990. Më rivjen në mendje figura e një njeriu që unë e imagjinoja me sytë e fëmijërisë pa e parë asnjëherë imazhin e tij. Dëgjoja si nëpër tym emrin Doktor Ibrahim Rugova, një emër tërheqës. Presidenti i Kosovës. Një njeri që po ngrihej në piedestalin e një Heroi pa qenë kurrë i tillë. Më vjen si nëpër tym një radio e vjetër (e më pas një klip në televior) mbi kokën time që shqiptonte muzikën kosovare, dhe një emër që do të më ngelej gjatë në kujtesë Doktor Ibrahim Rugova.

“Atje është Prishtina,

Atje është Rugova,

Zemër e plagosur,

Atje është Kosova”

Nuk e kujtoj se kur e njoha për herë të parë imazhin e tij, sigurisht që duhet të ketë qenë në vitet e para të foshnjërisë, por absolutisht nuk mund të mos kujtoj simbolikën e veçantë të tij, një Burrë me Shall...  Shalli, një simbolistikë që do të ngelej përjetësisht në memorien time. Burri me shall...

I çuditshëm ky njeri, pse kudo me shall??? A është në vete ky burrë. Çfarë duhet shalli kur ka kollare? Çfarë duhet shalli kur është vapë, po kur ka diell??? Përse nuk e heq asnjëherë ky njeri? Përse është kaq i lidhur me shallin??? Ishin këto pyetje të një mendjeje fëmije që zgjonin kureshtjen time tek imazhi i tij.

Vitet kalonin... sigurisht rritesha unë, rritej Ibrahim Rugova.

***

Nuk kam pasur fatin ta takoj asnjëherë Dr. Ibrahim Rugovën. Por e kam hasur në shumë çaste domethënëse të jetës sime por edhe të historisë së kohës sonë.

Kam pasur një marrdhënie me të. Një marrdhënie midis Fëmijës dhe Heroit, midis Nxënësit dhe Mësuesit, Shembullit dhe Shëmbëlltyrës.

Ibrahim Rugovën e kam dashur dhe urryer në termin me ulje ngritje të kësaj fjale. E kam pëlqyer, simpatizuar, respektuar e jam zhgënjyer, fyer, por absolutisht prapë e kam dashur. E sot e dua shumë, ose më saktë e vlerësoj shumë. Ky njeri ishte i çuditshëm. Absolutisht që unë jam askushi për ta paragjykuar, vlerësuar, apo ndërtuar profilin e tij. Kjo shkrim është thjesht një vlerësim personal.

Sot mbushen 10 vjet nga shuarja e tij.

E kujtoj mirë momentin kur morra lajmin e shuarjes së tij. Atëkohë punoja e menaxhoja një Qendër Interneti por pa internet. Ka qenë një mëngjes Janari, 21 Janar 2006, isha i ulur në tavolinën kryesore dhe në krah kisha një televizor që e mbaja për t’u informuar e shtyrë orët e punës. Teksa filluan lajmet dëgjova për shuarjen e tij.

Instiktivisht ndjeva keqardhje. Por një keqardhje sikur bashkë me të kishte ikur dhe një pjesë e kapitullit të fëmijërisë sime. Një Kapitull i ulje ngritjeve gjer në atë kohë. Burri me shall ishte shuar…Në atë kohë Dr. Rugova sipas meje, mendoja se e kishte humbur shkëlqimin e tij, kishte marrë shumë goditje, po përpiqej të harrohej, të heshtej. Të nesërmen me zor prisja të mbyllja orët e mësimit e të shkoja për të ndjekur live ceremoninë mortore për nder të tij. Fati e deshi që atë ditë të mbaroja herët mësim. Me të mbaruar mësimin, nxitova me vrap drejt shtëpisë e u ula përpara televizorit për të parë imazhet e një Kombi të bashkuar.

“Kur shuhen njerëzit e mëdhenj, përdorim fjalën mjerisht për shoqërinë”, afërsisht është një nga fjalitë që një profesor në një nga orët e leksioneve të Gjuhë Letërsisë në Universitetin e Tiranës thoshte që duhet të përdorim sa herë fatkeqësisht humbasin figura që e lëvizin shoqërinë.

“Mjerisht” Doktor Ibrahim Rugova ishte shuar…

Kjo ishte ndjenja që ai kish lënë tek unë… dhe absolutisht mendoj dhe tek populli i tij…

***

Por sot nuk jam më fëmijë… as adoleshent, sot kam parë Kosovën e Lirë, kam njohur Heronjtë e saj e kam lexuar e lexoj për historinë e saj. Sot informacioni është shumë më i gjerë. Sigurisht sot jam më i pjekur, shumë gjëra janë parë me kohë e shumë gjëra janë realizuar. Teoria është lidhur me praktikën. Imazhet janë lidhur me realitetin. Në mendësinë time Doktor Rugova, mbetet padyshim një lider. Sot e kam kuptuar domethënien e Burrit me Shall.

Është kjo arsyeja që më bëri të ulem e të shkruaj diçka për të. Një shtysë e brendshme nga thellë, thellë qënies sime, si një mirënjohje. Një respekt, një falenderim, një kujtesë.

Përse e mbante Shallin Doktor Ibrahim Rugova?

Shallin e mban gjithmonë sepse do t’i tregojë botës se populli i tij nuk është i lirë. Ky ishte shpjegimi që mu dha në fëmijërinë time.

Por vetëm kaq? Jo absolutisht jo. Profili i tij është shumë më i thellë. Përpara se të shpjegoj domethënien e thjeshtë duhet të kuptojmë domethëninen e një lideri. Çfarë është një lider? Çfarë të bën një lider?

Doktor Rugova u gjend rastësisht në bedenat e historisë. E përplasi fati, koha apo rrethanat, pak rëndësi ka. Ai u kthye në Lider. Ai ndërtoi një projekt të tij që e implementoi dhe e ktheu në historinë e popullit të tij. Dr. Ibrahim Rugova u përpoq të ndërtonte një vizion duke e lidhur pashmangshmërisht me fatin e popullit të tij. Ëndërroi një vizion të tijin duke pasur një identitet kombëtar. Me siguri që ai nuk mund ta ketë menduar kurrë se kjo do ta kthente në një hero të popullit të tij.

Sigurisht që ai nuk e ka menduar kurrë se përpara e prisnin shumë rreziqe, se do ta baltosnin, paragjykonin, ngrinin e rrëzonin, dashuronin e urrenin. Po një Lider nuk ka kohë të mendojë për to… Atij i duhet të shohë përtej qëllimit final, të shoh fundin e atij vizioni që ndan errësirën nga drita në fund të tunelit.

Ai foli me xheste, ai foli duke heshtur. Thonë se veprimi është shumë më goditës se fjala. Thonë se simbolistika është më e fortë se diskutimi.
Thonë se heshtja vret më shumë…Thonë se heshtja ka një simbolistikë shumë më lëvizëse…

Profesor Skënder Sherifi gjatë një kafeje miqësore që ndanim sëbashku më pati thënë se vizioni i tij ishte shumë largpamës përtej popullit të tij… vizioni i tij e la serbin të gabonte… Profesor Sherifi e krahasonte me shembullin e sulmit të Presidentit Rus Vladimir Putin në Krime.  Nqse Kosova do të kishte reaguar me luftë Serbia do ta shtypte e të gjithë do të heshtnin siç heshtin sot përballë Rusisë e analizonte pak a shumë profesor Sherifi. Doktor Rugova e kuptoi këtë, më tha ai tek më ilustronte skemën paralele të dy situatave politike.

Dhe unë i jap të drejtë. Doktor Rugova e lexoi se që të kthehej në qendër të Axhendës të veshëve të shurdhët të Diplomacisë Ndërkombëtare, Kosova duhet të kthehej në një Axhendë të vetën përpara se të vendosej mbi tavolinat e këtyre përfaqësive.

Me gjuhën e profesionit, ajo duhet të kishte një Brand, një Identitet përfaqësues. Ai e realizoi këtë. Po si arriti ai deri këtu. Një fëmijë i lindur në një nga fshatrat e Kosovës. Që në moshë të vogël humbet babain dhe xhaxhain nga pushtuesit serb. A mund të dijë një fëmijë çfarë janë pushtuesit? Fati i lig ia mësoi këtë. 

Një i ri që pëlqente shkrimet, letërsinë, librin. Një profesor e studiues që shkruante për letërsinë më të hershme të Kombit tonë. Një intelektual në heshtje, një njeri që fati i ngarkoi një detyrë. Një detyrë përtej letërsisë, por që në vetvete mbante një pike lidhëse, e ky ishte misioni. Sipas mendimit tim Doktor Rugova ishte mësuar të lexonte në heshtje. Kjo është një sëmundje e të gjithë lexuesve. Të gjithë të dashuruarit pas librit kërkojnë të lexojnë në heshtje. Si shkrimtar ai këtë kërkojë ta kanalizonte në politikë. Ai nuk ishte politikan, ai ishte shkrimtar që i duhej të bënte politikanin. Shkrimtari është misionar, e ai ishte një misionar. Ja përse Rugova nuk e pa veten si politikan.
Ja përse ai politikën preferoi ta lexonte në heshtje. Por jo gjithmonë e lanë.

“Nuk mund të merrem me letërsi kur shoh se nëpër rrugë vdesin njerëzit e mi.” – shprehet ai në një nga thëniet e tij. Vendosi të merrej me politikë por duke vazhduar të mos e braktisë misionin e tij të frymëzuar nga heshtja përballë leximit.

Tek e analizon sot profilin e tij shikon se pa e ditur ai e krijoi një Brand, një Identitet të Kosovës. Ai krijoi një profil që në fund shkoi unik në të gjitha tavolinat e Institucioneve të Diplomacisë Ndërkombëtare.

 

Ishte Doktor Rugova që krijoi simbolistikën e shallit. Populli që nuk merr dot frymë. Shalli të mban ngrohtë, të vë në gjumë, e kush fle vdes. Shalli të zë frymën, ai të pengon të flasësh. Simbolikisht për ata që nuk kuptonin shqip ai e zgjidhi këtë në mënyrën më perfekte që do ta kishin zili shumë krijues grafik sot, ai e zgjidhi me simbolistikën më goditëse me shallin duke e konkretizuar me heshtjen edhe për ata që kuptonin shqip por nuk lexonin me mendje të ftohtë.
 

HESHTJA & SHALLI dy pika lidhëse që nënkuptonin vetëm një fjalë: SHTYPJE.

Më pas i duhej të krijonte një identitet kosovar. Me siguri që ai e ka lexuar e studiuar shumë mirë historinë e popullit të tij. E ka kuptuar se bashkimi me dheun mëmë ishte një Ëndërr që do të ishte shumë e vështirë të realizohej në një kontinent ku zjarri ishte gati të plaste për një fjalë. Një kontinent ku gjaknxehtësia i kishte shtyrë njerëzit të rrëmbenin pushkën e të vrisnin një mbret, krajl e perandor duke hedhur pa pikë problemi në flakë gjithë botën.

E kuptoi se duhet t’i tregonte botës se ne ballkanasit dimë të jemi ndryshe, se ky kontinent përveç zjarrit ka dhe heshtjen. Ka dhe qetësinë, maturinë e diturinë. Ka simbolistikën. Atij i duhej të tregonte se kjo tokë është ilire e bashkimi me dheun mëmë nuk është një kapriço apo dëshirë djaloshare e trashëguar brez pas brezi nga gjyshi te nipi por është një e drejtë që vjen nga gjaku, nga geni e nga e drejta që Zoti na dha kur na caktoi në tokën tonë. Një tokë Ilire dhe ne ishim Ilirë. Më mirë se kurrë ai këtë e gjeti me simbolistikën e Dardanisë. Kosovarët janë Dardanë, e Dardanët ishin Ilirë. Kjo tokë është e jona.

DARDANIA & ILIRIA  dy pika që sot na sjellin nëpër mend fjalën: SHQIPTARË AUTOKTON.

 

Dhe kur popujt e Ballkanit kërkonin luftë, Doktor Rugova e la Serbinë të gabonte. Preferoi të lexonte në heshtje por duke i denoncuar plot simbolistikë të gjitha lëvizjet e tij.  Këtu qendron largpamësia e vizionit të tij. Ai vazhdoi të fitonte kohë. Kohë që shqiptarëve po i dukej se po iu kushtonte shumë, por duke harruar se kishin humbur shumë kohë pa bërë asgjë që nga 1913. Rugova, sigurisht jo vetëm, e nisi projektin e tij në 1989 dhe Kosova u finalizua si projekt në 17 Shkurt  2008. Por ajo arriti ta tërhiqte vëmendjen e Botës që në 1999. Pra 10 vjet. E mahnitshme, një projekt perfekt që do të kishte merituar të vlerësohej me notën 10-të çdo drejtues sot, por që në 1990 do të quhej aventurier e do të neglizhohej nga të gjithë.

 

Rugova ia doli, të gjithë ia dolëm!!! Që në 1999 Axhenda me Emrin Kosovë, arriti të vihej mbi tavolinën e Udhëheqësit numër një në botë. Presidenti i Shteteve të Bashkuara dhe e gjithë bota diplomatike kishin mbi tryezë vetëm një axhendë me një identitet që quhej: Kosovë.

 

Ja përse sot, i detyrohemi këtij njeriu për t’i thënë faleminderit për aq sa bëre. Absolutisht në mënyrën e tij bëri shumë. Sigurisht nuk ishte vetëm. Absolutisht që nuk ishte Hero, as i shenjtë, ishte njeri, njeri që besoi tek një vizion që dje nuk guxonte ta mendonte askush e sot të gjithë po e jetojmë në realitet. A gaboi?, a mëkatoi?, absolutisht që po, është një pike njerëzore që askush nga ne si shpëton dot. Por mbi të gjitha ai guxoi, dhe u kthye në një mësues të mirë që na mësoi në heshtje se vizionet ndërtohen nga leximi, e leximi mësohet në heshtje…

Ja përse për mua sot burrë, imazhi Burrit me Shall në imagjinatën e foshnjërisë vjen si Hero i shëmbëlltyrës për të besuar se ëndrrat dhe vizionet gjithmonë janë të realizueshme kur ato qëndrojnë mire të strukturuara në vetëdijen tonë…

Faleminderit Burri me Shall…

Faleminderit Doktor Ibrahim Rugova…

Ti ia dole…

 

Comments

Submitted by Edlira (not verified) on

Nje nga esete me te bukura!!!! Shume e bukur , shume e thelle, shume domethenese, shume motivuese dhe frymezuese!!!! Te lumte Fation Nikolla!!!! Ti gjithmone arrin te na mallengjesh e te na emocionosh pamase sa here lexojme shkrimet dhe esete e tua !!!!! Faleminderit per gjerat e bukura qe na dhuron!!!! E meriton te vleresohesh !!!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.