Rreth xhihadizmit ballkanik dhe marrëzive të tjera

Postuar në 08 Janar, 2016 14:38
Matteo Zola

Mahnitja dorëlëshuar e medieve kombëtare [italiane] nga Ballkani nuk është risi, ajo kthehet herë pas herë si sëmundje, kur nevojitet shitja e ndonjë kopjeje më shumë duke përhapur pak panik. Por në javën e fundit jemi gjendur përballë një zjarri goditës në breshëri. Një seri artikujsh të njëpasnjëshëm, me të njëjtën gjuhë dhe sipërfaqësi, propozojnë si klone të njëjtin imazh të frikshëm të një Ballkani mëllë të qelbëzuar, i gatshëm të shpërthejë me dhunë të kalbëzuar barrën e tij me fytprerësish islamikë, imam fundamentalistë, radhë terroristësh gati për t’u hedhur në erë në qytetet tona.
Çdo gjë fillon me Zbulohet një atentat në Sarajevë. Prokurori: “Parashikonin të vrisnin 100 veta” (La Repubblica, 26 dhjetor) ku raportohet lajmi i arrestimit të 11 personave në Sarajeve të akuzuar për organizim të një atentati jashtë vendit. Anashkalohet shpjegimi që prokurori urdhërues i arrestimit, Dubravko Čampara, akoma nuk ka dhënë prova – nuk gjendet eksplozivi, nuk arrihet të rindërtohet niveli organizativ i të dyshuarve. As nuk thuhet se Čampara është figurë që kërkon kujdes, sepse është vëlla me Ajloša Čampara-n, ministër i brendshëm i Federatës së Bosnjë Hercegovinës, dhe djali i Avdo-s, krahu i djathtë i Alija Izetbegović-it gjatë luftës. Po flasim për një familje të rëndësishme, me interesa specifike në administrimin e pushtetit dhe kundërshtarëve të ndryshëm politikë, mes të cilëve pronari i medieve Fahrudin Radončić, lider i një partie rivale dhe i përfshirë në një hetim delikat mbi narkotrafikun. Nën dritën e këtyre fakteve, “atentati i 100 të vdekurve” duhet trajtuar me kujdes e maturi, pa rënë në grackën e alarmimit.
Por maturia është e huaj kudo. Kështu lexojmë Fshatrat e sheriatit në dyert e Italisë (dhe në zemër të Europës) (Corriere della Sera, 28 dhjetor), ku autori shkon në fshatin e vogël të Velika Kladuša, i cili qenka qendra e rekrutimit të Husein Bosnić-it, imam selefist i njohur që herët prej autoriteteve boshnjake, dhe flet për një «Bosnje që duket si fuçi e heshtur baruti», ku «bashkëjetesa e mëparshme paqësore është shndërruar në tension». I zakonshmi stereotip “Ballkani fuçi baruti”, tashmë pas vitesh studime e publikime të specializuara, bëhet praktikisht i pakuptueshëm, për të mos thënë produkt i injorancës së thellë të ngjarjeve politike e sociale në Ballkan.
Prania e një grupthi islamistësh radiale nuk është për t’u nënvlerësuar, por institucionet kombëtare boshnjake, shtetërore e fetare, kanë treguar se zotërojnë mjetet e nevojshme për administrimin e situatës. Nga fundi i luftërave jugosllave e deri sot nuk janë regjistruar kurrë sulme të llojit islamik, përveç dy aksioneve të izoluara dhe pa pasoja. Ajo që nuk pranohet, sepse është e pavërtetë, është të konsideruarit e Bosnjës një vatër e rekrutimit të terroristëve të gatshëm për të na sulmuar. Nuk është e vërtetë sepse popullsia myslimane e Bosnjës është gjerësisht e shekullarizuar, e hapur e toleruese, dhe mjafton një udhëtim fundjavor për ta perceptuar. Nuk është e vërtetë sepse grupet selefiste janë të njohura prej autoriteteve, që i kanë nën kontroll. Vetë myslimanët e Bosnjës janë argjinatura e ekstremizmit, i cili, duhet nënvizuar, është i të gjitha feve.
Le të vazhdojmë me listën. Është radha e Ballkani, ëndrra e sëmurë e një Kalifati (Avvenire, 31 dhjetor). Në këtë artikull ndiqet «përshkallëzimi» (siç shkruhet aty) i xhiahdizmit ballkanik, dhe për ta realizuar këtë intervistohet Vladislav Sotirović, profesor në Lituani, ultra-nacionalist serb, që lehtësisht mund të ketë një pikëpamje jo të ekuilibruar mbi islamin boshnjak. Është edhe një çështje më e imët, e cila mund t’i rrëshqasë lexuesit më pak syhapët: vazhdimi i shenjimit të rrezikut për stabilitetin europian te myslimanët ballkanas do të thotë t’i japësh të drejtë qartësisht nacionalistëve serbë, të cilët pikërisht mbi këto argumente bazonin veprimin e tyre shfarosës, gjenocidin dhe spastrimin etnik të myslimanëve të Bosnjës dhe shqiptarëve të Kosovës. Do të thotë, në thelb, mbështetje e pozicioneve të një kasapi si Ratko Mladić, duke arsyetuar saktësisht si xhelati i Srebrenicës. Filo-serbizmi italian, shumë i fortë gjatë luftërave jugosllave dhe i ratifikuar nga pozicioni në favor të Milošević-it nga ministri i atëhershëm De Michelis, mbetet i maskuar, me gjithë evidencat historike, dhe del në sipërfaqe, me zgjatime karstike, kur paraqitet rasti më i volitshëm për të diskredituar “armiqtë” e atëhershëm.
Pas Bosnjës, objektivi zhvendoset në Shqipëri e Kosovë: Xhihad, harta e dëbimeve shpie në Shqipëri dhe në Ballkan (La Stampa, 2 janar), ku faqja e brendshme shkruan «Pas Libisë, rreziku ballkanik», e shoqëruar me një foto që, mjerisht, ngatërron Malin e Zi me Kosovën. Një gabim ky që mund të duket si pakujdesi, por që në fakt tregon aftësi të mangëta në raportimin me këtë rajon. Problemi nuk është se flitet – ndonëse me theks te sensacioni – rreth çështjeve reale, si p.sh ekstremizmi fetar, por sepse flitet për Ballkanin gjithmonë e vetëm në atë mënyrë. Sikur gazetat italiane të merreshin vazhdimisht me politikën ballkanike dhe të publikonin analiza të peshuara rreth islamit boshnjak a shqiptar, atëherë artikuj si ata për të cilët po debatojmë do të ishin të lavdërueshëm. Por duke qenë të vetmit të shfaqur rreth temës, atëherë bëhen të kritikueshëm dhe anashkalimet e gabimet që bartin, nga të fajshme, bëhen të qëllimshme.
Të citojmë sërish, Propagandë e rekrutime, Shqipëria udhëkryq i xhihadistëve (La Stampa, 2 janar). Vëmë në dukje se si artikulli është shkruar nga Washingtoni, i cili, siç dihet, nuk është në Ballkan. Dhe akoma, në faqe të parë: Mes predikuesve shqiptarë, “të pafe, do t’ju vrasim” (La Stampa, 3 janar). Interesant pastaj artikulli: Imami shqiptar që rekruton për Isis-in: “Kurani dënon jobesimtarët” (Po aty), i shkruar nga Mordechai Kedar, izraelit konservator, profesor letërsie arabe dhe ish-konsulent i ushtrisë izraelite, kundërshtar i krijimit te shtetit palestinez, pra, jo saktësisht një person nga më të paanshmit rreth çështjeve të islamit dhe, mbi të gjitha, ekspert i çështjeve arabe e jo ballkanike. Po, sepse islami ballkanik është me origjinë osmane, pra turke e jo arabe. Konvertimi i sllavëve në islam është çështje e debatueshme, por megjithatë mbetet opinion i gjerë se nuk qe imponuar me forcë, siç, në të kundërt, thekson La Stampa. Përcjellja e idesë së një islami ballkanik gjithmonë të dhunshëm dhe të huaj për Europën funksionon sot për retorikët e antiterrorizmit, që, duke parë më thellë, mbjellin terror mbase më shumë se vetë fundamentalistët.
Stereotipat mbi Ballkanin nuk janë risi. Në thertoren moderne të industrisë së informacionit, famëkeqja ‘fuçi baruti’ është bërë teatër barbarish atavike, egërsie të padëgjuar, territor i një bukurie të hidhur dhe dashurie patetike, përzierje ekzotike për orientalizmin tonë të stazhionuar, i moçëm dhe në kalbëzim si kapaciteti ynë i të parit të botës. Shtypi kombëtar [italian], gjithmonë e më shpesh teatër i shkujdesjes, injorancës dhe interesave të njëanshme, kryen përsosurisht detyrën e tij ngushëlluese, duke na dhënë të lexojmë atë çka presim. Dhe kështu Ballkani kthehet në faqet e kronikës përherë për të njëjtat arsye joshëse, më konkretisht dhuna primitive, paqëndrueshmëria e vazhdueshme e një rajoni ‘fuçi baruti’ – ky është termi më në modë së fundmi – terroresh të rrezikshme.
Denduria dhe metodika e këtyre lloj artikujsh ngre pyetje mbi arsyet për të cilat shkruhen. Përse pikërisht tani dhe përse ky alarmim? Përshtypja është se ka rënë nga lart ndonjë letër dhe se gazetat i janë përshtatur siç kanë mundur, duke improvizuar artikuj jo me qëllimin për të folur rreth Ballkanit se sa rreth të huajit në shtëpinë tonë, në një klimë në rritje anti-islamike dhe frike nga e ndryshmja. Ballkani shndërrohet kështu në një mjet aksionesh politike tërësisht tonat.

"Postbllok.com"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.