Sekret/Manual për Protestën

Postuar në 09 Dhjetor, 2015 04:15

Sekret

Nr. Extra Prot

Drejtuar: Kryeministrit

Për dijeni: LSI-së

 

Draft/Manual për Protestën

Në dritën e zhvillimeve të fundit, problemeve të rendit publik me të cilat është përballur policia, raportimeve të ndryshme për frikën e përhapur te qytetarët nga dhuna në  bulevard, si dhe praktikat më të mira tonat dhe ato ndërkombëtare për kësi situatash, po ju dërgojmë për miratim materialin me titull: Manuali i Protestuesit.

Materiali është një guidë që ka si premisë parimin: Qytetari, sensibilizim, paralajmërim, parandalim.

***

Protesta është një gjendje shumë e paqëndrueshme, e paparashikueshme, jo rrallë me akte dhune të pakontrolluar, ardhur si pasojë e tubimeve, të ligjshme ose jo, të një grupi njerëzish që shpallin një kauzë apo një qëllim konkret. Nuk është detyra e policisë që të konsiderojë në punën e saj aspektin politik, por vetëm atë ligjor. Në këtë kuptim, rrjedhin edhe detyrimet për mbajtjen e rendit, kufizimin e bërthamës që gjeneron dhunë, përhapjen e saj dhe në finale, dominimin e hapësirave publike nga dhuna dhe paniku. Duke qenë se forca dhe përdorimi i saj, si mjet i domosdoshëm, provohet si e pamjaftueshme për të kufizuar, në mos neutralizuar gjenerimin e dhunës ndaj institucioneve, lind nevoja e alternimit të saj me mjete të tjera. Ligji “Për Policinë e Shtetit” saktëson qartë se cilat janë detyrat e policisë, ndaj është detyra e PSH-së, që të adoptojë mjetet dhe rrugët për mbajtjen e rendit publik.

***

Disa prej masave që propozohen:

Ø  Policia dhe institucionet duhet të bashëpunojnë për t’u informuar mbi shtresën sociale të shumicës së protestuesve dhe sidomos protagonistëve të saj.

Ø  Të ndiqet me vëmendje lëvizja e tyre dhe të verifikohet mundësia e neutralizimit me material shtrëngues.

Ø  Një rëndësi jo të vogël ka përdorimi në sasi dhe në pozicione kyçe i mjeteve diversive.

Ø  Shembull: Ka një irritim jo të vogël për ndonjë masë të qeverisë, si p.sh penalizimi i urinimit në publik. Shtimi i banjove ambulante në itinerarin e protestuesve do të sillte me shumë gjasë shkatërrimin e tyre, si reagim instinktiv ndaj një hapësire që identifikohet me objektivin(kupto qeverinë në këtë rast, ose karrocerinë e saj, Bashkinë).

Ø  Shpërqendrimi e ul kohezionin emocional dhe fizik të protestuesve, ndaj paralel me këtë përdorim, e udhës është që të shtohen posterat e përfaqësuesve të cilët konsiderohen si shënjestra e protestuesve. Kjo përpara se masa e protestuesve të arrijë fazën finale të kompaktësimit që është edhe hapësira e paracaktuar e konsumimit të protestës.

Ilustrim: Në kushtet e tanishme posteri i Ilir Metës apo Erjon Veliajt bëjnë shumë punë.

Ø  Duhet që nga skaji fillestar i koagulimit të masës së protestuesve e deri në hapësirën kryesore të mos bëhen të dukshme masat policore. Mirë është që “jeta të rrjedhë normalisht”. Madje duhet që të qëndrojnë në kryqëzime apo semaforë vetëm policë rrugorë që të vetëm, të kërkojnë zbatimin e rregullave të qarkullimit. Kjo mund të provokojë incidente, por në kushtet kur prezenca policore nuk perceptohet se është aty për të frenuar protestën, çdo akt dhune apo kundërvënieje, do të shoqërohet me autokufizimin, sa kohë “rreziku” nuk ekziston. Kjo e fragmentarizon kohën e lëvizjes dhe ul dëshirën për dhunë.

Ø  Një masë e rëndësishme është ndryshimi i raportit viziv me forcat e policisë. Dihet se policët me veshjen e gjendjes së emergjencës, me skafandra e irriton turmën dhe e përgatit atë. Ndaj ne sugjerojmë që në akset qendrore, në disa pika të stacionohen police të veshura me minifunde ose me streçe. Mund të merret me mend efekti çorientues i kësaj prezence.

Ø  Defaktorizimi psikologjik i dhunës. Krahas masave të mësipërme, me afrimin e masës së protestuesve drejt pikës finale, është e udhës që të krijohet edhe një moment tjetër pështjellimi psikologjik që e ul disponibilitetin për dhunë. Kjo arrihet duke stacionuar forca policore që perceptohen si solidarë me protestën apo indiferente: p.sh duke pirë raki dhe duke ngrënë djathtë bashkë me këmishat zbërthyer(Siç mund të merret me mend kjo arrihet fare natyrshëm), ose me policë që mbajnë në duar revista pornografike apo edhe lexojnë gazeta opozitare.  

Efektin e këtyre masave do të duhet ta studiojë dhe vëzhgojë një ekip drejtuesish të policisë, të cilët mandej do të marrin edhe vendimet në vazhdim. Sugjerojmë që edhe teknologjia të shfrytëzohet. Përhapja në masë e smartphone lejon që materiale video etj., të bëhen të shikueshme nga një masë e madhe njerëzish në të njëjtën kohë. Mundet që me afrimin e masës së protestuese të postohen në profile popullore të rrjeteve sociale, të videove nga SHBA, ku paraqitet policia që qëllon mbi shkelësit e ligjit. Dihet se sistemi njoftues(notification) do të bënte prezent idenë e një policie “demokratike” por që të likujdon. Për aq sa mund të parashikojmë është një masë që do konsideruar.

Sa i përket punës informative ajo ka vlerë të madhe. Brenda turmës duhen të jenë prezentë njerëz që të përhapin informacione të caktuara si p.sh se të burgosur të njohur janë mes forcave të policsë. Se qenia e tyre e bën të mundshme hapjen e zjarrit neutralizues, duke e tendosur kështu vendimmarrjen e drejtuesve të protestës.

Shënim: Një kopje e ndryshuar do t’i dërgohet edhe Presidentit dhe kreut të SHISH. Jemi gati të ngremë një grup të zgjedhur policor për trajnimin përkatës.

 

Përpiluesi: Shahit Vareja

***

PS: Ky material mbërriti në redaksi në rrugë informale nga një seli diplomatike në Tiranë, të cilës i shprehim falënderimin.

 

Shaptilografisti

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.