A duhet paguar më për këtë shtet? Një moment kriminal i ligjit të pensioneve

Postuar në 25 Tetor, 2015 13:26

Shumë propagandë u bë për ligjin e ri të pensioneve. U tha se do të marrin të gjithë në funksion të kontributit, ndonëse për çdo vit që kalon shtohet me një muaj kriteri i vjetërsisë. Por kjo e pensioneve ka probleme shumë serioze, të tilla që e vënë qytetarin në raporte poshtëruese me shtetin. Ja një rast që ka përcjellë Avokati i Popullit e që ka rëndësi sepse adreson një parim shumë domethënës, atë të sigurisë juridike: “Pranë Institucionit të Avokatit të Popullit, shtetasja R.M, banuese në qytetin e Tiranës, ka paraqitur ankesë lidhur me mosdhënien e së drejtës për të përfituar pension familjar. Sipas shpjegimeve të parashtruara në ankesë, bashkëshorti i saj ka ndërruar jetë më datë 24.01.2015, duke i lënë në ngarkim dy fëmijë. Ka paraqitur kërkesë pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore Tiranë për të përfituar pension familjar, por ka marrë përgjigje se nuk mund të përfitojë këtë pension, pasi nuk plotësohet kushti i vjetërsisë së punës. Kjo për arsye se bashkëshorti i saj i ndjerë ka ndërprerë marrëdhëniet e punës në vitin 2000 dhe nuk ka qenë i siguruar në 5-vjeçarin e fundit të paktën 12 muaj. Ankuesja këtë e quan shkelje të të drejtave të njeriut, pasi bashkëshorti i saj ka punuar prej 21 vitesh dhe kjo punë e bërë nuk i njihet, vetëm për faktin se nuk ka qenë në marrëdhënie pune për pesë vitet e fundit, jo për faj të tij. Duke qenë në moshë pune, atij nuk i është ofruar asnjë vend pune, pavarësisht se ka qenë i regjistruar në zyrën e punësimit si punëkërkues i papunë”. Pra kërkohet vjetërsia, ndërkohë që mohohet e drejta për pune. Avokati i Popullit vijon me rekomandimin e vet drejtuar ministrit Blendi Klosi, sipas të cilit në thelb ndryshimet ligjore të bëra në nenin 41 të ligjit për Sigurimet Shoqërore i mohojnë shtetasve të gjithë vitet e punës, vetëm e vetëm se nuk kanë në bordero të shënuar diçka 5 vitet e fundit. “Sjellim në vëmendjen Tuaj, se kriteri i vjetërsisë së punës, është vendosur me ndryshimet e fundit të bëra në ligjin e sigurimeve shoqërore, si rezultat i reformës në pensione. Në nenin 41, nuk ka qenë i parashikuar ky kriter, mjaftonte që personi të kishte vite pune. Në këtë nen thuhej shprehimisht se: “1.Pensioni familjar është pjesë e pensionit që kishte ose i takonte të ndjerit, dhe jepet në masën..”. Ndërsa në nenin 35, kushtet e përfitimit të pensionit të invaliditetit, ishte përcaktuar se: “... Periudha minimale e sigurimit për pension invaliditeti është sa gjysma e diferencës së moshës së pensionit të siguruar në kohën që bëhet i paaftë dhe moshës 20 vjeç...” Evidentojmë faktin, se problematika e prezantuar më lart,, bie ndesh pikërisht me parimin e sigurisë juridike”, vijon AP.

Disa probleme që i krijon vetë shteti

Kjo që referon Avokati i Popullit është një pikë në oqean. Kur vjen puna te e drejta për të fituar pension, Sigurimet Shoqërore kanë një mënyrë të vepruari origjinale: dokumentet, që mungojnë përherë, duhet t’i plotësojë personi që përfiton. P.sh shumëkujt i mungojnë në dosje 5 vite punë dhe këto do të duhet që Ai t’i provojë se i ka të shënuara. Pra ndonëse qytetari ka paguar gjithë jetën kontribute që në fund të jenë institucionet ato që përpunojnë dosjen e tij të pensionit, sërish, merr udhët e shkon nga një vend në tjetrin për të nxjerrë vërtetime. Ka edhe raste absurde. P.sh dikur, në dosjen e personelit shënohej për të punësuarin edhe historiku i punësimit të tij, jo vetëm vendi i punës momental. Mirëpo këtë vërtetim Sigurimet Shoqërore nuk e njohin si të mirëqenë duke kërkuar vërtetime të posaçme nga vendet e punës që kanë derivuar nga vendet e punës origjinale. Mundet që ky të jetë një problem i punonjësve të caktuar, por ai mbetet serioz.

Një problem tjetër shumë i madh është përllogaritja e viteve të punës e mandej pensionit. Deri në vitin 1996 viti i punës llogaritej me 312 ditë, kurse pas këtij viti me 264. Në thelb ligji i pensioneve flet për vite kalendarike pune dhe i ikën këtij ndyrshimi që është themelor. Pasi nëse me ligjin e ri penalizohen njerëzit pse nuk kanë punuar 5 vitet e fundit, le të përllogaritet se për 5 vite kalendarike që i nxirren si sebep sot, një shtetas që ka shkëputur marrëdhëniet në vitin 1996, ka 240 ditë pune më shumë se dikush që ka dalë para këtij viti. E sërish nuk përfiton. Parimi i sigurisë juridike duhet të rregullojë njohjen e kontributit pavarësisht se kur është bërë. Pse ka vlerë ky dallim? Sepse para vitit ’90, llogaritej ligjërisht se për persona që punonin turn i dytë, njihej si kontribut njësia 1.2 ditë pune, kurse për ata që ishin turn i tretë, pra për vështirësi të tilla, kontributi njësohej me 1.6 ditë pune. Pra ligji flet për vite kalendarike pune, ndërkohë që vlerësimi real do të duhej të bëhej për ditë pune efektive. Ky moment kërkon një zgjidhje ligjore, që me sa duket nuk bëhet pasi është e thjeshtë: shteti mezi po pret t’i heqë qafe ata që punuan para ’90-ës.

Problemi i ushtarakëve është më grotesku. Para vitit 2013, u ndërhy dhe u bë një ulje në pensionin e ish-ushtarakëve. U fitua procesi në Gjykatë Kushtetuese nga shoqatat e ish-ushtarakëve, por Sigurimet Shoqërore nuk zbatonin vendimin e Gjykatës. Ka patur raste të gjyqeve indidviduale që janë fituar e sërish vendimi nuk është zbatuar. Kjo është kronika e dredhisë së shtetit shqiptar ndaj shtetasve të vet, dredhi e cila as që mund të mendohet në vende të tjera ku shumë shqiptarë përfitojnë pension. Referimi i Avokatit të Popullit për dispozitën e ligjit të ri ngre një problematikë serioze, që vjen në shkelje të të drejtave të njeriut, që kërkon të pakësojë bazën e përfituesve duke mohuar punën dhe kontributin. E kur ky Parlament miraton një ligj të tillë, çfarë vlerë ka të flasësh për dekriminalizm? A ja vlen që të paguash më për këtë shtet që pasi të merr lekët të shet e të thotë nuk më ke dhënë gjë?

Comments

Submitted by Plaku Xhuxhumaku (not verified) on

E cfare te thuash tjeter, veçse shtet muti.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.