Merita është e këtij njeriu

Postuar në 12 Tetor, 2015 11:52

Shqipëria nuk do të ishte në finalet e europianit, Francë 2016 nëse në pankinën e kombëtares nuk do të ishte Xhani De Biazi. Italiani besoi që në fillim se ekipi mund t'ia dalë të kualifikohet në një kompeticion të madh mjafton që në fushë të mos luanim vetëm me zemër, por edhe me tru siç ai vetë e ka përsëritur disa herë. Sepse për të luajtur futboll nuk mjaftojnë vetëm muskujt, dëshira dhe talenti, por mbi të gjitha inteligjenca. Dhe ajo që De Biazi injektoi tek ekipi i tij ishte disiplina taktike për të marrë maksimumin e rezultatit duke shfrytëzuar potencialin e grupit. Ishim mësuar me një kombëtare që funksiononte me individualitete, si Skela, Tare apo Lala, por që nuk u ngrit kurrë në nivelin e një grupi profesionist që edhe vetë të besonte në kualifikimin në një kompeticion të madh. Dhe ajo që ndryshon nga kombëtaret e mëparshme është se De Biazi i dha kësaj përfaqësuese mentalitetin e fituesit dhe besimin se me zgjuarsi mund të fitohet ndaj çdo kundërshtari, sado yje të këtë ai ekip. Në fushë janë gjithmonë 11 përballë 11 dhe ajo që bën dallimin është inteligjenca e ndërthurur me përgatitjen dhe mentalitetin fitues. Djemtë e kombëtares janë një grup që më së shumti përbëhet nga futbollistë të bërë jashtë dhe kjo e ka ndihmuar të çlirohet nga ngërçi i një kompleksi që e ka shoqëruar në vite Shqipërinë si përfaqësuese e një vendi të vogël që pavarësisht lojës së bukur gjithmonë humbet në fund. Fitorja në Portugali apo barazimi në Danimarkë ishin dy nga ndeshjet më të mira të kombëtares shqiptare në këtë kompeticion dhe çelësi që na çoi në europian. Për këtë mendoi ai, Xhani De Biazi. Në Portugali priti momentin dhe rrëmbeu me zgjuarsi fitoren e startit, ndërsa në Danimarkë zbriti në fushë një ekip agresiv që befasoi Morten Olsenin dhe që praktikisht nuk i la danezët të shkëputeshin. De Biazi nuk shftytëzoi vetëm lojtarët që kishte në dispozicion, por edhe dobësitë e kundërshtarit. Ai fitoi jo vetëm me ekipin që ndërtoi, por edhe ndaj trajnerëve që kishte përballë. Të kujtojmë që dy nga trajnerët e përfaqësueseve që kishim në grup lanë stolin pas ndeshjeve me Shqipërinë, Dik Advokat i Serbisë dhe Bernard Challandes i Armënisë. Ndaj dhe Shqipëria mund të arrinte në një sukese të tillë vetëm me një mësues që vjen nga një shkollë futbolli si ajo italiane, serioz dhe i përkushtuar në punën që bën. Trajnerët shqiptarë janë ende shumë larg këtij mentaliteti dhe duhet të vazhdojnë të mbajnë shënime sepse vetëm përfitime mund të kenë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.