Majko flet për ilaçet dhe karburantet: Po bëhet nami me kontrabandë
Ishkryeministri, Pandeli Majko, ka deklaruar dje gjatë mbledhjes së Komisionit të Ligjeve se në Shqipëri po bëhet nami me kontrabandën e ilaçeve dhe të naftës. “Panorama” raporton se Majko në fjalën e tij ka sulmuar indirekt institucionet doganore dhe tatimore, duke thënë se po lejojnë futjen në vendin tonë të barnave kontrabandë, dhe se ndryshimet synojnë që t’i fusin në burg abuzuesit.
Ai ka folur me gjuhë të ashpër dhe për doganierët, të cilët i ka quajtur si horra që bëjnë pelivanllëqe, dhe në rast se nuk burgosen, janë të aftë që të paguajnë dhe gjyqtarët. Deputeti i PS-së tha më tej se kontrabandistët nuk janë qytetarë dhe se ndryshimet në Kodin Penal nuk prekin bizneset e ndershme.
Deputeti i PS-së tha më tej se nami po bëhet dhe me cilësinë e naftës, për të cilën po ankohen të gjithë shoferët në Shqipëri. Sipas tij, ndryshimet në ligj parashikojnë që të dënohen personat që tregtojnë naftë jashtë cilësisë.
Add new comment