Rrëfehet Cani, shikon vetëm suksese dhe i beson FMN-së

Postuar në 13 Shtator, 2015 22:06

Ministri i Financave është i bindur se bashkë me qeverinë kanë ardhur me një mission, të bëjnë shtet dhe këtë thotë se në një fare mënyrë ia kanë arritur falë traditës dhe suksesit në disa reforma kyçe, si ekonomi, shëndetësi, energjetikë e ndarjen administrative. Në një intervistë për Shqiptarja. com ai thotë se qeveria nuk ka dështuar në asnjë nga politikat e saj. “Nuk ka dështime në asnjë nga reformat e ndërmarra. Tashmë suksesi i reformës në energji, në reformën administrative-territoriale, në shëndetësi, etj. janë evidente”-thekson ministri.

Aksionin kundër informalitetit dhe evazionit Cani e quan reformë që sipas tij do të përmirësojë sistemin e administrimit fiskal për të arritur qëllimin final të mazhorancës dhe kryeministrit, të bërit shtet. “Nuk bëhet fjalë për fushatë apo për aksion, bëhet fjalë për një reformë në luftën kundër informalitetit, e cila ka brenda rregullime ligjore, operacione në terren, aktivitete edukuese, trajnim të punonjësve dhe vetë biznesit, përsosje të teknologjisë etj. Si të gjitha reformat e tjera, edhe kjo reformë është pjesë e programit qeverisës për të bërë shtet, për të vendosur rregull në ekonomi, për të siguruar konkurrencë të ndershme, për të hapur mundësi dhe hapësira të reja zhvillimi, për t’i ardhur në ndihmë biznesit të ndershëm”-shton ministri I Financave.

Cani thotë se dëshiron  që të mos ketë rritje taksash në vitin 2016, por lë të nënkuptohet se këtë e vendos FMN-ja, në varësi të përmbushjes së detyrimeve nga qeveria. “Nuk do ketë ndryshime të dukshme në sistemin aktual fiskal shqiptar. Për sa kohë që kemi besimin në ruajtjen e qëndrueshmërisë makroekonomike dhe prirjes rënëse të borxhit publik, mendojmë se do të gjejmë edhe dakordësinë me FMN për politikat e ndjekura”

Ministri është pyetur edhe si deputet i Dibrës për emigracionin nga zona e tij elektorale duke dhënë këtë përgjigje “Emigracioni është një fenomen i hershëm për zonën e Dibrës (fenomen i zgjeruar, madje, edhe për Dibrën që ndodhet përtej kufirit me Maqedoninë). Destinacioni i preferuar ka qenë, jo vetëm Evropa veri-perëndimore, por edhe përtej Atlantikut. Është fakt se në këto zona, kaq të pasura me pasuri natyrore, të ardhurat mesatare janë të ulta. Do ta shikoja perspektivën e rajonit sidomos në dy drejtime: pasuritë minerare dhe prodhimet bujqësore”-përfundon Cani

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.