Ia ngeci Shqipërisë, por tani PD flet ndryshe: “Marrëveshjea konçesionare me “Rapiscan”, do të sjellë rritje çmimesh”
Në Shqipëri bën vaki çdo gjë. Një nga këto gjëra që pak priten është kritika e sotme e gazetës zyrtare të Partisë Demokratike ndaj marrëveshjes konçesionare për skanimin në dogana, fituar nga kompania “Rapiscan”. Në një shkrim të vetin për rritjen sërish të çmimeve të hidrokarbureve, “RD” e arsyeton këtë pikërisht me kostot që sjell aktivizimi i marrëveshjes konçesionare me “Rapiscan”, që tarifom për çdo deklaratë me 22 euro. “Edhe pse qeveria pretendon se çmimi i naftës do të fillojë të bjerë, duke filluar nga muaji i ardhshëm, krejt të kundërtën thonë shoqatat e hidrokarbureve. Arsyet janë bërë me dije nga Shoqata e Hidrokarbureve, e cila ka theksuar se, nëse tarifa e skanimit në dogana do të aplikohet për çdo deklaratë doganore, rritja e mëtejshme e çmimeve të karburanteve do të jetë e pashmangshme”, shkruan “RD”(lexo këtu). Më poshtë vjen pjesa më e bukur: “Paralajmërimi i opozitës, e cila kontestoi marrëveshjen e paraqitur në seancë plenare nga qeveria për koncesionin e skanimit në dogana do të vërtetohet në fund të tetorit kur dhe nis të zbatohet. Kjo pasi, miratimi në Parlament i marrëveshjes për koncesionin e skanimit në dogana ka ngjallur jo pak debate tek zëri i bizneseve që pritet të preken nga kjo marrëveshje, që pritet të nisë nga zbatimi në tetor të këtij viti. Ata e konsiderojnë të palogjikshme tarifën prej 22 eurosh për çdo deklaratë doganore mbi 1000 euro dhe 5 euro për çdo deklaratë doganore nën 1000 euro...Porti i Durrësit, për shkak të kësaj tarife që nuk ekziston në asnjë vend tjetër, do të shmanget nga biznese që përdorin Shqipërinë për transit. Më e rënda është se bizneset do të paguajnë për një shërbim që nuk u ofrohet. Skanimi shërbehet vetëm për kamionët e mallrave dhe konteinerët, por jo për importet me vlera më të ulëta dhe me mjete të tjera. Por Ministria e Financave është justifikuar me faktin se, nuk ka asnjë rrezik për të humbur përfundimisht konkurrueshmërinë e kompanive shqiptare, të cilat do të paguajnë gjysmën e tarifës, krahasuar me atë që parashikohej në kontratën e parë”. Është shumë e çuditshme sesi kjo përllogaritje bëhet tani nga PD-ja. Pasi është qeverisja e saj, pavarësisht se kush qëndron pas marrëveshjes, që ia ngeci në derë Shqipërisë atë. Tarifa e parë ka qenë 39 euro, aktualisht është 22 euro dhe marrëveshja e parë u firmos më 16 shtator 2013. Kalimi i aksioneve është bërë për 490 lekë dhe për këtë asnjë nga palët nuk e ngre zërin(këtu një shkrim i zgjeruar për këtë çështje).
Add new comment