Tri pyetje për Gërdecin, strehimin dhe 21 janarin...
Mungesa e koherencës në qëndrime është “virtyt” i politikës kur kalon nga opozita në qeverisje, por në rastin e kryeministri Rama hendeku është i stërmadh. Avokati Dorian Matlija, aktivist i njohur për të drejtat e njeriut dhe përfaqësuesi ligjor i familjarëve të viktimave të Gërdecit i ka bërë sot tre pyetje Kryeministrit Edi Rama, ku spikat pikërisht ky hendek. Ja tre pyetjet:
Përshëndetje. Jam avokat, përfaqësues i familjeve të viktimave të Gërdecit, 21 janarit, si dhe qiramarrësve të nxjerrë me forcë nga banesat e kthyera pronarëve. Kam tre pyetje në lidhje me secilën nga këto çështje delikate.
Pyetje 1: Në përgjigjen e dërguar Gjykates së Strasburgut për çështjen që kanë hapur atje familjarët e viktimave të Gërdecit, qeveria ka mbajtur qëndrimin se shteti nuk ka asnjë përgjegjësi dhe se zyrtaret e Ministrise së Mbrojtjes, përfshirë këtu edhe ministrin e asaj kohe, kanë vepruar me përkushtim për të siguruar mbarëvajtjen e procesit. A nuk duket se ky qëndrim është diametralisht kundër qëndrimit tuaj politik se Gërdeci ishte një krim shtetëror?
Nuk i besoni me këtij versioni, apo keni ndryshuar qëndrimin për arsye taktike që familjarët e viktimave të mos përfitojne asnjë dëmshpërblim? Ju kujtoj këtu se këtë qëndrim Ministria e Mbrojtjes dhe ndërmarrja MEICO po e mban edhe në gjykatat shqiptare, megjithëse gjykatat deri tani u kanë dhënë të drejtë familjarëve dhe jo juve.
Pyetje 2: Në një intervistë televizive me gazetaren Rudina Xhunga, pas dates 21 janar 2015, jeni shprehur se nuk ka pasur asnjë bisedim me familjaret e viktimave të 21 janarit dhe kryeministrisë për të akorduar dëmshpërblimet. Madje jeni shprehur se dhenia e dëmshpërblimeve nga qeveria është idiotësi sepse ato i jep gjykata. Pavarësisht diskutimit a është idiotësi kjo gjë apo jo dhe faktit që kështu vepron e gjithë bota, si dhe kështu ka kërkuar edhe OKB me shkresë zyrtare, ajo që merr rëndësi këtu është fakti që me 30.07.2014 keni nënshkruar një urdhër për të ngritur grupin e punës për të llogaritur dëmshpërblimet për familjarët e viktimave të 21 janarit. Madje në urdhër thuhet se nga do merren fondet, si do bëhen llogaritjet, si do të përfshihet në këtë vendimmarrje mendimi i vetë familjarëve etj.
Pse e mohuat me pas këte fakt?
Pse e cilësuat idiotësi, kur e keni nënshkruar vetë?
Pyetje 3: Në opozitë keni mbajtur qëndrimin që dëbimi i mijëra familjeve që jetonin në shtëpitë e kthyera pronarëve ishte i gabuar. Për korrektesë qëndrimi nuk konsistonte në mosrespektimin e të drejtës së pronësisë së ish pronareve, por në mosrepektimin e të drejtës së strehimit të familjeve të dëbuara. Madje në Kuvend dhe kudo tjetër, zyrtarë të partisë suaj mbajtën qëndrimin se akti normativ për dëbimin e qiramarrësve ishte i gabuar dhe në shkelje të të drejtave të njeriut. Ndërsa sot, Gjykates së Strasburgut qeveria juaj i është përgjigjur se akti normativ është i drejtë dhe se nuk ka asnjë shkelje.
Nuk besoni më te varianti që keni mbrojtur në opozite, aq sa u bë edhe pjesë e programit tuaj elektoral?
A eshte ky një reflektim ndaj një qendrimi të meparshëm të gabuar, apo bëhet për arsye taktike që 3200 familje të mos përfitojnë dëmshpërblime dhe banesa, për të mos rënduar buxhetin e shtetit?
Duket se për të gjitha sa më sipër qëndrimi juaj është transformuar tërësisht në drejtimin e kundërt. Ose më saktë, në një drejtim të kundërt me njëri-tjetrin qëndrojne varianti që beni publik në media dhe varianti zyrtar që u paraqisni gjykatave. A ka ndonjë mundësi që të dimë përfundimisht se cili është varianti që mbroni dhe të unifikohet qëndrimi duke ja bërë të qartë edhe familjeve të dëmtuara, edhe gjyqtareve? Faleminderit për mirëkuptimin.
Add new comment