Pakënaqësi ndaj Gjermanisë për raketat Taurus

Postuar në 10 Prill, 2024 10:36

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, kritikoi ashpër kancelarin gjerman Olaf Scholz, i cili ka refuzuar t’i dërgojë Kievit raketat Taurus të prodhimit gjerman. Zelenskyy sugjeroi se ngurrimi i Scholz tregon se ai dëshiron t’i mbajë armët për të mbrojtur Berlinin kundër një kërcënimi nga Rusia.

“Me sa kuptoj unë, kancelari beson se, duke qenë se është përfaqësues i një shteti jo bërthamor, kjo është arma e vetme që ka Gjermania, është më e fuqishmja”, tha Zelenskyy në një intervistë me Axel Springer, kompania mëmë e POLITICO.

Qeveria gjermane, megjithatë, i paraqet publikut të saj një logjikë krejt tjetër për mos dërgimin e armëve. Scholz ka refuzuar të dërgojë raketa Taurus në Ukrainë, duke thënë në deklaratat publike se një veprim i tillë mund të çojë në një përshkallëzim të luftës dhe madje mund ta fusë Gjermaninë në konflikt të drejtpërdrejtë me Rusinë.

Ukrainasit duan që raketat gjermane Taurus, të cilat kanë një rreze veprimi prej rreth 500 kilometrash dhe një kokë të fuqishme, të godasin objektiva thellë prapa vijës së frontit, siç është Ura e Kerçit që lidh Rusinë dhe Krimenë e pushtuar.

Megjithatë, komentet e Zelenskyy - nëse Scholz është kuptuar plotësisht - sugjerojnë se ka një motivim që kancelari nuk e ka thënë publikisht - ose të paktën një shpjegim që Scholz mund të jetë ndier më komod t’ia japë Zelenskyyt: se Berlinit i duhen armët për të penguar presidentin rus Vladimir Putin të sulmojë Gjermaninë.

Zelenskyy tha se Scholz i sheh raketat Taurus si një parandalues ndaj një sulmi bërthamor, megjithëse sipas tij, ky nuk është shpjegim logjik. "Raketat nuk do të mbrojnë asnjë person nga sulmet bërthamore, nëse shpërthen një luftë bërthamore, Zoti na ruajt."

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.