Një Pis Politik që nuk ia del dot të marrë seriozisht veten

Postuar në 02 Gusht, 2023 14:54

Nuk ka rrugë tjetër për Shqipërinë dhe shqiptarët përveç asaj që dikton pastrimi i politikës nga të gjithë ata që kanë shpërdoruar besimin e qytetarëve, duke i shërbyer interesave korruptive e klienteliste dhe lufta pa kompromis kundër korrupsionit. Paratë që sot shkojnë në xhepat e pushtetarëve dhe llogaritë e oligarkëve do t’i mundësonin çdo qeverie t’u krijojë kushte studentëve të mos largohen e fermerëve subvencione për bujqësinë.

Përballja pa kompromis me korrupsionin, pastrimi i politikës, dhënia fuqi qytetarëve të zgjedhin me votë përfaqësuesit e tyre në Parlament, vota e diasporës janë jetike në rrugën që kemi nisur për çlirimin e politikës dhe ekonomisë

Këto radhë i zografis Lulzim Basha. Sot më 2 gusht 2023. Për atë që ka jetuar në Shqipëri, kjo mund të duket e pabesueshme. Ose normale meqenëse tashmë skandali kap skandalin dhe terma të caktuar kanë dalë nga fjalori.

Zotëria ka në politikë që në vitin 2005. Nuk hyri në bazë të një kontributi, e morën. E futën në shtëpi, në parti dhe në qeveri sepse u duhej. Ishte konvenient në amorfizmin e vet personal dhe politik.

Ministër transportesh me njollën e aferës së rrugës Durrës-Kukës nga e cila shpëtoi me procedurë. Mandej ministër i Brendshëm më 21 janar, më pas kryetar i PD-së sepse kështu donin ata që sot janë bërë si Plaku Merre që mezi mban tespijet dhe tani, tribun i popullit që kërkon të pastrojë politikën.

Sigurisht që në Shqipëri ka përherë një lojë të zgjuar, e cila i shpëton syrit të publikut. Qytetarëve. Edhe ky z. Basha mund të jetë duke luajtur një lojë të tillë: është aty në listë, tani që përfliten gjithfarë lloj skenarësh. Është i dobishëm si kartë për ta luajtur në çfarëdo skenari: ministër, po edhe ndonjë detyrë tjetër. Me vulën e partisë në xhep, me buzëqeshjen e natyrshme kudo, pa komplekse dhe detyrime veç ndaj diellit që e ngroh, ecën ky njeri me hije si gjithë të tjerët, ecën lart e poshtë, bën varavingon e politikës sepse e di që diku do e gjejë një vrimë.

Duke na dëshmuar se degradimi ka mbërritur në pikën që gënjeshtra nuk ka më dëshmitarë, sepse ajo është norma. Për çfarë mund ta konsiderosh zotin Basha sot në skenën publike? Për ide, organizim, aftësi menaxhimi, ndershmëri, integritet, intelekt? Sigurisht për asgjë. Ky është ndër ata njerëz që të kujton dikur të rinj nga provinca që “visheshin” polic në Tiranë për të marrë pashaportizimin e mandej me pushtetin e marrë luanin ustain e gjërave. Edhe ky. Ka marrë pashaportizimin në politikë e tani di të bëjë vetëm një gjë: të prishë punë, të ngatërrojë deri sa të mbetet me votën e vet dhe buzëqeshjen origjinale që e ka mesa duket shenjues karakteri se asgjë nuk i hyn në sy.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.