Saliu gënjen dhe prapë është. Luli është...po qe se do Saliu

Postuar në 16 Tetor, 2022 00:33

Sali Berisha i gënjeu prapë. Gënjeu demokratët e të gjitha llojeve, gjinive, sekseve, krahinave, pasi ide vështirë të gjesh aty. I gënjeu sepse nuk bëri protesta siç tha. Kështu ankohen nëpër media. Zhgarravisin lloj-lloj ankesash.

E vërtetë. Besohet. Pyetja është: sa herë do gënjehen këta intelektualë dhe njerëz të zgjedhur për të kuptuar që nuk janë për këtë punë? Një herë, dy herë, 10 herë, gjithë jetën? Duhet ta sqarojnë njëherë e mirë që ta dijë edhe njerëzia që te PD ka një Sali dhe një kope tuhafësh të cilëve ai u ka gjetur festen.

Ligësia e kësaj skote qëndron gjetiu: kur Saliu thotë o burra në protestë, nuk ndihen. Shihni Grida Dumën, që kombinon modelin e flokëve me temën e diskutimit në Parlament. Sa u sqarua se Lulzim Basha ishte kartë e vdekur, e drodhi. Budallallëku politik që e shoqëron këtë individ përherë në daljet e veta, kësaj radhe nuk ishte acarues. Cingërritës. Sepse të paktën kaq pritet nga Grida Duma. Që të mos dijë se çfarë bën. Madje vetëm kaq pritet.

Mandej, kur kjo skotë sheh se Saliu ka gënjyer, del e shkruan në media se ai “na gënjeu”. Si puna e qenit që mpreh nuhatjen, edhe e shkreta tufë mazokiste në PD pret kockën nga do vijë. Nga ana tjetër, me lajmin e Saliut gënjeshtar dhe lajmeve me Ilir Metë që po bën politikë sikur bën raki, pra një kuintal rrush për ca pika nga kazani, kemi lajmin se Lulzim Basha është ftuar në SHBA. Luli qesh nga SHBA. Takon njërin e takon tjetrin, i rrahin shpatullat e kështu me radhë, në rolin e tij të përjetshëm të sozisë së kryetarit që s’u bë kurrë.

Tani, lajme të tilla janë të servirura nga mediat e majta, nga Endri Fuga dhe Edi Rama që kaq dinë të bëjnë. Dhe u intereson. Puna është se me Saliun që gënjen, që mashtron, pyetja është se ku hyn Lulzim Basha këtu? Çfarë mund të bëjë Lulzim Basha më shumë sesa bëri, si mund të jetë ai alternativë përveçse në fjalëkryqet e Kadri Vokopolës?

Nuk ka keqdashje aspak këtu, por çështje fakti. Fakti politik. Sali Berisha ekziston politikisht edhe si gënjeshtar i këtyre që gënjehen vazhdimisht. Lulzim Basha nuk ekziston politikisht edhe sikur të bindë Putinin të ndalë luftën e të lëshojë katër rajonet e Ukrainës. Kaq e thjeshtë është. Pse tirret kot kjo fabul që s’ka kuptim? Apo se këta të PD-së duan dikë që t’i gënjejë anglisht? Situata është më e thjeshtë: rezultatet e zgjedhjeve lokale në dritën e një formacioni opozitar shumë të larmishëm, e bëjnë çdo arritje pozitive, një arritje aksionere në një opozitë ku zëri i Berishës dominon, por nuk sundon.

Me një rezultat të mirë në xhep, sidomos nëse konfirmon diçka të tillë në Tiranë, opozita ka kohën dhe mundësinë që të debatojë për drejtimin e vet nesër dej, sidomos kur duhet të kuptojmë fare mirë se ky presioni i mediave të majta ndaj Berishës ka efekte në stresin ndaj ish-kryeministrit dhe shtimin e dilemave brenda opozitës. Por pikërisht për këtë arsye ai e bën opozitën më demokratike dhe më të lirshme për të hapur debatin nesër sesa tek një e majtë që duket monolite sot por që është në një maksimum pushteti artificial pasi ka ecur deri këtu në mungesë alternative reale.

Në fund fare, Sali Berisha iku me votë, mori partinë me votë, pasi e shpallën non grata dhe e pezulluan me vendim personal. Hiqeni me votë e boll u qurravitët! Hiqeni siç bëri Hrushovi në doni, me puç pallati, por hiqeni në keni bythë! Ose shkoni e lëpini këpucët e Edi Ramës!

s.zaimi

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Saliu kur i eshte dashur per votime, ka grumbulluar rreth vetes komuniste, fashiste, balliste progreke,proturq, te persekutuar dhe persekutore, cam, vetvendosje, dhe dreqin me te birin , dhe - edhe ne ditet e tij me te mira nuk ka qene kurre mazhorance. Ai kenaq vetem instiktet kafsherore te militanteve te tij. Kaq e thjeshte eshte. Kjo eshte drama shqiptare. Ai ka marre peng opoziten. Dhe kur them ai kam parasysh frymen qe percjell. Nuk vihet ne pushtet duke kercitur dhembet apo duke share kundershtarin me liber shpie por duke ofruar alternative.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.