A mund të flasë kështu një kryeministër?
Në mungesë të argumentave për shembjen me ligj të posaçëm të Teatrit Kombëtar, kryeministri Edi Rama ka bërë një interpretim që del jashtë kostumit të tij institucional.
I pyetur çfarë do të ndodhë nëse Gjykata Kushtetuese do ta konsiderojë gabim prishjen e Teatrit Kombëtar ndërkohë që ai është shembur kryeministri ka dhënë këtë përgjigje:
“Me këtë “nëse” është si ajo çështja e hallës, dhe unë mendoj të kalojmë të xhaxhai… Sesi e bëjmë dhe ku e bëjmë kemi, marrë besimin e popullit. Unë nuk jam analist jam vendimmarrës” – tha Rama.
Pyetja është legjitime në kushtet e një projekti jo transparent dhe injorimit publik nga qeveria të zërave kundër shembjes së Teatrit. Po ashtu edhe shqetësimi për mungesën e Gjykatës Kushtetuese, e cila është një garanci më shumë për të frenuar nismat antikushtetuese të qeverisë.
Përgjigjia e kryeministrit më e pakta është mungesë argumenti për një çështje që ai dhe kryebashkiaku Veliaj po e trajtojnë si bast personal. Përpjekja për të injoruar një shqetësim që ka të bëjë me garancitë Kushtetuese të Republikës nuk ndihmon transparencën mbi këtë projekt për më tepër që Edi Rama dhe partia që qeveris sot vendin mbajnë flamurin e atdhetarisë përmes një Akti që lidhet drejtëpërdrejtë me Gjykatën Kushtetuese, anullimin e marrëveshjes së detit me Greqinë. Standardi që predikohet sot është tjetër dhe arsyet që serviren janë ekstraligjore.
Add new comment