Në Himarë edhe nëse nuk ka pakicë, ka komunitet shtetasish grekë

Postuar në 03 Nëntor, 2017 11:36

Sot për situatën e krijuar në Himarë shkruan edhe Aleksandër Çipa. Zotëria shkruan sa si gazetar aq edhe si pjesëtar i komunitetit, çka e bën të vështirë të kuptohet se ku nis opinioni e ku emocioni. Ku ky i fundit mplekset me të parin si kërkesë e detyeshme për t’u shfaqur si duhet konform modës së patriotizmit, aq edhe si detyrim ndaj bindjeve që në prag të një moshe të caktuar mundet edhe të theksohen si biçim thinje fisnikëruese e karakterit.

Për këtë arsye zotëria ngjan sikur po shkruan duke mbajtur mbi tastierë një flamur. Është nga ata flamuj që i merr kollaj era, edhe me një të hapur dritareje, apo flamuj që rrëzohen me një puhizë kondicioneri. Me këtë duam të themi që i vetmi flamur që hedh rrënjë është ai i profesionalizmit dhe aq më shumë merr kuptim kjo kur lexon se Çipa nuk ja përton edhe mediave. Të cilat i akuzon për keqraportim dhe kohë mediatike të pamerituar për përfaqësuesit e OMONIA-s dhe PBDNJ-së. Për material legjitimues ndaj Athinës zyrtare. Edhe pse këto media - siç shpresojmë se edhe zotëria e di - ndoshta punojnë me gazetarë në të zezë dhe shumë seriozisht edhe nuk duhen marrë.

Por në njëfarë pike duhet pranuar se z. Çipa ka të drejtë. Ose jemi të detyruar që atë ta dëgjojmë si njohës i mentalitetit të asaj zone. Fundja Himara nuk meriton kaq vëmendje. Sot është ngritur flamuri i tensionit me Tiranën, vallë ku ta dimë ne, dhe me ne edhe Çipa vetë se çfarë flamuri mund të ngrihet nesër?

Këtu çështja e pronave, për të cilën duhet këmbëngulur dhe raportuar hollësisht jo për instrumentalizimin që i bëhet qoftë edhe nga Greqia, por pse aty po krijohet një model zyrtar grabitjeje, kalon në plan të dytë. Zotëria shkruan se në Himarë nuk ka minoritet, se Himara po zhvillohet si asnjë vend tjetër, ajo është “Lulja e Vilajetit” e se protesta duhet të jetë për lënien në harresë të Lumit të Vlorës.

http://www.gazetatema.net/2017/11/03/per-kllounet-dhe-karagjozet-qe-duan...

Duke ia marrë valles me qeverinë dhe punët e mira të saj, z. Çipa ndoshta harron se qeveria të cilën sot nuk po e kritikon për faktin se shkoi e u ul në tavolinë si palë e barabartë me “pesë individë që kulturë të vetme kanë leximin e etiketave…” ka inauguruar nisjen e punimeve për rrugën e Lumit të Vlorës. Zonë të cilën me të vërtetë që e la në harresë, por për aq sa është raportuar dhe dimë, e me gjasë edhe vetë Çipa duhet ta dijë, iu la dorë e lirë në kultivimin e kanabisit. Këtu cinizmin nuk duhet ta kërkojmë te mediat, por te politika dhe qeveria që preferon dhuratën e kanabizimit përkundrejt zhvillimit dhe negocion me Vasil Bollanon që e detyroi me pesë veta Këshillin Bashkiak të Himarës të zhvendosej në Kuç.

Për këtë arsye kritika e z. Çipa, qoftë edhe si pjesëtar i komunitetit është joproporcionale, por ndoshta kjo është çështjeje nuhatjeje politike.

Sa për epilogun e shkrimit se “në Himarë minoritarë të vetëm janë ata që vijnë nga Dropulli apo Vurgu”, ka dy përgjigje, të cilat janë të dobishme për të hapur këtu edhe një diskutim të qetë dhe pa tendenca.

Së pari me ligjin e ri, për vetëidentifikimin e pakicave përdoret legjislacioni që ndiqet për Censusin. Pra ke të drejtë vetëidentifikimi edhe pse ky akt mandej mbetet me mundësi zero verifikimi juridik për shkak të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese. Pra kjo është çështje individuale jo përgjithësimesh të ngurta.

Dhe së dyti, në vijim të së parës, me zonën e Himarës ka një tjetër problem nëse mund të quhet i tillë. Pak javë më parë u raportua se Greqia u hoqi nënshtetësinë disa personave, pjesëtarë të komunitetit të kësaj zone. Duhet ta dinë të gjithë se heqja e nënshtetësisë që u bë me një arsyetim që ha shumë diskutim, lidhej me aktivitetin e personave që binte ndesh me interesat e Greqisë. Çështja është se ata që kanë marrë nënshtetësinë në Himarë, kryesisht e kanë përfituar përmes kartës së homogjenit, pra përkatësisë etnike si grek dhe jo për shkak të plotësimit të viteve të qëndrimit. Dhe ky është një fakt zyrtar, një zgjedhje dhe një identifikim. Dhe këtë nuk e zhbëjmë dot me shkrime në media. Le të kujtojmë sesa kollaj lindi pakica bullgare në Shqipëri, për të cilën nuk kishte dëgjuar gjë as ai që mezi lexon etiketën edhe as të tjerët.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.