"TEC Vlora", 100 milionë euro për të mbetur jashtë pune. Bllokimi i garancisë 20 milionë euro nga shteti shqiptar, humbja e arbitrimit, gjyqi në arbitrazh ndërkombëtar dhe një prokurim tjetër për të rregulluar një defekt që zgjat 4 vjet

Postuar në 20 Shkurt, 2015 11:53

Para tri ditësh, drejtori i Korporatës Energjetike Shqiptare, Agron Hetoja, ishte i pranishëm në Komisionin Parlamentar të Veprimtarive Prodhuese, ku u pyet nga deputetët edhe për faktin se përse ende nuk është vënë në punë Termocentrali i Vlorës. Hetoja u përgjigj se “po bëhet një studim për të mundësuar funksionimin e këtij investimi përmes përdorimit të gazit”( http://www.top-channel.tv/mobile/artikull.php?id=293386). Për të krijuar një ide se çfarë përfaqëson kjo vepër, mbetur pa u vënë në punë, hodhëm një sy në faqen zyrtare të KESH. “Ky projekt është financuar nga Banka Botërore, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim BERZH (EBRD), Banka Europiane e Investimeve "BEI" si dhe Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH sh.a). Vlera e projektit është 130 milion euro...Aktualisht, punimet civile dhe instalimi i pajisjeve kanë përfunduar dhe ka filluar procedura e testimit”’ thuhet në faqen e koropratës(http://www.kesh.al/content.aspx?id=4&idd=28). Siç dihet gjërat nuk shkuan ashtu si duheshin dhe sot TEC Vlora, jo vetëm nuk punon, por për këtë vepër shteti shqiptar është palë ndërgjyqëse në Arbitrazh Ndërkombëtar me firmën "Technimont".

Ndërtimi dhe konflikti me firmën ndërtuese

Zyrtarisht është një defekt në një tubacion që lidhet me sistemin e ftohjes ai që u bë shkak për këtë pezullim disa vjeçar. Për të marrë informacione mbi përplasjet me firmën dhe se pse çështja erdhi deri në këtë pikë, “ResPublica” kontaktoi me burime nga ministria e linjës, por që preferuan të mbeten anonime. Këtë po e quajmë Versioni I për TEC Vlora dhe sidomos për fazën e konfliktit me firmën.
“Tenderi për ndërtimin e TEC-it të Vlorës është bërë nga KESH nën mbikëqyrjen e Bankës Botërore, e cila ka qenë pjesë e financimit të projektit. Procedurat e tenderimit kanë nisur në kohën kur drejtor i KESH-it ishte Andis Harasani, kontrata është firmosur kur kompania drejtohej nga Andi Beli, ndërsa punimet nisën gjatë drejtimit të KESH-it nga Gjergj Bojaxhi. Sipas mënyrës të prokurimit, të asistuar nga një firmë gjermane, shuma e tenderuar do të paguhej kur të dorëzohej impianti me çelësa në dorë. Në vitin 2009, para zgjedhjeve, u bë prova e parë teknike sipas kontratës, përveç tubit të ftohjes që fuste më shumë rërë nga sa ishte parashikuar dhe në të ardhmen mund të shkaktonte probleme. U sollën edhe anije me naftë për testimin e TEC-it...Pas testimeve, kompania nuk ka pranuar të bëjë të tjera punime në tubin e ftohjes dhe nuk e ka dorëzuar veprën me çelësa në dorë siç e kërkonte pala shqiptare. Kjo e fundit nuk ka pranuar t’i kthejë kompanisë garancinë prej 20 milionë euro dhe nuk ka bërë pagesën e fundit që llogaritet diku te 4 milionë euro. Pas kësaj kompania italiane e ka paditur shtetin shqiptar në Gjykatën e Arbitrazhit ku çështja po vijon”, shprehet burimi.

Dhe në fakt, më 23 qershor të vitit 2009, në provën e turbinës së parë ka qenë i pranishëm edhe ish-kryeministri Sali Berisha. Nëse i hedhim një sy artikujve të publikuar për këtë temë, konfirmohet fakti se deri më dhjetor të vitit 2011, janë bërë përpjekje për ta vënë në punë TEC-in, por finalja nuk është arritur asnjëherë. Me interes është të sillet këtu një shkrim i gazetës “Rilindja Demokratike” i datës 18 dhjetor 2011, ku bëhet një kronologji e punimeve dhe ku mes të tjerave citohet ish-drejtori i KESH-it, Muharrem Stojku të ketë deklaruar se “Procesi i provave me ngarkesë, ose siç emërtohet ndryshe në terminologjinë teknike “komisionimi”, po zhvillohet normalisht në bazë të grafikut të ndërtuar me palën italiane”. Ky proces që do të mbyllet me komisionimin e përgjithshëm të objektit, që do të zhvillohet në datën 20 maj 2012 po realizohet në bashkëpunim dhe në prani të përfaqësuesve të të dy palëve, ku përfshihet edhe kompania ndërtuese italiane, TECMOND”( http://energjia.al/2011/12/19/tec-i-i-vlores-me-kapacitet-te...). Stojku shtonte qysh atëherë se po bëhej një studim për “që synon shfrytëzimin e gazit të lëngshëm, duke e marrë atë drejtpërdrejt nga anijet çisternë”. Është ajo që thotë sot edhe z. Hetoja. Por të gjitha këto premtime u bënë nul nga firma kontratuese dhe kjo është ajo që fajësohet edhe nga një drejtues i TEC-it, Besnik Këndezi, i cili në prill të 2014 shprehej madje se “Drejtuesit e kompanisë ndërtuese TECMOND, janë larguar pa përfunduar detyrimet proceduriale, ndërkohë që objekti ka shfaqur probleme të mëdha të natyrës teknike”(http://ëëë.ata.gov.al/vlore-tec-i-nisin-procedurat-per-venien-ne-funksion-96639.html). Sipas tij nuk është bërë as komisionimi i veprës “çka përbën një domosdoshmëri që parashikohet edhe në manualin e dorëzimit dhe të funksionimit të saj”.

Përgjigja zyrtare e KESH

Për të marrë një përgjigje zyrtare “ResPublica” iu drejtua korporatës, e cila iu përgjigj pyetjeve të bëra si më poshtë:

ResPublica: Kur dhe në ç’gjendje është marrë në dorëzim TEC-i Vlorës nga Korporata Elektroenergjetike?

KESH: Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, me një kredi nga institucionet financiare ndërkombëtare (ËB, EIB, EBRD) ka kontraktuar në vitin 2007 ndërtimin dhe vënien në punë të një Termocentrali me cikël të kombinuar në Vlorë. Projekti i Termocentralit me fuqi 96 MË përfundoi në Tetor të vitit 2011, pasi ishin kryer më parë testi i performancës gjatë muajit gusht 2011 dhe testet e besueshmërisë (3 “trial run” me periudha 10-ditore pune gjatë muajve shtator, tetor 2011).

ResPublica: Gjatë një raportimi në komisionin parlamentar Drejtori i KESH-it foli për një defekt të konstatuar në TEC. Ku dhe nga kush është konstatuar ky defekt dhe me çfarë ka të bëjë ai?

KESH: Në janar të vitit 2012 (pas një stuhie detare të ditëve të para të janarit) u bë prezent defekti që lidhej me sistemin e tubacionit të marrjes së ujit nga deti, i cili shërben për ftohjen e impiantit prodhues. Prezenca e rërës në impiantin ftohës tregoi që tubacioni i ujit në det, i cili lidh pikën e marrjes së ujit me sistemin ftohës të TEC-it ishte dëmtuar. Nga inspektimi doli se elementët përbërës të tubacionit ishin shkëputur nga njëri-tjetri në një pjesë të tij dhe tubacioni ishte mbushur me rërë. Kjo e bënte të pamundur furnizimin me ujë, duke nxjerrë jashtë funksionit sistemin ftohës dhe për rrjedhojë operimi i TEC-it ishte i pamundur. Nga data e marrjes në dorëzim dhe deri në ditën e shfaqjes së këtij defekti, TEC-i ka qenë nën garancinë e firmës kontraktore, “Maire Tecnimont”. KESH menjëherë deklaroi tek kontraktori këtë defekt të ndodhur brenda periudhës së garancisë dhe i kërkoi atij të kryejë riparimin e tij, në mënyrë që të garantohet jetëgjatësia e linjës sipas projektit. Kontratori asnjëherë nuk e pranoi përgjegjësinë për defektin e ndodhur, duke pretenduar se defekti nuk ka ndodhur për shkak të cilësisë së punimeve të kryera prej tij. Në këtë periudhë rezulton se operimi i Termocentralit është bërë në përputhje me manualet e operimit të furnizuara nga vetë kontratori dhe nën mbikqyrjen e specialistëve të shoqërisë së kontraktuar për supervizionin gjatë operimit dhe mirëmbajtjes.
Aktualisht TEC-i mbahet në gjendje konservimi, duke respektuar procedurat e konservimit edhe të mirëmbajtjes së sistemeve operative të impiantit, në mënyrë që gjendja teknike e impiantit të mos përkeqësohet më tej. Personeli i mirëmbajtjes zhvillon aktivitetet e përcaktuara për të garantuar funksionimin normal të sistemeve që mbahen në punë si dhe për kryerjen e aktiviteteve periodike për sistemet që janë në kushte konservimi.

ResPublica: Drejtori i KESH ka bërë me dije se firma ndërtuese e TEC-it është paditur nga pala shqiptare në arbitrazh. Në ç’fazë ndodhet aktualisht procesi i arbitrazhit?

KESH: Lidhur me ndjekjen gjyqësisht të mosmarrëveshjes me firmën ndërtuese të TEC Vlora, KESH sh.a., i përfaqësuar nga Avokatura e Shtetit, ka zhvilluar procedurën e arbitrimit me një Arbitër (Adjudicator) sipas parashikimeve të kontratës me kompaninë ndërtuese. Në përfundim Arbitri i vetëm, me vendim të datës 02 Prill 2014, ka vendosur lidhur shumat e garancisë, sipas kërkesës së kompanisë ndërtuese, duke i dhënë kësaj të drejtën e tërheqjes së tyre.
Pas kësaj vendimmarrjeje, Avokatura a Shtetit, si përfaqësuese ligjore e interesave të Shtetit Shqiptar në mosmarrëveshjet ndërkombëtare, ka filluar procedurat për kalimin e çështjes në arbitrazh ndërkombëtar për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me firmën ndërtuese, bazuar kjo në parashikimet kontraktore. Për këtë arsye Avokatura e Shtetit, me pëlqimin e KESH sh.a., do të përzgjedhë një studio të huaj ligjore për mbështetjen e palës shqiptare në gjykimin e kësaj çështjeje.

ResPublica: A është hapur prokurimi për rregullimin e defektit dhe sa është oferta e prokurimit për defektin?

KESH: KESH së bashku me Institucionet Financiare Ndërkombëtare që kanë financuar ndërtimin e termocentralit, po zbatojnë një plan masash me qëllim rivënien në punë të TEC-it të Vlorës.
Në këtë plan masash përfshihet edhe përzgjedhja e një kompanie konsulence, e cila do të asistojë KESH në përgatitjen e një vlerësimi të arsyeve që kanë shkaktuar defektin në sistemin e ftohjes, do të propozojë zgjidhjen më të mirë të mundshme teknike, e cila të garantojë jetëgjatësinë sipas projektit, si dhe do të hartojë një projekt të detajuar për riparimin e sistemit të ftohjes dhe vënien në gadishmeri pune të impjantit. Në përfundim të këtij procesi do të kemi një pamje më të qartë dhe më të besueshme për shkaqet, pasojat dhe kostot e riparimit të difektit. Për përzgjedhjen e kësaj kompanie, KESH është duke ndjekur procedurat e prokurimit publik sipas legjislacionit shqiptar.

***
Nëse bashkojmë këto të dhëna, rezulton se pala shqiptare ka mbajtur garancinë dhe këstin, çka ka sjellë situatën ndërgjyqëse, pa mohuar përgjegjësinë e firmës. Por këtë tashmë e zgjidh arbitrazhi. Më shumë rëndësi ka tjetër fakt, ai që ndonëse janë shpenzuar 92 milionë euro për një vepër, objektivi i së cilës ishte edhe ulja e çmimit të energjisë, ajo nuk arrin të vihet në punë. KESH ka ndërmend të prokurojë ende më tej për të rregulluar një tub që mban peng një vepër si TEC. Siç mund të lexohet, korporata nuk ka pranuar të bëjë publike sesa është shifra e prokurimit, pra sa lekë do harxhohen akoma. Situata sjell edhe një paradoks tjetër: në kohën e ndërtimit të TEC-it, shoqata të ndryshme me orientim zyrtar ambiantalist, protestonin thuajse përditë me pretendimin se vepra sjell pasoja në mjedis. Deri diku dhe me pak “fat” ia dolën që të shmangnin ndotjen e supozuar që ka kushtuar deri më tani 130 milionë euro, ose 92 siç përmendet në të dhëna të tjera. Pa folur këtu për rolin e TEC-it në sistemin energjetik ditën e latgët kur do të vihet në punë.
 

s.zaimi/l.mitro

Comments

Submitted by Maks Lela (not verified) on

<p>Shkrim siç duhet, faleminderit.</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.