Ndahet nga jeta Medin Zhega
Sot ka ndërruar jetë, pas një viti në koma, Medin Zhega, një personalitet i padiskutueshëm i sportit shqiptar, që binte në sy dhe për prerjen e staturën e tij morale. Në vijim po japim një bio të tijën, e cila për shumëkënd është e njohur, ngaqë ai ka qenë për shumë kohë në sytë e të gjithëve:
“Medin Zhega ka lindur në Shkodër më 31 janar 1946. Shkollën e mesme e ka kryer në qytetin e lindjes, studimet e larta në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Dega Kimi-Mercologji. Ka kryer studimet e larta edhe në Institutin e Kulturës Fizike dhe Sporteve “Vojo Kushi” (sot Akademia e Sporteve).
Në periudhën 1963–1979, ka luajtur futboll me ekipet e Vllaznisë dhe Dinamos, duke qenë një nga lojtarët më të mirë të vendit, i shquar si golashënues në ndeshje kombëtare dhe ndërkombëtare. Nga viti 1965 e në vazhdim ka qenë anëtar i ekipit kombëtar të futbollit. Në vitin 1981 mbaron shkollën e trajnerëve në Austri. Ka kryer gjithashtu një seri kualifikimesh për trajner, jashtë vendit.
Në vitet 1984-1986 ka punuar si ndihmëstrajner i ekipit kombëtar dhe atij olimpik. Në vitet 1992-1996 ka qenë deputet i Partisë Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë. Në vitet 1999-2001 ka qenë trajner i ekipit Kombëtar të Shqipërisë. Nën drejtimin e Mjeshtrit Zhega, skuadra ynë Kombëtare, në vitin 2001, fiton turneun “Rothmans” në Maltë.
Ka fituar titullin e lartë “Mjeshtër i Merituar i Sportit”.
Pasi shkarkohet nga detyra e trajnerit të ekipit Kombëtar të Shqipërisë, post që e mbajti deri në vitin 2001, ai emërohet anëtar i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së. Përsëri, këtë post e mban deri në vitin 2010. Në vitin 2009, gjatë transmetimit të spektaklit për nder të 90-të vjetorit të themelimit të klubit shumësportesh “Vllaznia”, ai nderohet me titullin “Qytetar Nderi” i qytetit të Shkodrës.
Më 5 maj 2011, gjatë një udhëtimi familjar dhe qëndrimi në Toronto të Kanadasë, ai pëson një aksident i cili fatkeqsisht e dënoi fillimisht me paralizë dhe sot me ndarjen përfundimtare nga jeta.”
Re.Pu.
Comments
Me vjen shume
<p>Me vjen shume keq...Ngushellime per familjaret dhe te afermit.</p>
Add new comment