Në ‘pritje’ të Edi Ramës rrobaqepës...
Kur kryeministri Edi Rama komentoi për herë të parë kandidaturën e opozitës për Bashkinë e Tiranës duke e cilësuar si “të lodhur” mjekun Halim Kosova, deklarata në fjalë bëri xhiron e Shqipërisë e të Kosovës bashkë, në të gjitha mediat e shkruara e portalet me “WWW” përpara. Madje Rama e shtrëngoi dhe më fort deklaratën e tij kur u shpreh se Kosova, ishte i denjë për të drejtuar një azil pleqsh, por jo një kryeqytet. Ndërsa gazetarja që e intervistonte tek e fundit i kujtoi kryeministrit se Halim Kosova ishte një mjek që sillte jetë. Por Rama arrogant ia pret shkurt duke i thënë: “Preferoj që mos flasim për ndryshimin nga doktori i zemrës tek doktori i gjinisë”.
Kryeministri i Shqipërisë ka hyrë në politikë si një njeri i Fjalës, asaj të shkruar kryesisht, por nëse shohim konsistencën e atyre që thotë, mund të vijmë në mendimin se ai është transformuar krejtësisht në një Kryeministër Deklaratash. Rasti me Halim Kosovën është gati emblematik. I dyzuar përherë mes detyrimeve politike dhe pasionit për profesionin e tij, Edi Rama, edhe në rastin e lojës politike dhe elektorale me Halim Kosovën ka vepruar në kurthin e këtij tensioni. Mbajmë mend të gjithë kur pas deklaratave për lodhjen e këtij të fundit, ai, dhe pas tij edhe një kor mediatik, publikonin “skica” fotoshopi, me sipërshënime ironizuese, marrë aty këtu nga deklaratat e kandidatit opozitar. Erdhi një ditë dhe loja në fjalë, u ezaurua. Mungesa e replikës e holloi shumë sensin e humorit, e ngriu të qeshurën, e bëri të pamundur atë edhe për profesionistët e shtirjes. Ndaj erdhi koha e fytyrës tjetër, asaj të akuzës. U përfol klinika 2.6 milionë euro e Halim Kosovës(a nuk po flitet se afërsisht kaq kushton edhe fushata e Veliajt???); lajme të postuara e të mbajtura gjallë në Facebook që synonin të qartësonin qytetarët se pas mirësisë në dukje të kandidatit demokrat fshihej një “lubi” e korrupsionit, një nga ata arketipët e tranzicionit, që dinë të mos përfliten vetëm pse gëzojnë namin e njeriut të sjellshëm. Pak budalla në dukje, por i korruptuar që çke me të: këtu tenton propaganda e PS-së që të orientojë percpetimin e publikut. Për të mos harruar asnjëherë: ai ka qenë me Sali Berishën. Diçka do ngjiste gjithsesi pas kësaj baterie sulmi, në themelin e së cilës qëndron vetëm frika nga ndonjë e papritur, dërrmuese për karrierën e Erionit, por e ndjekur me mjetet dhe instrumentat e një arrivisti që di vetëm të prishë punë. Pse është “strategji” arrivistësh boja e saj do të dilte shpejt. Sepse jetojmë në epokën e televizionit. Në fillim opinioni u njoh me faktin se në vitin 2007, Edi Rama e ka propozuar Halim Kosovën si kandidat për President. Pra e ka përzgjedhur si njeriun e duhur për t’i besuar një mandat shumë serioz përfaqësimi. Për këtë, kryeministri ndoqi rrugën e tij të zakonshme: heshtjen dhe pasionin e postimit të fotove që flasin “për ndryshime reale”. Në realitetin ku jetojmë, mund të debatohej gjithë jetën se përse Edi Rama e propozoi atëherë, se edhe pse e propozoi kjo nuk e bën më pak të lodhur Halim Kosovën, se viti 2007 ishte i tillë kur duhej përballur Berisha dhe Nano, apo se PS-së i duhej kredibiliteti te tiransit. Këtë debat e ka shmangur vetë Edi Rama, teksa na prezantohet me një video ku ai flet në vetë të parë për Halim Kosovën: jo vetëm si mjek, por edhe si njeri, si drejtues. Dhe çfarë është më interesantja: shpreh respektin dhe konsideratën e tij, por edhe të atyre që “në Bashkinë e Tiranës, kanë patur të bëjnë drejtpërdrejt me të”. Komentet janë të tepërta në këtë rast. Gënjeshtra në garën për Tiranën është dyfishtë: jo vetëm te premtimet e Erionit, të cilit po i dhurohet një karrierë pa asnjë meritë, por edhe sepse propaganda për kundërshtarin bazohet kryekëput te një vlerësim që hidhet sa për sy e faqe. Kanë kaluar 25 vjet dhe diçka duhet të kishte ndryshuar, të paktën si teknikë politike, si qasje ndaj qytetarit, pa folur për faktin alarmant të lidhjeve me krimin. Me sa duket, për ata që besojnë se politika duhet të thotë edhe diçka të vërtetë, se duhet të ketë edhe një minimum dinjiteti, nuk ka vend.
Edi Rama, ishte për shumëkënd shpresa e një politikani ndryshe. Ai ndoshta është akoma për shumë të tjerë, që duan vetëm të shohin e të dëgjojnë Deklaratat dhe teatrin e përshfaqjes mediatike, por jo të vërejnë aktet dhe veprimet. Si politikan oferta e tij për Shqipërinë u ezaurua pa ndonjë pasojë pozitive, qeveria e tij noton mbi krizën në mënyrë inerciale. Të paktën deri më tani. Është ironike për një njeri që deklamoi ndryshimin, madje transformimin rrënjësor, që ndoshta si akt më të menduar politik, ka paradhënien për pensionimin e tij. Ka folur dikur për Jetën e Tretë, kur ai largohet nga politika, kur ai do të jetë i Lirë. Ka ndarë me publikun edhe dëshirën intime se do të punojë si rrobaqepës. Do të ishte interesante, për Gossip-in dhe Dossierin, të njihej e të flitej me Edi Ramën e Lirë, i çliruar nga detyrimi për të Gënjyer dhe për të bërë sikur nuk kupton. Ndoshta vjen shpejt kjo kohë, pasi kur detyrimi për të gënjyer vazhdon gjatë, ai bëhet shprehi. Të urojmë vetëm që të mos jetë shprehia më e spikatur e një kryeministri që po Lodhet shumë shpejt.
Redaksia
Comments
Se di kush eshte autori- por

Se di kush eshte autori- por te admiroj-

O Redaksia Po c'i keni keto

O Redaksia

Po c'i keni keto budallalleqe qe shkruani, se nga "tranut krejt", si thone ne Kosove.

Po ckuptim, ka ti kerkosh llogari Rames qe e paska "zgjedhur" Doktor Halimin para 8 vjetesh per nje post konsensual, cka do me thene qe duhej te ishte i pranueshem per Berishen, nderkohe qe vete Berisha nuk e ka pranu. Logjika eshte e thjeshte, Rames ne ate kohe Halimi i dukej gjysem i pranueshem i pranueshem, nderkohe Berishes krejt i papranueshem. Tani si shpjegohet qe sot Berishes i duket i pershtatshem nderkohe qe nuk ka asnje te cuditshme qe Rama ta kete kuptuar nderkohe se cfare gomari me gjithe samar, paska qene dhe eshte akoma Doktor Halimi.

Ku qendorn cudia ne gjithe kete histori. Kj0 eshte njesoj si ai qe (Berisha) e shan nje femer "kurve" dhe pastaj e merr per grua, nderkohe qe Rama vertet mund te kete pas rene ne dashuri me nje femer, s ei eshte dukur e mire, por e ka lene pa hezitim kur ajo i ka dale kurve.

Tung

Add new comment