Ekonomia shqiptare, ja sa e ekspozuar është nga një falimentim i mundshëm i Greqisë

Postuar në 28 Qershor, 2015 00:09

Në gjashtë vjet, që Athina po lëngon nga kriza e borxheve, ekonomia shqiptare ka pasur kohën e nevojshme që të shkëputet nga fqinji i sëmurë. “Monitor” thotë se pesha e bankave me kapital grek ka rënë, Greqia nuk është më destinacioni i dytë i eksporteve, remitancat kanë filluar të rriten që nga gjysma e dytë e 2014-s. Megjithatë, Shqipëria nuk mund të mbetet imune, duke hyrë bashkë me gjithë Europën në një territor të paeksploruar.

Vendimi i Greqisë për të shpallur një referendum për paketën shpëtuese të dielën e 5 korrikut, teksa në 30 qershor skadon afati për pagesën 1.6 miliardë euro për FMN-në ka futur gjithë Europën në ujëra të paeskploruara. Tashmë paniku ka filluar dhe që të shtunën u panë radhë të gjata në automatët e bankave në qytetet e ndryshme të Greqisë. Eurozona po përgatitet seriozisht të minimizojë efektin e një paaftësie paguese dhe daljeje të mundshme të Greqisë nga eurozona.

Por, sa e ekspozuar është Shqipëria ndaj kësaj krize?

“Monitor” thotë së një fazë të parë Shqipëria mund të përfitojë nga vala e largimit të parave nga Greqia, duke pritur një pjesë të tyre, siç ndodhi në në qershor 2012, kur depozitat në valutë në sistemin bankar shqiptar shënuan një rritje të fortë mujore, jo sezonale, me rreth 6.5 miliardë lekë, sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, më e larta e viteve të fundit. Rritja, në pjesën më të madhe erdhi nga largimit i depozitave nga bankat greke, si rrjedhojë e frikës së daljes së Greqisë nga euro në prag të zgjedhjeve të asaj kohe. Me emigrantët shqiptarë në Greqi, që vlerësohet se kanë kursime që arrijnë deri në 2 miliardë euro, një pjesë e parave të larguara nga shteti fqinjë ka ardhur gjatë tre viteve të fundit në Shqipëri.

Por, në një afat më të gjatë nëse kriza nëvendin fqinjë përshkallëzohet dhe shteti helen del nga euro, kanalet e ekspozimit në Shqipëri do të jenë disa:

-Ndonëse shteti grek prej disa vitesh po vuan një krizë të thellë ekonomike dhe borxhesh, ai kryeson në Shqipëri përsa i përket stokut të investimeve të huaja direkte për vitin 2013. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, Greqia ka një stok të investimeve të huaja prej 1.07 miliardë eurosh në fund të vitit 2013, me një rritje prej 40% në raport me një vit më parë, ku vendin kryesor e zënë telekomunikacionet. Nëse shteti grek vijon në bjerë më shumë në krizë, efekti do të ndihet dhe në investimet e huaja në Shqipëri,

-Një tjetër ekspozim lidhet me ndikimin që mund të ketë situata e paqartë në ekonominë e Greqisë, që është tashmë e dobësuar nga recesioni, që po zgjat prej gjashtë vitesh. Ndonëse Shqipëria i ka diversifikuar marrëdhëniet tregtare, duke u orientuar drejt shteteve të tjera, sërish lidhjet e bizneseve të jugut me Greqinë janë të forta.

-Të gjithë i tremben efektit të infektimit të krizës në euro në shtetet e tjera të brishta të eurozonës, sidomos Portugalia, Spanja dhe Italia. Me këtë të fundit lidhjet ekonomike janë shumë më të forta sesa me Greqinë. Përvoja e pas 2008-s ka treguar se ndonëse Shqipëria nuk është e integruar shumë financiarisht me eurozonën, ajo nuk është e imunizuar ndaj tronditjeve të saj.

 

Ekspozimi i ekonomisë greke ndaj asaj shqiptare në shifra

-Bankat me kapital grek

17% të totalit të aktiveve

16% të depozitave, ose 1.2 miliardë euro

17% të stokut të kredisë

Raporti kredi depozita 62% (55% mesatarja e sistemit)

-Tregtia e jashtme

3.6% të eksporteve për 4 mujorin 2015, partneri i pestë tregtar, grupi më i eksportuar tekstile dhe këpucë me 41% të totalit

8.3% e importeve, partneri i tretë tregtar, grupi më i importuar ushqim, pije duhan me 32% të totalit

-Investimet e huaja

E para, me një stok të investimeve të huaja prej 1.07 miliardë eurosh në fund të vitit 2013

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.