Rama: 21 janari varet vetëm nga 23 qershori

Postuar në 04 Prill, 2013 08:12

 

Pak minuta më parë kreu i Partisë Socialiste ka reaguar përmes një shkrimi në blogun e tij personal, në lidhje me ngjarjen e 21-janarit, një ngjarje kjo e cila pas koalicionit me LSI-në ka ngjallur mjaft reagime në media.

Në shkrim Rama thekson se vetëm pas rrëzimit të kësaj qeverie do të fillojnë ditët kur do të vihet në provë morali i qeverisë së bashkuar, PS–LSI për të rilindur Shqipërinë.

Shkrimi i plotë i Z.Rama

Pjesa më e zymtë e reagimit ndaj ftesës sime për LSI-në është manipulimi mediatik me emocionet e forta të 21 janarit. Ky manipulim nis me kundërshtarë fanatikë të bashkimit tonë me LSI, të cilët në 21 janar ishin në krahun e protestuesve. E pastaj shtrihet si shtresë e ndyhtë mbi sipërfaqen e llumit të medias proqeveritare, nën diktatin e disa botuesve të cilët në ditët pas 21 janarit lanin poturet e kryeministrit apo ndërronin kompresat mbi ballin e ministrit të Brendshëm.

Të parët, kundërshtarët e bashkimit, nuk i mirëkuptoj. Por ama i respektoj në të drejtën e tyre që të ngrenë stuhi në gotën bosh të “moralit të humbur” të fitores së afërt të PS me Metën, pavarësisht se do të doja të mos qorroheshin përballë të vërtetës se 23 qershori duhet të sigurojë në radhë të parë humbjen pa apel të Saliut. Pa ekuivok. Pa kushte. Pa “pse” as “si”. Sepse pa diskutim që këtë herë nuk ka asnjë lloj humbje të mundshme “me nder” për opozitën. Çdo humbje në emër të “moralit”, sado “heroike”, do të ishte thjesht çnderuese për Shqipërinë.  Madje ende më shumë, do të shkatërronte jo moralin qeverisës që sot nuk ekziston, por edhe ato thërrime të mbetura morali shoqëror pas tetë vjetësh rrënimi të vazhdueshëm.

Ndërsa të dytët, ata që tek bashkimi i PS me LSI shohin fundin e një biznesi djallëzor me shtypin e tyre zagar gjahu të pushtetit dhe vetveten kalë shëtitjeje në pyllin e korrupsionit për kryeministrin a për ish-ministrin e brendshëm të 21 janarit, ndjej këto ditë një neveri të patregueshme. Me një tërbim të hatashëm, po faqosin mu në ballinat e mëngjezit prononcime të familjarëve të dëshmorëve të 21 janarit krejt jashtë kontekstit apo prononcime kryekëput të sajuara që drejtuesit e PS s’i kanë bërë kurrë. Është një ripërgjakje e ndyrë duarsh në kulmin e panikut prej humbjes së kënaqësisë fitimprurëse të të qenit zagar, kalë apo shalë e pushtetit në ikje.

Kjo rendje në lukuni pas shpirtrave të djegur të atyre familjeve që sot ndjehen të trazuara nga bashkimi i PS me LSI, për të penguar reflektimin gjakftohtë të shumë socialistëve e progresistëve fillimisht të palumtur nga ky bashkim, është një makabritet që tregon se në çfarë shpelle primitive zhvillohet jeta VIP e tribusë së Saliut. Sahanlëpirës tradicionalë, borxhlinj me nam, bankierë pa din e as iman, një lukuni e tërë parazhvatësish nga xhepat e shtetit në këmbim të shërbimeve më të ulëta mediatike për llogari të pushtetit, kanë veshur shtypin e tyre në zinë e vajtimit për moralin e humbur opozitar. Zoti i marrtë në mbrojtje teksa po mbyten në dallgët e panikut!

Të tretët, ata më të vërtetët, janë ata që në fakt më shtynë t’i shkruaj sot këta rreshta. Janë të tërë ata mbështetës që kanë rrugëtuar me mua në këto vite të rënda, duke më dhënë energji, kurajo, forcë e durim dhe që ndjehen keq nga ky bashkim sepse kujtojnë 21 janarin. I kam lexuar një për një gjithë ç’kanë shkruar nëpër rrjete dhe ç’më kanë shkruar mua personalisht. I kam dalluar ata shumë ndjekës të mi besnikë që flasin me zemrën e lënduar të opozitarit, nga disa dhjetra minj të nxjerrë prej gjirizave të medias proqeveritare, të cilët janë kurdisur për të lënë ditë-natë, kudo nëpër uebfaqe gjurmë të bishtit të tyre të qelbur ngjyer në gjakun e pastër të 21 janarit.

I kam kuptuar drejt e thellë në shqetësimin e tyre ata mbështetës dhe dua t’i siguroj sot në fjalën time të nderit se 21 janari nuk lëviz nga axhenda jonë qeverisëse. Drejtësia për 21 janarin ka qenë dhe do të mbetet deri në fund një nga detyrimet tona më madhore, pjesë e pandashme e përpjekjes për të ndërtuar një Shqipëri të drejtë. E rikonfirmoj pa asnjë ekuivok atë që kam thënë ditën rrëqethëse të lirimit të vrasësve në sallën e gjyqit: Gjyqi për vrasësit e 21 janarit dhe për urdhëruesit e tyre jo nuk ka mbaruar, po nuk ka filluar.

Por që 21 janari të mos mbetet siç është sot, një plagë e hapur që lëndon vijimësisht popullin opozitar dhe që po ushqen këto ditë me gjak opozitar mediat e regjimit që vrau katër protestues të pafajshëm, duhet fitorja e 23 qershorit. E ja pra ku kthehemi përsëri tek e njëjta pikë:

Pa larguar Saliun dhe partinë e tij familjare, gjithçka tjetër mbetet përshpirtje jashtë realitetit. Dhe për të larguar të Keqen e Njohur duhet medoemos bashkimi ynë me LSI, si edhe gatishmëria jonë për të bërë koalicion me çdo forcë tjetër politike përveç PD-së. Ne jemi plotësisht të gatshëm për këtë.

Mos e harroni për asnjë çast dhe asnjë arsye: 23 qershori nuk është një ballafaqim normal elektoral për të zgjedhur mes dy alternativash në një mjedis demokratik. Por është një betejë e madhe për të mos lejuar në radhë të parë, përsëritjen e qershorit 2009 dhe 8 majit të Tiranës 2011. Është një betejë deri në dekikën e fundit për të përcaktuar nëse Shqipëria do të rrënohet ende më shumë përmes zgjedhjesh të vjedhura, apo do të rilindë duke u çliruar nga zgjedha e vjedhësit të zgjedhjeve të shkuara - i cili jo rastësisht është edhe i dyshuari kryesor si urdhëruesi i vrasjeve të 21 janarit.

Kush nuk do që ta tradhëtojë 21 janarin nuk duhet të mbytet në gotën bosh të moralizimeve të palogjikshme mbi bashkimin PS - LSI. As nuk duhet të bjerë pre e zagarëve të gjahut mediatik të pushtetit. Por duhet të votojë pa asnjë mëdyshje Partinë Socialiste në 23 qershor.

23 qershori është dita që opozita të marrë pikërisht hakun moral për 21 janarin, duke e degdisur me votë jashtë zyrave të shtetit kryeministrin e 21 janarit dhe partinë e tij familjare.  Vetëm paskëtaj fillojnë ditët kur do të vihet në provë morali i qeverisë që ne, të bashkuar, PS – LSI dhe të tjerë do të krijojmë për të rilindur Shqipërinë. E vetëm atëherë do të vihet në provë edhe vërtetësia e zotimit tim për të krijuar kushtet që dëshmorët tanë dhe familjet e tyre ta marrin edhe hakun e ngrënë ligjor

 

 

SHEKULLI

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.