Xhelal Mziu, më normali

Postuar në 04 Korrik, 2024 18:20

RTSH Kuvend, një nga shumë rëtëshëtë që vazhdojnë të funksionojnë në hyqmin e një halldupi si ai që e drejton, fliste sot ndër të tjerë, Xhelal Mziu. Ish-kryebashkiak i Kamzës, një personazh i njohur i mediave për ironizimet e vazhdueshme dhe identifikimin tipik të njeriut nga veriu, qëndrestarit dhe berishianit të pagdhendur.

Mirëpo z. Mziu duket se ka ndryshuar veten dhe me këtë rast edhe raportin e figurës së tij me televizionin. Në fjalën e mbajtur në Kuvend, z. Mziu fliste për sigurimet shoqërore, mangësitë dhe defiçitet në legjislacion, duke mos përdorur asnjë epitet fyes. Vetëm shifra dhe konkluzione.

Çfarë rëndësie ka kush e ka shkruar fjalimin! Rëndësi ka qasja që aplikohet nga disa njerëz në një sallë ku ushtrim kryesor është ulërima dhe luksi. E befasishmja këtu është të shohësh sesi Xhelal Mziu, epitoma e dikurshme e dallkakukut të provincës, shfaqet sot si alternativë e arsyes në një opozitë që nuk di nga po shkon e çfarë do. Zoti Mziu nuk shihet as të fyejë apo çirret me zë të lartë, ndërkohë që në ndarjen e madhe Berisha-Basha, u tregua dinak duke gjetur një balancë të vetën.

Sigurisht që Xhelal Mziu nuk është fytyra e re e opozitës, por kush mund të jetë? Agron Gjekmarkaj?! Që nuk merret vesh nga do shkojë në ditët në vijim? Apo Flamur Noka, një personazh që e bën me turp çdo parlament. Edhe këtë të Këtyre që merren me politikë. Salianji?! Gazmend Bardhi? Mziu foli për pensionet pa shfaqje dhe performancë personale, por me renditje të dhënash. Është një evolucion i dikujt që në fund të fundit ka firmosur ca letra në planin administrative dhe nga vetë qeveria e PS-së rezultoi si menaxheri më i mirë në pushtetin vendor në kuptim të administrimit të të ardhurave.

Mund të tingëllojë gjithë ditën qesharake që Xhelal Mziu të vijë në vështrim jo për nivelin e vet, por për sjelljen publike në një institucion. Por ja që kështu është. Dhe është kaq e vërtetë një gjë e tillë edhe në raport me Braçet, Spiropalët dhe të tjera socialistë apo demokratë në atë sallë ku performohet dhe shitret në çdo gjë. Ka nevojë vendi edhe për njerëz që ngrihen, flasin dhe ulen pasi kanë paraqitur një pretendim. Ka nevojë vendi për sjellje normale. Xhelal Mziu e përfaqëson këtë në momentin që flasim, në një parlament skizoidësh.

Xhanëm edhe Ilir Beqja prezantohet si më normali në rendin e të pandehurve, ku spikasin edhe ata që kanë kolegë në SPAK, apo nga ata që kur hyjnë paralajmërojnë revolucione. Fundi fundit, duhet pak dinjitet edhe në hall.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.