Arrihet marrëveshja për tre postet kryesore të BE-së

Postuar në 25 Qershor, 2024 17:57

Gjashtë liderët e BE-së që negociojnë postet kryesore të Bllokut kanë rënë dakord që Ursula von der Leyen e Gjermanisë, António Costa i Portugalisë dhe Kaja Kallas e Estonisë do të jenë tre emrat e zgjedhur. Ata do të marrin pozitat më të larta në Komisionin Evropian, Këshillin Evropian dhe shërbimin e politikës së jashtme, sipas pesë zyrtarëve të BE-së, të cilëve u referohet Politico.

Gjashtë negociatorët janë kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis dhe kryeministri polak Donald Tusk (për Partinë Popullore Evropiane), kryeministri spanjoll Pedro Sánchez dhe kancelari gjerman Olaf Scholz (për socialistët) dhe presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministri holandez Mark Rutte (për liberalët).

Pas kësaj dakordësie, tre emrat e përzgjedhur do t’u paraqiten krerëve të shteteve dhe qeverive në takimin e liderëve të BE-së në Bruksel të enjten.

Duket se kryeministrja italiane Giorgia Meloni nuk do ta presë mirë faktin që nuk ishte e përfshirë në negociata pasi grupi i saj politik në Parlamentin Evropian, pas zgjedhjeve europiane është i treti nga madhësia.

Meloni nuk ishte pjesë e diskutimit të së martës, një kusht ky i vendosur nga liberalët dhe grupet e qendrës së majtë, të cilët ishin zotuar të mos e mbështesnin Von der Leyen nëse ajo arrinte marrëveshje me lideren italiane.

Megjithatë, Italia ka të ngjarë të marrë një portofol shumë të lartë në Komisionin e ardhshëm Evropian.

Kryeministri hungarez, Viktor Orbán, ishte i pari që reagoi në lidhje me marrëveshjen për tre postet kryesore të BE-së. Ai tha se “marrëveshja e EPP-së bërë me të majtët dhe liberalët bie ndesh me gjithçka në të cilën bazohej BE-ja. Në vend të përfshirjes, ajo mbjell farat e ndarjes. Zyrtarët e lartë të BE-së duhet të përfaqësojnë çdo shtet anëtar, jo vetëm të majtët dhe liberalët!”

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.