Europa ka nisur luftën hibride ndaj vetes në Kosovë dhe Ballkan

Postuar në 07 Maj, 2024 14:38

Gazeta “Koha Ditore” mban sot tri tituj të ndryshëm për sa i përket anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës që do të duhet të votohet së afërmi. Gjermania kërkon që të ketë hapa konkretë për Asocacionin e Komunave me Shumicë Serbe, Franca gati e kushtëzon votën pro me dërgimin në Kushtetuese të Asocacionit, kurse Britania e Madhe mbështet pa rezerva anëtarësimin e Kosovës.

Ndërkohë raporterja Bakojanis dhe Asambleja ka rekomanduar anëtarësimin e vendit të cilit i mbahen në fuqi masa sanksionuese, premisat për të cilat nuk ekzistojnë më. 

Çfarë politike mund të quhet kjo? Dhe pse Kosova do të duhet të këmbëngulë atëherë për të hyrë në Këshillin e Europës? Sepse është një gjë të prezantosh një politikë të caktuar për disa kategori vendesh dhe krejt tjetër të shpikësh kusht pas kushti vetëm për një vend. Kjo është një politikë e dedikuar për të izoluar kryeministrin e Kosovës, qeverinë e tij, për ta poshtëruar pse jo, në këmbim të lëshimit për Asocacionin, ndërkohë që pala tjetër, Serbia pështyn në surratin e BE-së duke vënë numër dy të qeverisë një person që ka pranuar përfshirjen në aktivitete të dënueshme, ka një markim non grata nga SHBA, ka një dekoratë nga Rusia e kështu me radhë. Vulin është sikur Milorad Radoiçiç të jetë ulur në qeveri duke nxjerrë gjuhën dhe kapur testikujt para Josep Borell.

Është padyshim një politikë disproporcionale ndaj Kosovës e udhëhequr nga një direktivë ultimative për stabilitetin që lidhet si zakonisht me ngjarje të tjera si Ukraina. Mirëpo Perëndimi, me apo pa Kosovën dhe Serbinë po humbet në Ukrainë dhe të lidhësh dy situata sigurie nuk ka më asnjë sens praktik dhe është tashmë e qartë se hapja diplomatike e Kinës në Europë prevalon në ofertën e vet ndaj Serbisë përkundrejt ofertës retorike të Europës.

Mirë apo keq, afër apo larg, BE-ja e ka humbur Serbinë në kuptimin që marrëdhënia me të i ngjan një lloj izopolitie që nuk mund të menaxhohet përherë duke lëshuar mallin dhe territorin e tjetërkujt, pasi kështu BE-ja duket se nuk po kupton dot gjë nga e ardhmja veç nevojave për publicitet të njerëzve si Emmanuel Macron.

Kosova ka ezauruar çdo mundësi dhe mjet për të sqaruar dhe bindur partnerët apo ndërkombëtarët se ajo që ata kërkojnë pa kushtëzuar me njohje nga Serbia paraprakisht, është e papranueshme për shkak se Beogradi nuk po synon më të dalë nga tuneli diplomatik për Kosovën, por por fiton kohë për të marrë peshë në lodrat strategjike mes dy blloqeve, ku duket qartë se Perëndimi po manifeston dobësinë themelore: atë të vizionit.

Për këtë arsye Prishtina e ka të detyrueshme politikën e ndërveprimit me aleatë që mbështesin opsionin e saj politik si Britania e Madhe, që ka një qasje papajtueshmërie me Rusinë, në dallim nga Europa që pa dashur po bën politikë hibride ndaj vetes. Dhe për ata që e dinë mirë, thelbi i luftës hibride është se nuk e kupton kur ajo nis.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.