Në pritje të dezinformimit!

Postuar në 29 Prill, 2024 16:17

Gazeta amerikane “The New York Times” ironizonte në një shkrim të vetin të ditëve të fundit, lajmin e disa arrestimeve në Europë nën motivin e spiunazhit në favor të Kinës. Befas Europa është zgjuar dhe ka nisur të veprojë ndaj Kinës dhe rrjetit të saj operativ që sipas vlerësimeve të agjencive të specializuara ka interes edhe për informacione politike të nivelit të lartë dhe ndikimin e vendimmarrjes.

Dy arrestime në Gjermani dhe katër në Britaninë e Madhe cilësohen si kthesë për vende që kanë mbajtur marrëdhënie të ngrohta me Pekinin për dekada. Nga ana tjetër, Kina ka ardhur në vështrim si kërcënim sistemik dhe strategjik shumë më serioz sesa Rusia pasi në fjalët e shefit të shërbimeve gjermane, Thomas Haldenwang, “Rusia është stuhia, Kina ndryshimi klimatik”.

Ky moment ka dy aspekte me rëndësi: së pari se veprimtaria e spiuanzhit kinez cilësohet nga agjencitë perëndimore me rëndësi parësore, përmbi atë të spiunazhit rus që përfaqëson një vend me të cilin BE-ja është de facto në luftë. Kjo lë të kuptohet se aktualisht po veprohet për të sanitarizuar terrenin politik dhe institucional që në një të ardhme jo të largët mund të duhet të marrë vendime me shumë rëndësi dhe që përbëjnë kthesë politike.

Së dyti, vetë arrestimet konfirmojnë një lëvizje politike që duket se e ka sjellë Kinën në vëmendje kryesore dhe po vepron për ta distancuar atë si rival dhe me gjasë për ta rikonsideruar marrëdhënien në konteskt strategjik. Për ta kuptuar se sa vlerë ka kjo mund të sjellim rastin e marrëveshjes bërthamore SHBA-Iran të vitit 2015, që u miratua nga ish-presidenti amerikan Barack Obama, që anashkaloi edhe informacionet për trafik masiv droge të Hezbollahut drejt SHBA.

Megjithatë, duhet thënë se edhe pas rënies së Murit të Berlinit, asnjë shërbim perëndimor nuk hoqi dorë nga veprimtaria e zbulimit të jashtëm, provë e të cilave janë edhe këto arrestime që kanë më tepër vlerë politike.

Si vende partnere, është e njohur që këto vende të veprojnë në bashkëpunim me njëri-tjetrin kundër atyre që quhen kundërshtarë strategjike dhe ky rend punësh vlen edhe për Shqipërinë si vend anëtar i NATO-s. Mirëpo këtu vjen në vështrim një tjetër realitet. Si episod i parë publik i përfshirjes së shërbimeve të huaja në jetën shqiptare mund të sillet përgjimi nga shërbimet gjermane që u cilësua nga kryeministri Edi Rama “si miqësor”.

Debati i shtirur 30 vjeçar për dosjet e Sigurimit të Shtetit, nuk ka kaluar asnjëherë nga dosjet e bashkëpunëtorëve të shërbimeve të huaja, duke mbetur thjesht një “zhurmë spiunësh” të brendshëm dhe shantazhi. Sot që flasim, Parlamenti ka ngritur një komision për Dezinformimin, që do të duhet të merret me këtë dukuri që është ndër më të sofistikuarat, por pa zbuluar se mbi cilat premisa vjen kjo gjë.

Edhe arrestimet e fundit në Perëndim nuk lidhen me dezinformimin, madje as edhe me propagandën kineze, që do të ishte më e lehtë për t’u identifikuar edhe në Shqipëri, kështu që komisioni në fjalë është asgjë më shumë sesa një lloj shtojce enveriste e rrezikut nga socialimperializmi kinez për aleatin kyç të SHBA në Ballkan.

Nuk ka asgjë profesionale në trajtimin e dosjeve, të trashëgimisë së Sigurimit të Shtetit, nuk ka asgjë të qartë për ndarjen e aktivitetit në shërbim të të huajve që vazhdon edhe sot sidomos nga njerëz të botës së krimit që përdoren për gjithfarë lloj punësh në këmbim të garancive personale. Dhe nuk ka asgjë profesionale dhe reale edhe te ky komision që vepron mbi një lëndë që kërkon shumë aftësi dhe tjetër qasje.

Ka disa vite që flitet për ndikime malinje, për infiltrime, dezinformacion e kështu me radhë. Ka disa kohë edhe që u fol për “partinë e rublave”. Por nuk ka një shembull të vetëm – si arrestimet në Europë – që të justifikojë këtë mekanizëm parlamentar. Ka vetëm zhurmë dhe tym në një shoqëri ndaj së cilës nuk mund të bësh më asnjë diversion, as dezinformim, materie këto që kanë të bëjnë me struktura ekonomike të ngulitura që duhen çmontuar apo minuar. Shqiptarët duken të dorëzuar dhe me gjasë, nëse vazhdon kështu, pakkush do besojë se ky është vendi ynë realisht. Por nuk ka sesi kjo të shihet si diversion, propagandë apo dezinformacion i huaj. Edhe pse Erjon Braçe mund të miratojë raporte sa të dojë.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.