Diplomaci personale për thyerjen e Prishtinës, jo Dialog me Serbinë

Postuar në 15 Mars, 2024 15:29

I Dërguari i Posaçëm i SHBA për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka vijuar turin e vet në Kosovë, duke konfirmuar edhe njëherë se ai është një diplomat që ka prioritete të tjera nga tagri i detyrës së vet. Zoti Escobar ka bërë çmos të përsërisë vetëm kushtet për qeverinë e Kosovës, ndonëse është kapur në befasi gjatë vizitës së tij nga vendimi i Prishtinës për kthimin e pronave Manastirit të Deçanit. Duke minimizuar këtë akt, Escobar ka rendur në Manastir prej nga ku ka dhënë një deklaratë përmes së cilës ka shprehur shqetësimin e vet të madh për ndalimin e dinarit në Kosovë, për të vijuar mandej me shpikjen e kushteve të reja për anëtarësimin e vendit në Këshillin e Europës.

Tani, janë dy kushte të tjera që i kishte përmendur Këshilli i Evropës dhe që po i kërkojnë disa vende evropiane. Njëri është... [ka të bëjë] me disa veprime për shpronësimet që po bëhen në veri. Dhe, tjetri është Asociacioni

ka thënë ai në një intervistë për Radio Evropa e Lirë.

Lidhur me këtë çështje, zv.ministri i Jashtëm i Kosovës, Kreshnik Ahmeti, ka thënë se kthimi i pronave Manastirit të Deçanti ka qenë i vetmi kusht që i ka ngelur Kosovës që nga janari për anëtarësimin në KiE. Sipas tij, as në kabinetin qeveritar nuk ka pasur konsensus për këtë vendim.

Pra këtu kemi dy variante mbi kushtëzimet ndaj Kosovës, që na bën të kuptojmë se në të vërtetë diplomacia perëndimore, e shprehur në emrat Escobar, Lajçak dhe Borrell, i ka hapur luftë qeverisë në Prishtinë. Escobar ka arritur deri aty sa për të bërë të qartë kundërshtitë e tij ndaj Prishtinës të thotë se SHBA nuk do lobojë që Kosova të anëtarësohet në Këshill.

Mendoj se jemi duke i vlerësuar të gjitha opsionet. Neve ende na duhet Asociacioni [i komunave me shumicë serbe]. Ai është kyç

citohet ai.

Dallimi në cilësimin e kushteve mes qeverisë së Kosovës dhe të Dërguarit Special, nuk është më aspak problem komunikimi, por vullneti. Zoti Escobar, Lajçak dhe Borrell, në të vërtetë duket se kanë si qëllim thyerjen e Kurtit dhe çuarjen përpara të një axhende që e sheh të ashtuquajturën zgjidhje të ngërçit duke imponuar variante që nuk shkojnë në interes të Kosovës, por me gjasë të karrierave të tyre. Aktualisht si BE, ashtu edhe SHBA janë në prag zgjedhjesh dhe çdo sukses diplomatik do të hynte në ekuacion, pa injoruar faktin se ndryshimi eventual I administrative do të sillte të papritura.

Ajo që shohim sot është identike me mënyrën sesi emisarët perëndimorë mbrojtën Aleksandër Vuçiç pas takimit të Ohrit dhe sesi vazhdojnë të mbrojnë Serbinë për Banjskën. Radoiçiç, autori i vetëshpallur i ngjarjeve të 24 shtatorit, është në kërkim ndërkombëtar, por ai qëndron dhe jeton në Serbi, ku edhe siç raportohet së fundmi financohet nga qeveria serbe.

Nga ana tjetër, kushtëzimi i anëtarësimit të Kosovës me Asocacionin, është tërësisht arbitrar dhe nuk vjen në përputhje me asnjë kërkesë që t’i përgjigjet realitetit. Hyrja e Kosovës në KiE është në kuadër të procesit të anëtarësimit në BE, finalizimi i të cilit lidhet me plotësimin e disa standardeve, që derivojnë nga paradigma e një vendi demokratik. Hyrja në Këshill është një akt politik që nuk ka sesi të kushtëzohet me një aspekt të shtetformimit të Kosovës që është Asocacioni, vetë ky I propozuar nën modelet e brendshme të BE-së. Në kushtet kur Kosovës i kërkohet të plotësojë disa të drejta, është e udhës që vendi të pranohet në KiE, për të vijuar mandej me ecjen përpara me standardet dhe detyrimet. Që vlejnë edhe për Serbinë. Zoti Escobar duhet ta dijë se vendimi për pronat e Manastirit të Deçanit është formalisht zbatim i një vendimi të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të vitit 2016, pra pa qenë në KiE, ka një akt juridik detyrues që ka të bëjë me të drejtat bazë.

Asocacioni nuk ka sesi të jetë i tillë sepse është çështje e organizimit të brendshëm administrativ dhe hyn te standardet. Kështu që megjithë mirëkuptimin që duhet patur për hallin e madh të amerikanëve në Ukrainë, nuk ka sesi që çdo qurravitje e tyre nëpër Europë të kalojë me faturë për shqiptarët, apo për më të dobëtit. Sepse kështu sigurohet paqja. E meqë jemi këtu, pra te paqja. Para pak ditësh, shërbimet amerikane – që mbahen për parashikuese të mëdhaja të së vërtetës – vinin në dukje se në Ballkanin Perëndimor ka rrezik konfliktesh. Me siguri që kanë harruar të shtojnë se paqja në Ballkan rrezikohet kryesisht nga pavendosmëria e Perëndimit dhe sidomos SHBA, njësoj si në Irak, Afganistan, Liban, Gaza e me radhë. Është një e vërtetë që ndihet globalisht, edhe në Ballkan, pavarësisht sesa bukur flet dhe vishet Escobari i radhës.

s.zaimi

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Po or po bjerini asaj ce ka emrin ti. Escobar e kan cu me korruptu Albin Kurtin por ai eshte i pathyeshem. Te gjithe imperialistet e kane zili shtetin e Kosoves por ti marrin te keqen. Nuk do te ndodhe kurre ajo qe ndodhi me Shqiperine qe Edi Rama ja shiti ...(Nuk e di se kujt,).
Ne fakt e di. Ja ka shiti Yuri Kim, zekretarit te shtetit,ambasadorit anglez, te Bashkimit europian, Vucicit, Putinit.
Dhe tani ka plas sherri se kush do ta hipotekoje Shqiperine.
Me Albinin nuk ka gjasa te ndodhe kjo. Ai e ka bere Kosoven shkemb graniti buze...nuk e di se kujt, zgjidheni vete. Vazhdoni thurini lavde Albinit se vetem ai eshte titan dhe do ti munde te gjithe gogolat me ne krye Vucic e Rama e duke mbaruar me Eskobar. Sa te vije Vellai Madh ne pushtet ne Amerike. Pastaj ja tregon ai qefin te gjitheve
Sigurisht nuk do ndryshoje asgje,do vazhdoje te kete perplasje prape me Ameriken,por do jene thjesht keqkuptime.

Submitted by redaksia on

Cilat lavde se nuk e kuptoj? Po cfare kushtesh jane per anetaresim ne KiE "disa shpronesime ne Veri"? Pse nuk ka SHBA karagjoze qe shohin karrieren e tyre, qe sponsorizohen, qe lobohen? Po pse serioz eshte nje sekretar Shteti qe vjen e deklaron se Edi Rama eshte kryeminister shume i mire? E ka tager ai kete gje? Nuk e kupton qe e kuptojne te gjithe se per cfare po flet? 

Nuk e shohim ne qendrimin e Borrell per Gazan? Teresisht ndryshe nga pjesa me e madhe e BE-se? Nuk eshte pikepamje personale cilesimet qe po ben ai per urine etj? Apo meqe jane te huaj e patjeter jane te shenjte? 

Nuk ka shkemb graniti me shqiptaret jo, e dime kaq. Se e dime qe jemi milet qe shohim nga duart. Por nje gje eshte te kerkosh dicka qe ka kuptim, e tjeter te shpallesh hapur se politika jote eshte Pro atij tjettrit. Se kaq duket. 

U plagosen 19 ushtare nga serbet, e Perendimi deklaronte se e ka fajin Kosova. Pse duhet ta pranojme ne kete si te drejte? Pranojeni ju zoteri! 

Submitted by Anonymous (not verified) on

Kot me te pyet : Ne kuadrin e diplomacise "personale" duhet te kete nje interes personal? Nuk do ishte rasti ta sqaronit cili mund te ishte, qofte edhe duke supozuar? Te gjithe i blika ky Vucici? Paska qene parelli i modh vallahi.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.