Vetëdija kombëtare në vetvete nuk është një fenomen statik

Postuar në 14 Mars, 2024 16:15
Intervistoi për ResPublica: Eleana Zhako

 

Me shkrimtarin Telemak Koça na lidhin shumë të përbashkëta. Shtëpitë tona në Athinë janë shumë afër njëra-tjetrës, kemi që të dy origjinë dropullite, ai nga Dropulli i Sipërm dhe unë i Poshtëm, ka kryer studimet e mesme në gjimnazin “Asim Zeneli” të Gjirokastrës bashkë me nënën time dhe kam pasur nderin të organizoj prezantimin e librave të tij në kuadrin e projektit “Kronikë në Dropull” në vitin 2016 në fshatin Derviçan. Para se të njihesha me librat e Telemakut, njohuritë e mia mbi letërsinë e shkrimtarëve minoritarë grekë në Shqipëri e Greqi, ishin inekzistente. Madje, nuk mund të mohoj, që kisha një përqasje paragjykuese, duke e konsideruar si krijimtari folklorike dhe me nuanca nacionaliste, derisa zbulova me habi e admirim veprat e Telemakut, që jo rastësisht radhitet ndër shkrimtarët e njohur në Greqi.

Pas njohjes me letërsinë e Telemakut, pyetja që më lindi natyrshëm është, se përse popullariteti i pjesshëm që gëzon në Greqi, nuk është përçuar sadopak edhe në Shqipëri. Ndoshta kjo ka të bëjë me faktin, që shumë tema e subjekte vazhdojnë të jenë ende tabu për opinionin letrar e publik shqiptar, sidomos kur bie fjala për letërsinë e pakicave të huaja. Libri i tij “Në bregun përballë” (Botimet Toena), që është përkthyer edhe në shqip, është një libër, që meriton të lëvrohet më gjerësisht, qoftë për nga tematika, qoftë për nga problematika që ngre dhimbja njerëzore. Pavarësisht, se ngjarjet përqëndrohen kryesisht në kufirin greko-shqiptar dhe ngjajnë se kanë një karakter më lokal, mesazhet që përcjell janë universale, njëjtë me ato të filmit gjerman “Jetët e të tjerëve” dhe të letërsisë, që i kushtohet jetës në sistemet totalitare. Telemaku është autor i mbi katërmbëdhjetë librave në greqisht dhe përkthyes i dy veprave të Kadaresë, krahas përkthimeve të tjera.

Këtë herë do të takohemi në Bruksel, ku ai ka ardhur të vizitojë të bijën, një e përbashkët tjetër, që i është shtuar marrëdhënies sonë. Telemaku nuk ankohet për grinë e rëndë plumb të qiellit belg, siç ndodh rëndom me pjesën më të madhe të vizitorëve mesdhetarë në Belgjikë. Parapëlqen që biseda të bëhet në gjuhën tonë amtare, në dialektin dropullit, ndonëse për qëllimet e intervistës, do të ishte lehtësuese për mua në shqip. Kam përballë nxënësin më të mirë të gjimnazit "Asim Zeneli", kooperativistin që punoi 20 vjet në kooperativë, duke paguar dënimin e familjarëve të vet dhe shkrimtarin më të njohur të minoritetit grek të Shqipërisë.

***

Shkova në Greqi, që të zhvillohesha si shkrimtar në gjuhën greke. Nëse do të jetoja ende në Shqipëri dhe do të shkruaja në greqisht, në gjuhën e minoritetit, do të më lindte pyetja ‘’vallë për kë shkruaj?’’. Greqishtja ime ishte e cunguar, pasi vetëm filloren kam kryer në greqisht (por edhe gjer në klasën e shtatë, gjuhë e lexim greqisht një orë në ditë) dhe në atë kohë nuk kishte as televizor, dhe as libra në gjuhën përkatëse, që ta kultivoja më tej. Emigrova drejt Greqisë, me pasuri të vetme greqishten e familjes, atë të këngëve dhe poezive popullore. Po të marrim parasysh që gjuha greke është një oqean gjigant, unë lundroja në këtë oqean me varkëzën time të vogël gjuhësore.

Pavarësisht se isha ndër nxënësit më të mirë të gjimnazit “Asim Zeneli” në Gjirokastër, nuk m’u dha e drejta të vazhdoja studime universitare, pasi im atë kish bërë 7 vjet burg për agjitacion e propagandë. Im atë qe komunist, por ishte gojëlëshuar (u shpreh kundër krijimit të kooperativave bujqësore dhe erdhi në kundërshtim me vijën e Partisë) dhe bashkë me vëllain e tij të madh Vangjelin, dolën para të njëjtit gjyq në vitin 1959, ku u dënuan 8 vjet njëri dhe 15 vjet tjetri. Vëllai tjetër i tyre, Jorgo Koça, ishte prokuror, por pas dënimit të babait tim e ulën në detyrë. Kurse vëllai më i vogël Petro Koça, i cili pat kryer studimet në Hungari e në Bashkimin Sovjetik, punonte si pedagog në Universitetin e Tiranës. E njihnin të gjithë doktorët e Shqipërisë, pasi jepte kimi organike. Jorgo Koçën nga prokuror, e çuan të punojë si drejtues në një fabrike qelqi, por më pas e hoqën edhe nga atje, ndërsa Petron e shpunë të punonte në Vlorë si kimist. Përpos kësaj, Jorgo Koça ka qenë edhe përkthyes mes Niko Zahariadhit, udhëheqësit historik të partisë komuniste greke dhe Enver Hoxhës.

Historiku i akuzave në familjen tonë është i hershëm, sepse përpara burgimit të tim eti dhe vëllait të tij, babai i tyre, pra gjyshi im, u akuzua në vitin 1945 si agjent grek. E futën në burg me akuzën e rreme se kishte mbledhur 150 luftëtarë në Dropullin e Sipërm për ta çliruar. Arriti të dilte falë të birit Jorgo Koçës, që në fillim ishte prokuror në Gjirokastër e pastaj në Tiranë dhe kush e di sa dënime me vdekje kish dhënë. Doli nga burgu në gjendje të rëndë shëndetësore, nga uria, të mosushqyerit. I biri, Jorgo Koça ishte i martuar me motrën e Spiro Panos, dropullit edhe ai, komunist i Shkodrës, që arriti madje të bëhej dhe nënkryetar i Këshillit të Ministrave. Por, me heqjen e Jorgo Koçës për shkak të burgosjes së vëllezërve të tij, njëra pasojë solli tjetrën, rënia preku gjithë familjet e përfshira.

Dropullitët nuk kanë qenë më të privilegjuar në kohën e Hoxhës, sikurse pretendohet rëndom. Derviçani, fshati më i madh i Dropullit, i cili njihej kryesisht si fshat partizanësh, ka pasur më shumë të burgosur politikë sesa fshati fqinj Lazarati, ku pjesa më e madhe e lazaratasve kanë luftuar me Ballin Kombëtar. Ndërsa Dropulli i Sipërm, për shkak të afërsisë më të madhe me kufirin grek, kishte akoma më shumë të burgosur se Dropulli i poshtëm.

Shqipen e mësova mirë kur shkova të kryej shkollën e mesme në Gjirokastër. Mësuesit tim të letërsisë Agim Shehut i pëlqenin shumë hartimet e mia dhe thoshte, që një ditë do të bëhesha shkrimtar. Një nga tregimet e mia u botua te “Zëri i rinisë”.  Kam qenë ndër pesë nxënësit më të mirë nga 120 nxënësit e gjimnazit, me nota shumë të mira edhe në lëndët ekzakte. Kisha marrë pjesë në konkursin për matematikë - fizikë dhe kimi në Radio Tirana ku Dritëro Agolli, si i ftuar, foli për një rast, që duhej marrë shembull, “një nxënës, që ndodhet këtu mes jush, ndërkohë që është shumë i mirë në lëndët ekzakte, shkruan edhe letërsi shumë të mirë”. Për tri ditë, fitova famë ndër krejt nxënësit më të mirë të Shqipërisë, një pjesë e të cilëve u bënë njëmend të famshëm në ato vite. Megjithatë, nuk m’u dha mundësia të vazhdoj më tej dhe u ktheva në fshatin tim në Vrisera, ku iu nënshtrova fatit tim. Punova në kooperativë nga viti 1969-1989. Shkova edhe dy vjet ushtar në kategorinë e të padëshiruarve për Partinë, të cilët s’kishin të drejtë të mbanin armë, vetëm kazmë e lopatë. Para se të binte sistemi, Vasil Papa erdhi të më intervistonte në lidhje me vandalizmat, që kishin ndodhur në Tiranë.

“Mua gjete të pyesësh i them, unë jam lënë në harresë për 20 vjet, nga 1969-1989”.

E di, që je shndërruar në një lloj gogoli për të tjerët?’’ – më thotë.

Do e mbani gojën mbyllur apo doni të katandiseni si Telemaku, që pavarësisht se ishte nxënës i shkëlqyer s’ patën mëshirë?”. Ishte ai që më shtyu të shkruaja për gazetën e minoritetit “Laiko Vima”.

Ndonëse u detyrova të punoj si kooperativist, librat s’i ndava asnjëherë. Lexoja ç’ të më binte në dorë, pasi librat e mirë mbaronin para se të vinin në Vrisera. Një nga gjërat e mira të atij sistemi ishte, që librat e dobët nuk përtheheshin në shqip. Përgjatë 20 viteve, kisha arritur të shkruaja disa tregime. Vendosa 3-4 prej tyre t’i përkthej në greqisht. Më pas, më erdhi frymëzimi e nisa të shkruaj direkt në gjuhën greke. Një nga ato tregimet u botua në rubrikën letrare të gazetës "Laiko Vima". Ky tregim fliste për një kalë, që ngordhi i lidhur në karrocën e vet. "Cili është ky kalë", më pyetën. U thashë: ‘’Ndoshta ti, ndoshta unë’’.

Kur shkova në Greqi bashkë me katër fëmijët e bashkëshorten time, isha 40 vjeç. Gjeta punë në ndërtim, por s’më jepej në atë profesion. Një ditë vendosa të shkoja te Botimet Kedros dhe të flas nga afër me këshilltarin e asaj shtëpie, Jani Kondon, që ishte edhe vetë poet. Ishin 12-13 tregime. Ka qenë fund korriku dhe më tha, që të kaloja në shtator. Botueses Katia Lebesit, i pëlqyen shumë dhe më shprehu që do t’i botonte, madje kishte urdhër që mos të redaktoheshin, por të mbeteshin në formën, që i pata shkruar. Libri doli në dhjetor me titullin “ Incident në mesnatë’’, që ishte dhe titulli i tregimit më të shkurtër. Tregimi flet për një ndodhinë time të jetuar, kur në mesnatë më trokitën në derë njerëz të veshur me uniformë. “Do më fusin në burg’’, i thashë bashkëshortes, Kaliopit.

Arsyeja që kishin trokitur në atë orë, kishte të bënte me dikë që vdiq dhe duhej të shkoja në një fshat tjetër, në Pepeli, që të lajmëroja. Nuk kisha numër telefoni dhe i dhashë shtëpisë botuese numrin e telefonit të furrës së bukës, që ndodhej afër apartamentit tim në Athinë. Nëse të marrin i thashë furrxhiut, të më lajmërosh kur të vij të marr bukën. Më telefonuan për të më thënë, që isha i ftuar në një panel bashkë me katër shkrimtarë të tjerë grekë në një konferencë shtypi për promovimin e librave të rinj. Gjithë vëmendja u drejtua mbi mua, pasi isha i panjohur në ndryshim nga të ftuarit e tjerë. Ditën tjetër të gjitha gazetat e përditshme e kishin dhënë si lajm, madje gazeta e njohur “Eleftherotipia’’, kishte një shkrim me titull "Vorioepiroti që rrëmbeu vëmendjen". E lexonin dhe bëheshin kureshtarë se çfarë dreqin rrëmbeu vorioepiroti.  

Pavarësisht suksesit të beftë, harrova që isha shkrimtar dhe vazhdova të punoja në ndërtim. Pas një viti gjeta punë në një kompani farmaceutike dhe atëherë shkrova dhe librin tim të dytë. Romani im i dytë nuk qe kaq i mirë sa i pari, ndaj dhe ende u them shkrimtarëve të rinj, që problemi nuk është si të botosh librin e parë, por si të botosh librin e dytë. Kondos i shtëpisë botuese greke “Kedros’’, ma ktheu mbrapsht. U zemërova pak në fillim, por pastaj vendosa ta lë në sirtar. Pas dy-tre vitesh i dërgova të lexonte një novelë të re “Kanarina e fundit”, e cila i pëlqeu dhe u botua. Shkrimtari i njohur grek Menis Kumandareas, më shkroi që të më përgëzonte dhe më tha, që do të vinte dita, që do të shkruaja edhe roman. I ftuar në një emision, bashkë me aktoren Vana Barba, shkrimtari Vasilis Vasilikos që drejtonte emisionin, tha:

‘’I thjeshtë Koça, por nuk e dimë nëse kjo lidhet me veçantinë e gjuhës së tij letrare apo është çështje stili’’.

"Janë që të dyja",-  u përgjigja.

Ndërkohë kisha filluar punë si përkthyes në Ministrinë e Jashtme greke, duke përmbushur në këtë mënyrë mungesën e studimeve universitare. Im at ishte shumë krenar për mua dhe para se të vdiste më kish shkruar një letër, ku shprehte gëzimin e tij, që i biri u bë shkrimtar. Pas pak kohe, ndërroi jetë. Ditën e vdekjes së tim eti, erdhi një numër shumë i madh njerëzish në varrim; gjithë javës kishte rënë shi me gjyma dhe atë ditë shkëlqente dielli. Kurse, kur vdiq gjyshi im, i ati i tij, kishin ardhur shumë pak veta, edhe ata me frikë se mos u bënin vërejtje. Tani, mendova do të bëhem shkrimtar grek dhe do të shkruaj për tema greke, por edhe për pak kohë do të vazhdoj të shkruaj për atdheun tim të vogël, Dropullin. Kështu shkruajta “Këngën e asaj nate”, që deri atëherë e konsideroja novelën time më të mirë dhe në hyrje të librit vendosa një dedikim “Ia kushtoj Dropullit, me të cilin jam përherë i dashuruar”. Më pas, shkruajta novelën “Shi mbi varr”, që i kushtohej një ushtari grek të vrarë në kufi. Aty më zbuloi shkrimtari dhe kritiku grek Dimosthenis Kurtovik, që e cilësoi si roman për shkak të numrit të madh të personazheve, dhe jo novelë, siç e quaja unë, ngaqë ishte 160 faqësh.

Desha të rishkruaja romanin, që ma refuzoi herën e parë shtëpia botuese greke dhe që i referohej viteve të gjimnazit në Gjirokastër.Shtatë dritaret” është romani im i parë prej 330 faqesh dhe u prit shumë mirë nga kritika greke. Pavarësisht suksesit që kisha njohur, e dija që te shtëpia botuese “Kedros” do të isha gjithmonë nën hijen e shkrimtarëve të mëdhenj, por para se të vendosja t’i drejtohesha një shtëpie tjetër, botova përmbledhjen me tregime “Tre breza amerikanësh” dhe romanin “Provë pafajësie” me temë korrupsionin e mjekëve në Janinë, me personazhe shqiptarë. Romani im madhor “Në bregun përballë”, një pasqyrë e marrëdhënieve njerëzore e politike në Dropullin e periudhës komuniste, i cili qarkullon dhe në shqip nga "Toena", me përkthim të Maklena Nikës, u botua nga shtëpia e njohur greke “Psihogios” në një tirazh prej 6000 kopjesh. Më pas botova romanin “Vallja e nuses” dhe pas tij romanin “Kodi i nderit”, i përkthyer nga unë në shqip me titullin “I ngujuari”, që ka të bëjë me vrasjen e një shqiptari në Greqi, i cili u nderua me çmimin “Athens Prize”, por nuk pati sukses të madh. Me romanin ‘’I ngujuari”, “u damkosa” disi si shkrimtar shqiptar. Krahas të shkruarit letërsi, kam përkthyer edhe disa shkrimtarë shqiptarë në greqisht. Kur erdha në Greqi në fillim të viteve ’90, Kadareja ishte shumë i njohur në Greqi, por asnjëherë nuk pati numër të lartë shitjesh. Kam përkthyer në greqisht, “Darka e gabuar” dhe “Aksidenti”, që e konsideroj si librin më erotik të Kadaresë.

Prej vitit 2015, bashkëpunoj me shtëpinë më të madhe botuese greke “Patakis”. Te “Patakis” botova një libër prej dy novelash “Dinosaurët e Athinës” dhe “Udhëtim në vendin e gabuar”, ku në novelën e fundit përshkruaj me nota tragjikomike peripercinë e një turisti suedez, që policia greke e mori për shqiptar. Në vitin 2018, botova romanin “Bojë kine”, që mori dhe çmimin e revistës së rëndësishme letrare “Anagnostis”. Flet për disa të rinj nga Derviçani, që u burgosën në Spaç. Kurse në vazhdim, kam botuar një biografi letrare (Botimet Nikas) për Kristo Dhimën, agjent grek nga Klishari i Dropullit, që u ekzekutua në Tiranë në vitin 1951.

Pavarësisht se shkruaj në greqisht, në Greqi vazhdojnë të më konsiderojnë shkrimtar vorioepirot ose shqiptar që shkruan në greqisht. Kjo është rezultat edhe i tematikës së librave të mi, që lidhen me Shqipërinë, por edhe për shkak të paragjykimeve ekzistuese për gjithçka shqiptare. Megjithatë, falë punës sime dhe mbështetjes që më është dhënë, jam tashmë një shkrimtar i njohur në rrethet letrare greke. Termin ‘’vorioepirot’’ kur e përdorin të djathtët përmban në vetvete dëshira irredentiste. Ndonëse më përfaqëson  termi ‘’vorioepirot’’, preferoj të më quajnë grek nga Shqipëria ose homogjen nga Shqipëria. Ky term është keqpërdorur, sepse në bazë të kësaj mendësie, Vorio Epiri përfshin gjysmën e Shqipërisë jugore. Pra Vorio Epiri nuk i referohet vetëm minoritetit grek, por përfshin edhe vllehët, korçarët, ortodoksët shqiptarë në përgjithësi. Unë i përkas vetëm minoritetit grek. Më tejkalon si term, është më i madh se unë. Ndoshta në të kaluarën shumë prej shqiptarëve ortodoksë, në mungesë të një vetëdijeje të konsoliduar shqiptare, të kenë pasur vetëdije greke, por mos harrojmë që ortodoksët shqiptarë janë ngjizësit kryesorë të vetëdijes kombëtare shqiptare. 

Vetëdija kombëtare në vetvete nuk është një fenomen statik.  Flitet gjithmonë për shqiptarët “e konvertuar” në grekë dhe gati aspak për rastin e kundërt, për grekët që zgjodhën me vetëdije të jenë shqiptarë. Branko Merxhani, një ndër intelektualët shqiptarë më të rëndësishëm, është me origjinë nga Sopiku i Dropullit, grek etnik nga ana e të atit. Po ashtu Spiridhon Kacaros, që ka qenë kreu i shërbimeve sekrete në kohën e Zogut, ishte grek nga Korfuzi. Kol Idromeno ose Nikolla Idhromeno, pavarësisht se nga ana e të atit në Shqipëri konsiderohet me origjinë çame, nuk mund të mohohet edhe elementi i tij grek nga Korfuzi.

Në rastin e Petro Markos, i cili kishte si gjuhë amtare greqishten, shqiptarizmi i tij i theksuar erdhi kryesisht si rezultat i përplasjes së tij në Athinë me rrethet nacionaliste vorioepirote e greke, çka solli dhe përjashtimin e tij nga universiteti i Athinës. Markos nuk ia falën asnjëherë faktin, që punoi si mësues i gjuhës shqipe gjatë kohës së Zogut, duke thyer kësisoj grevën e arsimtarëve në zonat greqishtfolëse të Shqipërisë, Për më tepër Petro Marko kishte bindje të majta dhe ishte internacionalist, çka binte në kundërshti me frymën e djathtë të nacionalistëve grekë. Për mendimin tim, në pjesën e dytë të librit “Intervistë me vetveten”, e cila u shkrua pas rënies së sistemit, ishte më i vërtetë sesa në pjesën e parë, që u shkrua gjatë kohës së komunizmit.

Nuk është e rastësishme që zgjodhi t’i vendosë emrin të birit Jamarbër, i duhej të dëshmonte vazhdimisht shqiptarinë e tij - e megjithatë Enver Hoxha nuk e besoi. Pra, gjuha amtare nuk mjafton për të formësuar vetëdijen kombëtare, që të ndihesh grek a shqiptar.  

Comments

Submitted by Aqif (not verified) on

Nje interviste sa terheqese po aq plotpershkruese e atij sistemi dhunues qe pervec shqiptareve nuk kurseu as pakicat etnike me kombesi te huaja.
Jane me qindra (mos te them mijera) malazes e serb ne qarkun e Shkodres qe nuk guxonin te thonin hapur etnine e tyre. Vetem mbas 90s u mor vesh se cili e kush ishte sllav, as fqinjet qe jetonin ne te njejtin pallat nuk e dinin se Vuku apo Vaseli na kishin pas qene sllav.....

Telemaku ben mire qe shkruan, te vazhdoj dhe te ia dedikoj shkrimet e tij vuajtjeve te grekeve etniket, te zezave qe ata hoqen nga regjimi Enverist, regjim ky qe shume here ne elementet anetare te tij kishte edhe greke, qe ndoshta karshi sivellezerve te tyre u treguan me gjakatare se vete shqiptaret komunist.

-‐---Isha femije, 5 ose 6 vjec. Fqinji yne Kico me6 femije kishte disa vite qe e kishin shpengulur ne qytetin tone tok me vellain e tij Apostolin ( edhe ky me shume femije) dhe i kishin futur ne baraka qe minjte loznin dhe shiu e era benin kerdine.
Nena ime po me mbante ne krahe, ishim duke shkuar te kushuriri yne. Po kalonim prane truallit qe Kico me shume lufte e fitoi per te ndertuar nje shtepize me blloqe, (dyshemene nuk e shtroi kurre me cimento as ne vitet 90te kur iku ne Greqi).
Shume here e kisha pare Kicon te punonte vetem, deri ne ore te vona. Duke drejtuar gishtin i them nenes time: "mama sa gjynah xhaxhi Kico, shume po lodhet, perse nuk e ndihmon njeri"? Polikseni, gruaja s Kicos po dilte nga porta, nena ime i mbushi syte me lote kur i tregoi asaj se c'fare i thashe une per Kicon. Ky i fundit e ndertoi shtepine pa ndihme nga askush, nuk i shkonte njeri sepse ishte grek (i pabese) dhe armik i regjimit. Apostolie me femijet deri sa iku ne Greqi jetoi ne varferi ekstreme, por qe te dy ishin fisnike dhe kur i shikoje ne fytyrat kishte vetem krenari....

Kur u rrita, mesova se Kico dhe Apostoli ishin te persekutuar nga regjimi sepse Babai i tyre kishte luftuar kundra komunisteve. Varrin e prinderve regjimi ia kishte shkaterruar diten qe atyre ua kishin hedhur plackat ne kamion, ne Dervican.
Para me shume se nje dekade e takova Kicon, i kishte kaluar te 90tat. E pyeta se ku donte te varrosej, m'u pergjigj "atje ku jane prinderit e mi e nuk u gjenden eshtrat...".

Vjet.
Takova nje shok gjimnazi, ne muhabet e siper e pyes per mesues Jorgon qe ishte tashme biznesmen e politikan.
Me thote se "Jorgo vdiq nga marazi, pasi djali i vetem vdiq nga kanceri...".
Ma keputi shpirtin. Nuk po i besoja fjaleve te tij. Jorgo, ishte nje njeri i dashur, mesues i perkushtuar dhe nder me te ndershmit e qytetit tim. Grek etnik. Grek qe as 10 burra te ndershem shqiptar nuk mund te krahasoheshin me karakterin e tij.
Qofshit te Xhennetit Kico dhe Jorgo.

Submitted by Random (not verified) on

Shume njerezor dhe i sinqerte pershkrimi yt. Të pergezoj.

Submitted by Dori (not verified) on

Kur po lexoja intervisten, mundohesha te isha sa me shume indiferent ndaj nje paragjykimi qe me eshte krijuar me kohe ndaj intervistave te tilla ne pergjithesi (intervista ne vetvete eshte ne rregull dhe intervistuesja korrekte). Ky paragjykim me shqetesonte ne formen e ca red flag-eve te vegjel qe me dilnin pergjate intervistes, per te kulmuar me pas ne paragrafin e fundit, si nje vertetim fatkeq i paragjykimit tim.
Siguria me te cilen thote, per keto figurat e njohura publike, se jane me origjine greke, eshte fyese. Red flag-et per te cilet fola me lart, nuk jane vecse ngacmimi i dyshimit se edhe ky eshte njesoj si te tjeret i infektuar me paragjykime nacionaliste; ma paragjykime te llojit me te pabukur, pikerisht pse fshihen pas gjoja alergjise ndaj vete ketyre paragjykimeve!
Eshte nje fenomen qe e kam vene re tek shume mendjehapur (medemek), te cilet mundohen te fshehin paragjykimet nacionaliste e lloj lloj brockullash te tjera, duke u shfaqur si mendjehapur dhe denoncues te tyre; ne fakt, keta jane me me paragjykime se paragjykuesit qe sulmojne; keta jane paragjykuesit e vertete.
Zoteria, me c'thote, duket se eshte paragjykuar vete ay dy here: nje here ne Shqiperi si minoritar, e tani ne Greqi si vorioepirot, qe dmth nje grek i infektuar nga shqiptaret, qe dmth akoma, qe s'mund te jete kurre grek me titull te plote! Te qenit i paragjykuar ne menyre te tille, duket qarte qe ka ndikur jo pak edhe ne perceptimin qe ka zoteria i nderuar per ceshtje te tilla si keto te identitetit.
Me pak fjale, jemi ne rastin fatkeq, kur i paragjykuari, paragjykon.
Edhe njehere, nga e merr sigurine zoteria te thote qe, bie fjala, Petro Marko ishte grek, por qe rrihte gjoksin si shqiptar, per ato arsyet qe i permend? Sa i sigurt eshte qe keto arsye, jane me te vertete arsye? A mund te sillet si arsye, nga nje shkrimtar kaq mendjehapur sa c'pretendon zoteria se eshte, kjo idhnimit te tij me rrethet nacionaliste greke? Apo Petro Marko ishte nje GREK aq fisnik dhe i virtytshem, sa per shkak te te tyre, hoqi dore nga te qenit grek vetem e vetem per te mos u identifikuar me keta greket e keqinj nacionaliste?!
Me te vertete qe te fyen siguria me te cilen thuhet se filani apo fisteku, ne te vertete kane kete apo ate nacionalitet.

Submitted by Penelopa (not verified) on

I dashur komentues. Duke “akuzuar” Telemakun si paragjykues dhe qe edhe ai si gjithe te tjeret eshte pjese e corbes se retorikes nacionalite, ndoshta pa e kuptuar sapo keni vulosur pakenaqesine, qe i kaplon gjithe tifozet e kombetarizmes si ju, kur disa emra nuk ka origjine shqiptare, ne kuptimin e gjuhes amtare. Fundja c’te ben shqiptar? Te gjithe keta emra qe permend ai, hiq Kol Idromenon sepse mamaja e tij ishte shqiptare, nuk kane gjuhe amtare shqipen. Asnje himariot, dhrimadhiot e palasiot nuk ka gjuhe amtare shqipen, gjuha e familjes eshte greqishtja. Nuk ka rendesi se kur filloi te flitej ne keto tre zona te Himares, ky eshte realiteti. Sa per Branko Merxhanin, ky eshte nje fakt qe dihet per ata qe jane marre seriozisht me biografine e tij dhe sopiqotet. Para dy vitesh nderroi jete e bija e tij ne Amerike. Shkrimtari thote pikerisht ate, qe shqiptaria ne keto raste eshte zgjedhje dhe mire bene, sepse i sollen kontribute madheshtore shqiptarise dhe jane me shqiptare se shume “shqiptare etnike”. Sa per Kol Idromenon, gjyshi i tij ka qene personalitet shume i njohur i Korfuzit.

Submitted by Koco (not verified) on

Dori,
Nuk bën mirë që merr përsipër të flasësh me këtë gjuhë të fortë, ca më tepër që personin nuk e njeh nga afër.
Nuk bën mirë as që merr përsipër të flasësh në emër të Petro Markos. Koça thotë se Marko kishte gjuhë amëtare greqishten, që do të thotë se ka pasur nënën greke (amë- tare). Nuk është e thënë që babai të ketë qenë grek. Unë nuk e di. Kur Petro ka thënë se Himara është shqiptare, ka pasur parasysh jo vetëm territorin e saj, por dhe shumicën e popullsisë së krahinës.

Submitted by Dori (not verified) on

Mbase e kam tepruar pak me kete gjuhen e forte qe thua zotrote. Zoteria i intervistes mund te jete njeri shume i mire dhe i ndershem, por kjo nuk e imunizon ate nga paragjykimet; te cdolloji qofshin ato. Vete diskutimi nese eshte, apo jo, i kesaj apo asaj kombesie, me nene apo baba, te aksh kombesie, me irriton, cka me ben te perdor edhe ate gjuhe pak agresive.
Te flasesh per origjine etnike ne rajonin tone - qe eshte pjese e Mesdheut me perzierjen etnike me te madhe ne bote, perzierje e cila ka ndodhur, si ne asnje vend tjeter te botes, ne mijevjecare - eshte thjeshte qesharake.
Une vete jam nga nje zone qe njihet dhe mburret per qendrese antiserbe; ka shume kenge e rapsodi e rrefenja per bemat e trimerite ne lidhje me kete qendrese; mirepo, une, ashtu sic cilido tjeter i krahines nga jam, mund te jete me gjak te perzier me keta sllave, ose , pse jo , sllav me gjak te paster i shqiptarizuar; kerkimet shkencore mbi adn-ne e popullsive, mbi grupet e gjakut etj, na thone qe popullsite ne Ballkan jane kaq shume gjakperziera; une vete mund te jem me gjak te perzier, mund te jem serb, bullgar, turk, cerkez etj etj ; edhe ti, edhe cilodo tjeter; dhe kjo vlen edhe per serbet, bullgaret, greket, turqit etj.
Pra, ajo qe dua te them, ka te beje me qesharakesine e ketij debatit mbi origjinen. Nje intelektual i vertete e injoron kete argument.

Submitted by Dori (not verified) on

Edhe njehere, nuk me ben pershtypje aspak se cfare origjine ka ky apo ai personash politik, i kultures a shkences. Te gjithe ato persona qe permend zoteria, mund te jene me origjine greke, mund te jene greke; dhe une jam krejt indiferent nga kjo; dhe jo vetem per keto personalitete, por per te gjithe ato per te cilet thuhet rendom se duhet krenuar me to.
Nuk dua te hyj ne muhabete te tilla mbi origjnen e dikujt, me nje baba keshtu e nene ashtu, me nje rrenje ketu, e ca atje, sepse, per mua keto jane kaq qesharake dhe i neveris.
Ajo qe desha te them, eshte qe zoteria i intervistes flet me nje siguri te tille per origjinen e atyre personaliteteve, sa eshte fyese per intelektin; dhe argumentet qe sjell per kete jane po kaq fyese. Po kaq fyese eshte edhe kundervenia ndaj nacionalizmit te semure shqiptar, me te njejten mendesi, pra me nacionalizem te semure grek; grekeve me origjine shqiptare, per te cilet flitet kaq shume studiove televizive dhe portaleve nga llojlloj tipash, ky zoteria u kundervihet me shqiptaret me origjine greke...!!! Qesharake, apo jo!

Submitted by Aqif (not verified) on

I vetmi njeri i semure menderisht me kapacitetin e nje femije ritatd je ti o Dorian.
Per ty ne Shqiperi duhet te flitet vetem per katolicizem dhe katolik, per italian e Vatikan. Ti vuan nga fryma islamofobe dhe (tashme) grekofobe. Ne shek e XXI zoteria juaj paragjykon si gjysherit e tu, nuk ke faj, islamofobine e keni ne gen, kudo ku shkoni, edhe ne mes te New Yorkut ose Brukselit. Nuk zhvilloheni edhe ne 5 breza....

I pa dalur, shyqyr qe ke zbritur ne Tirane nga malet, por edhe aty urrejtjen e ke ne bark e shpirt, cdo gje rreth teje kerkon t'a shohesh si ne Vatikan e Dukagjin, packa se Tirana eshte shehir i shumices me taban Islam e ortodoks. Sic ben gjysherit e tu, qe i derguan leter fuqive te medha se donin te jetonin me Serbine e jo Tiranen muslimane mbas Pavaresise.
Nuk ke asnje lidhje me katolicizmin, se po te kishe do te kishe paqe shpirterore dhe mendje te kthjellet me cdo individ e komb qe nuk jane te grigjes tende. Te vret syte xhamia e Ethem Beut, kur Kishen Katolike e ke jo me larg se 1 km nga aty. Te bezdis Telemaku qe shkruan per greket etnike ne Shqiperi kur Deputeti i thekur (si puna jote nga mendesia) A Gjekmarkaj shkruan per Kadarene dhe perkrah tij permend vetem katolike, thuaj se civilizimi dhe kultura e kombit i perket vetem minoritetit katolik ne male, qe deri ne 90ten nga Laci e poshte numeroheshin me gishta, biles ju si komunitet jeni me i vogel se komuniteti grek ne Shqiperi.

Nuk te vret ndergjegja sepse nuk zhvilloheni, e keni ne gen. Cd9 gje doni t'a shikoni sic ua ka enda dhe sic jeni. Sikur te kishit intelekt ne kohen e Osmaneve do te ishit po aq te civilizuar sa arumunet e Voskopojes, autonomine vendore si katolike, Porta e larte ua kishte dhene.
Por ja qe prifterinjve tuaj u interesonte te ishit iliterale dhe te jetonit me kanun, ashtu u konvenionte qe t'ju shtypnin sikur Enveri, me diktature fetare.
Osmanet iu ndertuan ura, te lidheshit me krahinat e tjera, por ja qe juve preferonit te jetonit "me mire me ujkun ne mal se sa turkun (muslimanin) ne shehir".
O mjerim i vetvetes, njeri qe akome ke mendesi te para nje shekulli. Nuk ke faj sepse shkollen e ke kryer pergjat regjimit Berishist dhe ketij te sotem qe ju ka lene sikur bagetia ne are.

Per ty, Shqiperia nuk asnje kulture, arkitekture apo civilizim Osman ose bizantin pervec katolikeve ne Dukagjin e Mirdite dhe atyre pak ne Shkoder e disa ndertesave te qeverise fashiste italiane . Po, na shtruan rruget me asfalt qe Zogu nuk mundi.
Njeri pa moral, pa karakter (po ta shkruaj tani ) kur nuk ke dhembshuri e shkruan se " masakrat e Israelit neGaza i mbeshtet). Po, sepse ne genin tuaj vrasja eshte pjese dhe shtylle e familjes me kanun. Lexo, lexo o mjeran sepse ne Boten e krishtere 80% e popullates dhe e akademikeve perfshi ketu edhe hebrenj jane kundra ketij genocidi. Ne Gaza ka edhe te krishtere.
A e di ti se ne Luften e pare ne Palestine ne 1948 Zionistet ne Jerusalem, mbas fitores nje xhami e kthyen ne Sinagoge, nje kishe armene e shkaterruan dhe, per ironine tende nje kishe katolike e kthyen ne WC. Dhe ashtu qendrojne edhe sot e kesaj dite.

E vetmja semundje e ketij kombi jane njerez me mendesi si ty dhe te paret e tu qe duan t'a shohin boten sic kerkon rradakja e tyre.

U zgjata por po te shkruaj dicka tjeter qe im at me nenen time e permendnin gjithmone.
Kishim te denuar me burg ne famllje. Kur shkonim ne Spac, civilet neper rruge nuk donin qe tiu flisnim e pershendesnim (sepse ishim armiq) as nje gote uje ne vape nuk t'a jepnin.... (kam shume ndodhi).
Nje here, prinderit mbeten ne rruge ne Limion te Sarandes pasi autobusi iku. Po prisnin per makine, te uritur, me etje dhe te rraskapitur.
Shkuan dhe trokiten ne nje dere, i zoti i shtepise ua having deren me "kalinita". Babai i foli shqip dhe kerkoi uje per te mbushur shishen.
Zoteria (greku i poshter) e futi brenda. I tha gruas te sillte uje dhe pak buke me djath dhe qep te njoma.......

Shpeshhere babai im e kujtonte kete xhest te ketij greku, dhe i thoshte nenes. Eh moj grua, Rroku e Dranja ne Mirdite nuk te thonin miremengjes kurse Vasili me Marijen ne Sarande te nderonin si princesh.....

Submitted by Dori (not verified) on

E kam thene edhe me pare ne komentet, qe une nuk jam katolik. Jam nga Veriu, po, por i hapesires, le ta themi keshtu, myslimane. E megjithate, nuk jam as mysliman, sepse nuk jam besimtar ( kushti i pare per te qene mysliman, eshte te besosh ne zot); jo vetem kaq por, per mua, feja eshte e demshme, shume e demshme. Kjo e para.
Kam kritikuar, pikerisht ketu ne Respublica, intelektualet "katolike" - ne thonjeza, sepse dreqi e di sa te tille jane, dhe ka me shume te ngjare qe te vetequhen te tille per shkak te te ndjerit , po perdor nje term ne anglisht, entitled - si Zogaj, Marku dhe Gjekmarkaj.
Nuk eshte e vertete qe kleri katolik ka qene i paarsimuar; eshte krejt e kunderta; ka qene kleri me i kulturuar i kohes; ne njohim ndoca si Fishta dhe Mjeda, por ka edhe shume e shume te tjere, qe nuk i njohim edhe pse jane ekzekutuar nga regjimi komunist; dhe meqe ra fjala, kleri katolik ka qene me i persekutuari; me dhjetera e dhjetera klerike te burgosur, torturuar cnjerezisht, varur dhe pushkatuar, gje qe ska ndodhur as me ate ortodoks e as me ate mysliman.
Qe kleri katolik ka qene shume i shkolluar, kete e deshmon edhe vete propganda e kohes se diktatures. Po marr si shembull filmat e Kinostudios ne ate kohe; kleri ortodoks dhe kleri mysliman viheshin ne loje, talleshin; sidomos kleri mysliman, tallja ndaj te cileve shkoi aq larg. Krejt e kunderta me klerin katolik; nuk ka asnje film te Kinstudios qe te tallet me to; perkundrazi, ata trajtohen si armiqte me djallezor te pushtetit popullor ... pikerisht pse ishin te ditur!
Nuk kam asnje lloj paragjykimi ndaj komuniteteve fetare, etnike, kulturore e dreqi i marrte me te gjitha; e kam kaluar kete semundje me kohe; megjithate, referuar statistikave qe nuk gabojne, komuniteti ortodoks eshte me i mirearsimuar se ai mysliman dhe katolik, pavaresisht se ky i fundit i pati kleriket ashtu sic thashe me lart; dhe kjo s'ka te beje me religjionin ne vetvete, per me faktin qe religjioni, cilido qofte ai, NUK eshte asnjehere ne vetvete; pra, jane rrethana komplekse politike, sociale, ekonomike e kudi se cfare tjeter, qe mpleksen me te dhe mund ta na japin perceptime te rrejshme per fene ne vetvete.
Me Izraelin jam derisa barbaret e Hamasit te lirojne pengjet. I ankohen barbaret te gjithe botes, per masakrat qe po ben Izraeli dhe... mbajne me qindra pengje!
Ato pengje, femije, pleq, gra, te rinje e te reja, qe pasi i moren peng, i shetiten rrugeve te qyteteve te Gazes, dhe populli i shumevuajtur palestinez qe ishte derdhur ne rruge dhe sheshe, i shante, i gjuante me gure shkopinj e me cfare t'u ndodhte!

Submitted by Aqif (not verified) on

Ti me mbiemer Rada je katolik. Pseudo katolik sepse nje katolik i mire ka paqe ne shpirt dhe harmoni me te tjere.
Nuk edukohet dhe as meson njeriu per historine nga filmat e komunizmit mbi fete. Filmat e kinostudios vinin ne loje te gjitha fete dhe kkeriket e tyre. Te pasurit dhe intelektualet i vinin ne loje si budallenj...

Kleriket musliman deri ne vitet 50 edukoheshin jashte shtetit dhe brenda. Prej 50s e deri me sot jane te zhytur ne injorance. E kane rrenuar si Islamin po ashtu edhe vakefet.

Behu me i qarte, mos paragjyko tjetrin nga feja apo ngjyra e lekures.
Barbare !?
Barbare jane ata qe shkuan dhe zabtuan, vodhen dge konfiskuan tokat, shtepite dhe pasurite e arabeve etnike. Gjithshka e bejne sepse "zoti ua ka premtuar para 3 mije viteve".

Nuk ka komb barbar! As nje popullsi nuk eshte barbare, arabet I mbrojten jahuduti po ashtu edhe perandoria Osmane. Jahudite u eksterminuan nga te krishteret e Evropes. Ne Spanje dge ne vone pergjat LIIB.
Per me teper keto apo shih ne youtube akademikun hebre Norman Finkelstein.

Roberit,. Nuk I dorezojne sepse nje rob cifut vlen sa 100 te burgosur Palestines. Be burgje ka mbi 2 mije femije nen moshen 15 vjec. Ka qindra persona qe nbahen pa u gjykuar me vite te tera.

Se fundi. As nje pushtues nuk eshte i civilizuar. Dhe asnje i pushtuar nuk eshte barbar. Barbar eshte ai qe djeg, rrenon e shkaterron nje komb e shtet sic eshte Palestina. Dhe cudia eshte se ata qe sot i thone vetes cifute jane European emigrant, njesoj sikur ajo duzine cifute e Vlores qe shkuan atje dge ne intervista ankohen e flasin sikur te jene nga Palestina kur, origjina e tyre eshte nga Spanja.

Edukoje veten te jesh me tolerant. Kjo Bote ka vend per te gjithe. Feja jote Katolicizmi e imja dhe e Telemakut ishin ketu para se te lindnim ne. Pra, prano cdo gje qe sheh. Me urrejtje nuk shkon perpara. Trego meshire per ate qe vuan padrejtesisht. Harron ti krimet qe ben shqiptaret be Greqi kur dolen bga burgu komunist.......

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.