Zbërthim i poezisë së W. B. Yeats, “Dëshiron pëlhurat e qiejve”/ Nga tezgjahu, tek teoria e Ajnshtajnit e më tej...

Postuar në 26 Shkurt, 2024 21:43
 Ilir Sinanaj

 

Jetojmë në një kohë, ku teknologjia na mundëson të përmbytemi me të dhëna të shumëllojshme, që nga kohë pothuajse të harruara e deri në përditshmëritë tona, nga çdo skaj i botës së njohur dhe të ndërlidhur. Kjo vlen edhe për poezitë.

Me poezinë e William Butler Yeats (Uilliam Batlër Jejts), “He wishes for the cloths of heaven (Ai dëshiron pëlhurat e qiejve)”, u njoha rreth vitit 2003, nëpërmjet filmit “Equilibrium (Ekuilibri apo Barazpesha), gjatë një skene me aktorët Christian Bale (Kristian Bejl) dhe Sean Bean (Shon Bin). Filmi trajtonte një temë interesante, ku bota ishte në paqe, në pamje të parë, pasi luftërat ishin zhdukur, si pasojë e një droge të krijuar nga rendi udhëheqës, me përdorim të detyruar, që u hiqte njerëzve aftësinë për të pasur ndjenja. Pra, për hir të rendit ishte flijuar ndjenja njerëzore ose e thënë ndryshe vetë njeriu. Nuk po hyj më shumë në brendi të filmit. Më poshtë po jap 3 vargjet e fundit (8 janë gjithsej) të poezisë “Dëshiron të ketë pëlhurat e qiejve", të recituara nga personazhi i luajtur nga Shon Bin:

6. por i skamur si jam, veç ëndrrat kam!

But I, being poor, have only my dreams;

7. Nën këmbët e tua kam shpalosur ëndrrat;

I have spread my dreams under your feet;
8. ec me butësi sepse shkel mbi ëndrrat që kam!

Tread softly because you tread on my dreams.

Mënyra e recitimit të këtyre vargjeve, së bashku me skenën e filmit, si edhe loja e shkëlqyer e aktorëve Bejl dhe Bin, më bënë që ta kërkoja këtë poezi dhe me kalimin e kohës, ta shqipëroja atë.

Përsiatje rreth poezisë

Si shkruhet një poezi? Në mendimin tim në fillim vjen ideja, nëpërmjet asaj që na rrethon. Më pas individi në mendja rrëmon në magazinën e fjalëve që di, dhe përzgjedh ato fjalë të ditura, që më mirë materializojnë idenë, gjithmonë sipas shkallës së njohjes, që ky individ ka për fjalët që di. Më pas ato rreshtohen në shtratin e metrikës së përzgjedhur; dhe ja ku lindi poezia. Sa përputhet poezia e materializuar me idenë në mendjen e individit, që e ka thurur poezinë në fjalë, këtë gjë nuk besoj se mund ta dimë. Ndërkaq, lexuesi ose lexuesja/dëgjuesi ose dëgjuesja e shijon atë, sipas shkallës së njohjes, që ai ose ajo ka të fjalëve që di, në poezinë në fjalë. Dija për fjalët dhe shkalla e njohjes së tyre varet nga botëkuptimi dhe mbruajtja e gjithsecilit; pë çdo njeri është e ndryshme.

Ndërkaq, një gjë shumë e rëndësishme për të rrokur poezinë, dhe për ta shijuar atë, është elementi njerëzor dhe rrethanat konkrete, që na bëjnë të biem në kontakt me poezinë. Nuk përjetohet njësoj, besoj, një poezi, që e has i vetëm duke e lexuar në një libër, me një poezi që e has të recituar nga dikush, në një rrethanë të caktuar, dhe që më pas zbërthehet nga individë të ndryshëm.

E njëjta gjë ndodh edhe me një poezi në një gjuhë tjetër, e cila nuk është gjuha amtare. Vetëm se këtu, kuptimi i poezisë duhet të kalojë kufijtë gjuhësorë. Fillimisht, duhet të dish fjalët në gjuhën e huaj dhe më pas të kesh një shkallë të caktuar të njohjes së tyre, për t’u gjetur më së mirë ato fjalë në gjuhën amtare, me të cilat të kuptosh përmbajtjen e poezisë. Deri këtu jemi tek përkthimi. Për sa i përket shqipërimit, me leximin apo dëgjimin e poezisë, do të duhet të kemi arritur sa më afër idesë që ka në mendje poeti, që është materializuar në vargje, dhe ta shprehim këtë ide sa më afër që të jetë e mundur me fjalët e gjuhës tjetër, që ndryshon nga ajo fillestarja (anglishtja); pra në shqip.

Një tjetër gjë, që i shtohet përpjekjes kuptimore të poezisë të Jejisit, përveç kufirit gjuhësor, është fakti që ajo është botuar në vitin 1899, pra në fund të shekullit XIX, dhe ne jemi tashmë në dhjetëvjeçarin e dytë të shekullit XXI.

Më poshtë do të shpaloset një zbërthim kuptimor dhe shqipërimi i poezisë “Dëshiron të ketë pëlhurat e qiejve”. Por më parë do të rikthemi tek pjesa e filmit “Ekuilibri”, nga ku e hasa këtë poezi. Kjo pjesë është e rëndësishme pasi ishte kontakti im i parë me të, që e dëgjoja të recituar (tre vargjet e fundit), në një rrethanë të caktuar, pavarësisht se ishte skenar filmi, i cili ishte shumë i arrirë, në mendimin tim, për sa i përket lojës së aktorëve. Por vlen të flitet për rrethanën.

6. por i skamur si jam, veç ëndrrat kam!

But I, being poor, have only my dreams;

7. Nën këmbët e tua kam shpalosur ëndrrat;

I have spread my dreams under your feet;
8. ec me butësi sepse shkel mbi ëndrrat që kam!

Tread softly because you tread on my dreams.

Skena, ku u recituan këto vargje, në përfytyrimin tim, më krijuan atë ndjesi, që merr kur shikon pikturën “Mic Sokoli” nga Sali Shijaku. Pra, e thënë ndryshe, ndjesia e që pata për këto vargje, nuk ishte ajo e një ngashërimi për një dëshirë të papërmbushur, por ndjesia e dikujt, që pavarësisht se dëshira nuk i përmbushet, shfaq një madhështi shpirtërore, dhe për rrjedhojë është në pozitë fuqie, pavarësisht se gjërat nuk shkojnë siç i dëshiron. Kështu, në këtë rast, topi në pikturën “Mic Sokol”, për mua është një metaforë e mospërmbushjes së asaj dëshire dhe Mic Sokoli është ai shpirt i bukur poetik që nuk zhbëhet përpara të pamundurës. Gjithmonë e shohim këtë pikturë si metaforë të bukur artistike.

Këtë shpjegim e bëra me qëllim për të treguar, se pavarësisht temës së poezisë “Dëshiron të ketë pëlhurat e qiejve”, e cila na bën të mendojmë, siç do ta shohim më poshtë, për një dashuri të paplotësuar, më shumë sesa pesimizëm shoh optimizëm. Dhe mbi këtë botëkuptim vetjak, e kam ndërtaur edhe shqipërimin e kësaj poezie.

Kështu, një fjalë kyçe e poezisë është “poor”, që në shqip ka kuptimin i varfër, i skamur, i shkretë, i gjorë etj.

6. por i skamur si jam, veç ëndrrat kam!

But I, being poor, have only my dreams;

Në shqipërimin tim, gjithmonë duke e parë poezinë më shumë nga një pozitë fuqie dhe gëzimi, kam mënjanuar fjalët që të krijojnë një ndjesi mëshire dhe ngashërimi, të cilat janë: i varfër, i shkretë, i gjorë etj. Kam zgjedhur fjalën “i skamur”. Për mendimin tim, kjo përshkruan më saktë përmbajtjen e personazhit të poezisë, pasi ai nuk ka mungesë pasurie shpirtërore, por mungesë pasurie materiale. Ku e mbështes këtë? Le t’i hymë poezisë më në thellësi.

Shqipërimi

Poezia “Dëshiron të ketë pëlhurat e qiejve” ka 8 vargje, të cilat kanë sistem rime të kryqëzuar (1,2,1,2). Në anglisht, të gjitha fjalët të fund të vargjeve që rimojnë janë të njëjta dhe ka 60 fjalë (word count). Në shqipërimin tim kam mundur t’i ruaj poezisë rimën, por pa pasur të njëjtat fjalë që rimojnë me njëra-tjetrën. Në shqip, poezia ka 65 fjalë (word count). Ndërkaq, për fjalën “tread” në anglisht, e cila shfaqet dy herë në vargun e fundit, në shqip kam përdorur njëherë fjalën “ec” dhe pastaj fjalën “shkel”. Gjithashtu për fjalën “half-light”, në shqip kam përdorur fjalën “mugëtirë”. Të gjitha këto hollësi të formës janë të rëndësishme për të shprehur “skamjen” e personazhit, pasi edhe fjalët e përdorura janë të pakta edhe përsëriten. Nga ana tjetër, përmbajtja shpreh botën e tij të pasur shpirtërore. Të gjitha këto përbërës duheshin kaluar nga gjuha angleze në gjuhën shqipe.

Për mua, për sa i përket shqipërimit, përmbajtja ishte kryesore dhe i kam dhënë përparësi. Por nga ana tjetër shqipërimi bëhet gjithmonë e më i arrirë, duke ruajtur edhe strukturën e poezisë në gjuhën e origjinës të përbërë nga sistemi i rimës, numri i fjalës, numri i vargjeve etj. Më poshtë poezia e plotë e Jijtsit:

Dëshiron të ketë pëlhurat e qiejve

He wishes for the cloths of heaven

1. Të kisha pëlhurat, nga qiejt të endura;

Had I the heavens’ embroidered cloths,
2. të derdhura në të artën e të argjendtën e dritës!

Enwrought with golden and silver light,
3. Të kaltra dhe të zbehta e të errëta pëlhura;

The blue and the dim and the dark cloths
4. të natës dhe dritës dhe të mugëtirës!

Of night and light and the half-light
5. Nën këmbët e tua do t’i shpalosja pëlhurat;

I would spread the cloths under your feet:

6. por i skamur si jam, veç ëndrrat kam!

But I, being poor, have only my dreams;

7. Nën këmbët e tua kam shpalosur ëndrrat;

I have spread my dreams under your feet;
8. ec me butësi sepse shkel mbi ëndrrat që kam!

Tread softly because you tread on my dreams.

Poezia nis me një dëshirë nga personazhi: “Të kisha...”. Kjo tregon që ai ka një mungesë materiale. Pas kësaj fjale, na shfaqet pasuria e tij shpirtërore (vargjet 1 deri në 4). Lënda, që i ofron personazhi personit që do, janë “pëlhurat, nga qiejt të endura (vargu 1); të derdhura në artë e të argjendtën e dritës (vargu 2)”. Fjala “qiej” edhe në anglisht është në shumës. Qielli në vetvete është një krijim mahnitës; shumë qiej janë edhe më mahnitës. Kështu këto “pëlhura të endura” jo vetëm kanë marrë një vlerë të lartë, por kanë marrë një vlerë kozmike të kapshme vetëm nga një përfytyrim, që buron nga një shpirt plot botë.

Për fjalën “cloth” në shqip mund të përdoren fjalët: rroba, tesha, basme, cohë, pëlhura, veshje etj. Për fjalën “embroidered” në shqip mund të përdoren fjalët: të thurura, të qepura, të qendisura, të endura etj. Kam zgjedhur të përdor fjalën “pëlhurë” sepse nuk besoj të ketë material tekstili më poetik se pëlhura. Kemi parasysh “Pëlhurën e Penelopës”. Kam zgjedhur të them “të endura”, pasi pëlhura endet! I tillë shfaqet shpesh ky togfjalësh. Pra lënda e qiejve, në përfytyrimin e personazhit të kësaj poezie, sipas botëkuptimit tim, është endur në një tezgjah, vegjë apo avlemend kozmik, për të nxjerrë pëlhurat poetike të dritës. Për më tepër, në shqip përdoret edhe shprehja “end dritën”, që do të thotë shpërndan dritën në një hapësirë të gjerë. Kjo është një tjetër arsye, për sa i përket shqipërimit, për të përdorur fjalën “end”, duke qenë se kemi të bëjmë me dritën në këtë poezi.

Nga lënda e qiejve kalojmë në lëndën e dritës (vargu 2): “të derdhura në të artën e të argjendtën e dritës!”. Një tjetër mënyrë në shqip për ta thënë këtë varg do të ishte: të ndërthurura (të punuara, të shkrira) me dritën e artë dhe të argjendtë. Zgjodha mënyrën e parë pasi kemi në anglisht fjalën “enwrought”, e cila është një formë e vjetër e fjalës “inwrought”, e cila përbëhet nga “in” dhe “wrought”. Fjala “wrought” na çon në mendje punimin e metaleve. Dhe për rrjedhojë, kam përdor fjalën “derdhur”. Kjo pasi në këtë poezi, personazhin nuk e shoh vetëm duke përdorur tezgjahun kozmik, por duke e ndërthur procesin e punimit të pëlhurës edhe me një farkë kozmike. Për sa i përket përzgjedhjes të “në të artën e të argjendtën e dritës” në vend të “me dritën e artë dhe të argjendtë”, mendoj se i përmbahet më shumë temës të skamjes, duke qenë se përdoret vetëm lënda dritë. Më pas (vargjet 3 – 4), kemi llojlloshmëri pëlhurash të endura nga nga intensitete të ndryshme të dritës. Pra, lënda është po drita, vetëm një, të cilën personazhi e ka “zbërthyer” për të krijuar, si të thuash”, më shumë lëndë të tjera. Në vetëm 4 vargje, me 28 fjalë në anglisht (dhe 33 fjalë në shqip (word count)), tek të cilat ka përsëritje, në poezi janë endur pëlhura, fryt i një përfytyrimi jashtëzakonisht të pasur, të cilat na bëjnë të mendojmë për shkallën më të lartë të shkencës, që ka arritur njerëzimi deri në këtë çast, që po shkruhet ky zbërthim i poezisë: fizika kuantike.

Fijet e shkencës

Jejtsi e botoi poezinë e tij në vitin 1899. Ndërsa një vitin 1905, një njeri i etur për njohje do të botonte një studim shkencor duke e shpjeguar dritën të përbërë nga paketa grimcash, dhe ky ishte Albert Einstein (Ajshtajn). Dhe këtu nuk mund të rrimë dot pa pyetur veten: Ku mbaron poezia dhe ku lind shkenca? Po japim një bisedë të shkurtër të Ajnshtajnit me një gazetar:

Ajnshtajni: Besoj në intuita dhe frymëzime. Ndonjëherë ndiej që kam të drejtë. Nuk e di pse. Kur dy ekspedita shkencëtarësh, të financuar nga Akademia Mbretërore (Royal Akademy), testuan teorinë time të relativitetit, isha i bindur se përfundmet e tyre do të përputheshin me hipotezën time. Nuk u habita kur eklipsi i 29 Majit 1919 konfirmoi intuitat e mia. Do të habitesha nëse do të isha gabuar.

Gazetari: Pra t’i i beson më shumë imagjinatës (përfytyrimit) që ke sesa njohjes që ke?

Ajnshtajni: Jam mjaftueshëm artist që ta shfrytëzoj lirisht imagjinatën time. Imagjinata është më e rëndësishme se njohja. Njohja është e kufizuar. Imagjinata e rrethon botën.

Nisur nga kjo bisedë si Jejtsin, si Ajshtajnin, shkalla e njohjes e deriatëhershme, përbënte një kufizim të caktuar për atë, që të dy këta kishin dëshirë të bënin. Dhe të dyve iu desh t’i “nxirrnin fijet dritës”, për të përmbushur dëshirat e tyre. Poetit Jejts iu desh të përfytyronte “fijet e dritës”, për të punuar një pëlhurë poetike, që do t’i mundësonte njohjen e pasurisë së tij shpirtërore një personi që e donte, pavarësisht vlerësimit material që shoqëria i bën njeriut; çka, me sa duket nga poezia, nuk e kënaqte poetin. Ajnshtajni, nga ana tjetër, nga dëshira për të njohur më tej dritën, ndoshta i pakënaqur nga përkufizimi i dritës deri në atë kohë, i “nxori fijet dritës”, për ta njohur më mirë, nëpërmjet ekuacioneve matematikore. Në të dy rastet, si poeti ashtu si edhe shkencëtari, shfrytëzuan imagjinatën e tyre, për të gjetur një zgjidhje për diçka, që e donin, por, që kufizimet e kohës, nuk ua lejonin. Poeti përfytyroi një pasuri, përtej materiales, për të vënë në pah pasurinë shpirtërore dhe për t’iu kundërvënë përkufizimit të pasaktë se vlera e njeriut lidhet vetëm me kamjen e tij. Shkencëtari, me siguri imagjinoi pyetjen “ç’është drita”, për t’i hapur rrugë studimit objektiv, nëpërmjet matematikës, për ta çuar, në këtë mënyrë, njohjen e saj në një shkallë edhe më të lartë, dhe në të njëjtën kohë të përmbushte dëshirën e tij për njohjen e dritës. Dhe kështu, si poeti, si shkencëtari na kanë dhënë një pasuri të madhe, si në njohjen e vlerës shpitërore të njeriut, ashtu si edhe në njohjen e botës fizike, ku jeton njeriu.

Për më tepër, duke qenë se zbërthimi i poezisë na frymëzon të mendojmë për fizikën kuantike, në akademitë shkencore qarkullon tashmë teoria e fijeve, sipas të cilës, gjithësia është e bërë me fije energjish, që vibrojnë. Pra sipas kësaj teorie, bota na qenka një “pëlhurë e endur”...

Nga koka tek këmbët

Në pjesën e dytë të poezisë kemi një kalim të beftë, nga lartësia e së bukurës drejt pjesës më të poshtme fizike e njeriut (vargu 5): “Nën këmbët e tua do t’i shpalosja pëlhurat;”. Pra personazhi, të gjithë këtë punim të bukur që endi me fije drite dhe përfytyrimesh të mahnitshme, qenka i gatshëm ta vendosë kaq poshtë! Për mendimi tim, këtu nuk kemi një varg ngashërimi dhe pesimizmi. Këtu kemi një varg, që tregon sa shumë vlerësohet, nga personazhi, personi që ky personazh e do. Pra, kemi një shfaqje të dashurisë së tij të madhe. Për më tepër, kjo gjë na bën të mendojmë edhe për vlerën që ka njeriu, si qënie.

Pika kulmore e poezisë është (vargu 6): “por i skamur si jam, veç ëndrrat kam!”. Në anglisht është: “But I, being poor, have only my dreams;”. Nuk mendoj, siç e kam theksuar edhe më lart, që për fjalën anglisht “poor” të shkojë të përdoren në shqip fjalë si “i gjorë” apo “i shkretë”. Vargjet e mëparshme, besoj, na e kanë bërë të qartë se mungesa e personazhit nuk mund të jetë shpirtërore. Ajo na shfaqet vetëm materiale. Ky koncept është shumë i rëndësishëm, mendoj, në shoqërinë tonë aktuale materialiste, ku vlera e njeriut po matet, gjithmonë e më shumë, me sa mall ka, sesa, me çfarë vlerash ka dhe me çfarë merret. Madje, për sa i përket vargut, më jepet përshtypja se poeti ka përçmim, për vlerësimin vetëm në pasuri materiale, që i bëhet njeriut, dhe nëpërmjet këtij vargu ai e sfidon këtë gjë, duke bërë thirrje, si të thuash, që njeriu të shihet edhe të vlerësohet gjithashtu edhe nga kapaciteti i tij shpirtëror; kur thotë  nëpërmjet personazhit: “...veç ëndrrat kam!”. Kështu, kjo përplasje midis botës shpirtërore dhe asaj materiale, mendoj se përmblidhet më së miri duke përdorur fjalën shqip “skamje”, për të shqipëruar fjalën anglisht “poor”. Gjithashtu, duke qenë se kemi parë më lart se poezia është ndërtuar me një numër të pakët fjalësh, që kanë edhe përsëritje, fjala “skamje” na shfaqet e goditur, pasi rrjedh nga folja “kam”, e cila përdoret disa herë, si në anglisht, ashtu edhe në shqip.

Pjesën e fundit të poezisë (vargjet 7 – 8) dua ta lidh me pikturën “Mic Sokoli”. Thamë, që kaluam nga shpirtërorja tek fizikja. Personazhi i ofron personit, që do, ëndrrat, dhe thotë (vargu 7): “Nën këmbët e tua kam shpalosur ëndrrat;”. Ashtu si personazhi i pikturës që ka hapur krahët, dhe nga mbrapa ka qiellin, ashtu edhe personazhi i poezisë i ka hapur zemrën personit që do, dhe nga mbrapa ka shpirtin e tij të bukur (vargjet 1 – 4). Në poezi, si në pikturë, personazhet paraqiten në pozitë fuqia, pavarësisht se pritet të ketë pasoja të trishta, pas veprimeve të tyre; i pari pret një refuzim të mundshëm nga personi që do dhe i dyti pret të shtënën e topit kundër tij.. Por në të dyja rastet, duket se ata i kanë marrë parasysh pasojat e zgjedhjeve të tyre. Le të vazhdojmë më tej.

Pjesa përmbyllëse e poezisë në anglisht është (vargu 8): “Tread softly because you tread on my dreams.” Këtë e kam shqipëruar: “ec me butësi sepse shkel mbi ëndrrat që kam!”. Vihet re se fjala “tread” është shqipëruar njëherë si “ec” dhe më pas si “shkel”. Paraprakisht, dua të shpjegoj se shprehja “tread softly” ka kuptimin pak a shumë “sillu mirë”, ndërsa “tread lightly” ka kuptimin pak a shumë “bëj kujdes”. Fjala “tread” ka kuptimin e “mënyrës së të ecurit”. Pra pjesa e parë e vargut na jep përshtypjen e vëmendjes, e cila shprehet me “të ecurin me butësi”. Personazhi, i kërkon personit, që do, si shpërblim për faktin që i ka shpalosur shpirtin, të paktën që të tregojë vëmendje dhe të përpiqet ta kuptojë. Gjithmonë, jo në një pozitë ngashërimi, por në një pozitë ku personazhi është i vetëdijshëm për mirësinë, dhe qëllimet e mira, që ka. Dhe kjo mbështetet nga pjesa e dytë e vargut, ku personazhi thotë se “shkel mbi ëndrrat që kam”. Vrazhdësia e fjalës “shkel” rrok pritshmërinë realiste të personazhit, se pavarësisht gjithçkaje, personi që ai do, mund ta refuzojë atë. Për t’ju rikthyer pikturës “Mic Sokoli”, fjala “shkel” është e barabartë me topin.

Kështu, poezia në tërësinë e saj është ngritur mbi një butësi, që rrok bukuri të përfytyruar shpirtërore të pakufijshme, në pozita fuqie, plot gëzim. Të vetmin rast të trishtimit, që kemi në këtë poezi, e shohim nëpërmjet fjalës “shkel”. Një poezi e shpirtërores, e cila mbyllet me një pritshmëri realiste. Pra, në këtë poezi, në pjesën më të madhe, mbizotëron e bukura e shpirtit të poetit, që ngjall një ndjenjë respekti, për guximin, që hapi zemrën, nëpërmjet personazhit të poezisë.

Përfundime

Pikë së pari dua të them se shqipërimi i poezisë “Dëshiron të ketë pëlhurat e qiejve” ishte diçka që e shijova me të vërtetë. Po kështu edhe këtë zbërthim, që i bëra kësaj poezie. Mendoj se për gjithçka, që bëjmë në jetë, qëllimi duhet të jetë që të shijojmë atë që bëjmë.

Poeti i lashtësisë romake, Quintus Horatius Flaccus (Kuint Horac Flak), na thotë, sipas hulumtuesve të latinishtes, se poezia duhet të na “gëzojë” dhe/ose të na “mësojë” diçka. Përsa i përket pjesës së gëzimit, ky shkrim, që kam bërë, është dëshmi e mjaftueshme për gëzimin, që kam marrë nga kjo poezi.

Por çfarë kam mësuar? Në mendimin tim, thelbi i kësaj poezie, është që të gjejmë guximin për t’u shprehur njerëzve mirësinë dhe bukurinë e shpirtit tonë, pavarësisht “topave” të hidhërimit dhe dashakeqësisë, që mund të na drejtohen. Sepse vetëm duke hapur zemrën për të shfaqur mirësinë dhe bukurinë shpirtërore, mund t’i thyejmë “topat” e lartpërmendur dhe t’i japim botës një pasuri të atillë, që e tejkalon atë materiale, si në vlerë ashtu edhe në përdorim. Në fund të fundit, njeriu është më kryesori, përsa i përket vlerave materiale.

Titulli

Poezia “Dëshiron të ketë pëlhurat e qiejve”, fillimisht titullin e ka pasur “Aedh wishes for the cloths of heaven”. Por me kalimin e viteve, në botime të tjera, personazhi “Aedh” është zëvendësuar me përemrin vetor “He (Ai)”, duke e lënë kështu më të gjerë identitetin e personazhit.

“Aedh” ose “Aodh”, është një emër me prejardhje nga fjala “áed”, që në irlandishten e vjetër do të thotë zjarr; pra diçka që djeg, ndez etj. Nga emri “Aodh” vjen edhe emri “Ajden”. Është interesante përzgjedhja e një personazhi me emrin si zjarri, për këtë poezi, që me pas u zëvendësua me përemrin vetor ai.

Për sa i për shqipërimit të titullit, nga ana ime, besoj, se duke mos pasur as emrin Adh si edhe as përemrin vetor (gjë që shqipja e lejon), identiteti i personazhit u lihet më shumë në dorë përfytyrimeve të lexuesve; pra është më i gjerë se një emër i përveçëm. Gjithashtu në anglisht, në titull fjala “heaven” është në njëjës, por për t’iu përmbajtur vargut të parë të poezisë, kam zgjedhur në shqip ta vendos në shumës “e qiejve”.

Një fakt interesant. Raportohet se Jejtsi thoshte se kjo poezi ishte mënyra më e mirë për të humbur një grua. Dhe kjo pëqasje shpotitëse e poetit ndaj poezisë së tij, ma forcon bindjen se kjo poezi na shfaqet në pozita fuqie dhe jo pozita ngashërimi. Të bësh humor, për mendimin tim, do të thotë të jesh i fuqishëm.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.