Rikthehet fruthi, tridhjetëfishohen rastet në Europë

Postuar në 23 Janar, 2024 19:08

Një rikthim i virusit të fruthit e ka detyruar OBSH-në t’u kërkojë vendeve të nisin menjëherë fushata të reja imunizimi. Përgjatë 10 muajve të parë të vitit 2023, në Europë, numri i të prekurve nga fruthi është rritur tridhjetëfish në raport me të njëjtën periudhë të vitit 2022 (30 mijë raste në janar-tetor 2023, 914 raste në janar-tetor 2022).

Për këtë epidemi të re, OBSH bën fajtore rënien e niveleve të vaksinimit.

Virusi është jashtëzakonisht infektiv dhe shkakton ethe, kollë dhe në raste të rralla pneumoni, inflamacion të trurit dhe vdekje.

"Duhen përpjekje urgjente vaksinimi për të ndaluar transmetimin dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme. Është jetike që të gjitha vendet të jenë të përgatitura për të zbuluar me shpejtësi dhe për t'iu përgjigjur në kohë shpërthimeve të fruthit, të cilat mund të rrezikojnë përparimin drejt eliminimit të fruthit," tha drejtori rajonal i OBSH-së për Evropën, Hans Kluge.

Sipas OBSH-së, pandemia Covid-19 ndikoi në reduktimin e imunizimit rutinë të fëmijëve në vitet midis 2020 dhe 2022. Sipas saj, më shumë se 1.8 milionë foshnja nuk ishin vaksinuar kundër fruthit në këtë periudhë. OBSH tha se raste janë regjistruar në vendet ku fruthi është shpallur zyrtarisht i eliminuar si sëmundje endemike.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.