Ministri i Jashtëm "hyn mblesë në Prishtinë" për Liderin Dixhital

Postuar në 16 Janar, 2024 18:50

Ka nisur një të ashtuquajtur tur rajonal ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani. Ai ka qenë në Prishtinë sot ku është takuar me Presidenten Vjosa Osmani dhe ministren e Jashtme, Donika Gërvalla. Në konferencën për shtyp me Gërvallën ra në sy edhe kultura gjuhësore e z. Hasani të cilit dikush duhet t’i sqarojë se ka nevojë imediate të përmirësojë shqipen e vet.

Së dyti duhet thënë se ai nuk është pritur nga kryeministri Albin Kurti, një mesazh ky sidoqoftë me vlerën e vet pas krizës që përjetuan marrëdhëniet në verën që lamë pas. Zoti Hasani është një nivel i ulët përfaqësimi politik i Shqipërisë, ndaj edhe mesazhi kryesor që iu caktua atij ishte e destinuar të shkonte për Serbinë.

I ndjekim me vëmendje zhvillimet në rajon, dhe në kufijtë e Republikës së Kosovës. Bëjmë thirrje gjithë aktorëve dhe faktorëve që jetojnë në shekullin 21, nuk i çohen ushtri fqinjit më te kufiri, dhe askush s’duhet të vazhdojë më këtë lojën sepse është qesharake. Sepse të gjithë jemi qartë se garancia më e madhe për sovranitetin dhe integritetin e Kosovës është NATO ku edhe Shqipëria është pjesë

citohet të jetë shprehur ai në konferencën me Gërvallën.

Si zëdhënës i një kryeministri që kreu gjeste dhe deklarata brutale të ndërhyrjes në punët e brendshme të Kosovës gjatë vitit që iku, duke bërë madje diversione të hapura, ky mesazh i mekur në të vërtetë synon të mbulojë diellin me shoshë, në kushtet kur politika perëndimore ka kthyer kahun tërësisht në këtë çështje. Ndaj edhe lodrat e Shqipërisë nuk kanë më asnjë vlerë.

Zoti Hasani është këtu ndoshta në një rol që i shkon – përcjell mesazhet dhe hap rrugën ndoshta për një vizitë të z. Rama në Kosovë dhe e bën këtë pas një interviste qesharake të ambasadorit tonë në Kosovë, Petrit Malaj, që foli me lëvdata të mëdha për Edi Ramën. Të cilit sot kur ka një përballje me Greqinë të provokuar prej tij, ka një ftohje me Turqinë, ka një bllokim virtual të debatit për marrëveshjen e emigrantëve me Italinë, i duhet të bëjë një gjest të ri në politikën e jashtme për të afirmuar ekzistencën e vet.

Sigurisht që asgjë e keqe nuk vjen nga vizitat dhe takimet, as edhe nga ndryshimet në qëndrimet publike. Ajo që ka rëndësi është se ne nuk kuptojmë dot thelbin e asaj që është politika e jashtme e Shqipërisë, pse gjatë vitit që lamë pas marrëdhëniet u acaruan deri në një pikë abdurde dhe pse sot, vajtoci i Tiranës nuk flet më për Republikë të KFOR-it si më parë, edhe pse Kosova nuk ka ndryshuar qëndrim. Dhe pse ky zoti Hasani, nuk guxon të bëjë thirrje p.sh që masat e marra ndaj Kosovës të hiqen.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.