Emigrimi dhe plakja e popullsisë, rreziku më i madh për ekonominë

Postuar në 14 Janar, 2024 13:55

Përfaqësuesit e tre institucioneve më të mëdha ndërkombëtare në Shqipëri e shohin largimin e të rinjve dhe plakjen e popullsisë si rrezikun më të madh me të cilin do të përballet ekonomia e vendit.

Emigrimi i vazhdueshëm i moshës aktive për punë ka krijuar gropa më disa sektorë, ndërsa bashkë me rënien e numrit të lindjeve kanë sjellë si rezultat rritjen e moshës mesatare të popullsisë.

Anke Weber, shefe e misionit në Shqipëri e Fondit Monetar Ndërkombëtar, thotë se të dyja këto do të rëndojnë në buxhetin e shtetit.

Plakja e popullsisë dhe emigrimi i vazhdueshëm i fuqisë punëtore përfaqësojnë dy nga burimet kryesore të shqetësimit për perspektivën afatmesme. Këta faktorë ushtrojnë presion mbi shpenzimet e qeverisë për pensionet dhe shëndetin.

Emigrimi i vazhdueshëm i punëtorëve mund të përkeqësojë mospërputhjet mes aftësive dhe kërkesës dhe të shtrëngojë më tej tregun e punës.

Menaxheri i Zyrës së Bankës Botërore për Shqipërinë, Emanuel Salinas, thotë se parë nga perspektiva markoekonomike, kjo është shqetësuese dhe trishtuese nga perspektiva njerëzore.

Nuk bëhet fjalë realisht për të parandaluar lëvizjen, por për të krijuar ato kushte këtu që të rinjtë shqiptarë të zgjedhin të rrinë dhe ata që kanë ikur, të zgjedhin natyrshëm të kthehen. Kjo do të thotë që Shqipëria të bëhet zgjedhje natyrale e njerëzve për të pasur një jetë të shëndetshme, produktive dhe të pëlqyeshme.

Mendoj se duhet të përqendrohemi të gjithë së bashku (dhe me vendosmëri dhe shpejtësi) në forcimin e kapitalit njerëzor dhe të sigurohemi që ai të mirëpërdoret. 

Ekaterina Solovova, e cila drejton Zyrën për Shqipërinë në Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, thotë se kombinimi i këtyre dy faktorëve do të thellojë krizën demografike të vendit.

Provat tregojnë se faktorët shoqërorë dhe mungesa e besimit në institucionet mbeten arsyet kryesore të nxitjes për dëshirën në rritje për të lënë vendin.

Për më tepër, të diplomuarit, veçanërisht ata në fushën e mjekësisë, teknologjisë së informacionit (TIK) dhe inxhinierisë, vazhdojnë të largohen nga vendi çdo vit, dhe ekonomia tashmë po përballet me pasojat e rrjedhjes së trurit.

Rritja e niveleve të migracionit të të rinjve, e kombinuar me plakjen e popullsisë, pritet të thellojë krizën demografike.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.