Në Çanakale, ku luftuan e drejtuan otomanët shqiptarë

Postuar në 01 Janar, 2024 16:04
Skerdilajd Zaimi

 

Fotoja në fjalë postohet në Facebook nga një faqe që ka si temë qendrore periudhën e fundit otomane. Epiqendra e fototekës së faqes është Selaniku i fillim shekullit të 20-të, që ngjan të ketë qenë një qytet ottoman me jetë dinamike ekonomike e fetare. Për të qëndruar te fotoja në fjalë ajo postohet nën titullin: Rajoni malazez i Sanxhkut – 1915. Shqiptarë dhe boshnjakë myslimanë që erdhën të regjistrohen për të marrë pjesë në luftën e Çanakalesë. E quajtur edhe si fushata e Galipolit, ajo konsiston në një seri betejash që zgjatën nga 19 shkurti 1915 deri në 9 janar 1916 me përfundime të jashtëzakonshme për të dyja palët.

  • Në aspektin ushtarak fushata lilkujdoi neutralitetin e Portës së Lartë në Luftën e Parë Botërore, asgjësoi synimet e Antantës për të siguruar kalim në ngushticat turke duke i dhënë dorë situatës strategjike të Aksit. 
  • Në aspektin njerëzor, beteja mori 100 mijë njerëz, shifër që është vënë në diskutim.
  • Në aspektin politik ajo detyroi një seri lëvizjesh në qeverinë britanike, e akuzuar si përgjegjëse për humbjen dhe mospërmbushjen e objektivave. Galipoli thuhet se kristalizoi një idenitet nacional të Australisë dhe Zelandës së Re duke çuar në krijimin e tyre si shtete të pavaruara nacionale.
  • Por ndoshta aspekti më ndikues është fakti se beteja katalizoi kalimin epokal të Perandorisë Otomane në një Republikë nën drejtimin e Mustafa Kemalit, me moton: “Çanakaleja nuk kalohet”.

Në kinema dhe television beteja ka marrë vëmendje vitet e fundit: si dokumentar do të veçohej ai i vitit 2005, “Galipoli” me autor Tolga Örnek, që shfrytëzon letra, ditare të ushtarëve të të dyja palëve me përqendrim sidomos te materialet e ANZAC – personelit australiano-zelandez - ku duket se u zhvillua edhe drama më e madhe njerëzore e psikologjike. Si film, “The Water Diviner” i vitit 2014 me protagonist Rusell Crowe dhe Olga Kurylenko.

Përtej këtyre aspekteve identifikuese, pak është folur, ndoshta aspak për kontributin në forcën fitimtare të kësaj beteje: atyre otomane. Fotoja e sjellë vë në dukje pikërisht një kontribut të shqiptarëve në këtë betejë kaq të rëndësishme në një kohë që Shqipëria si shtet formalisht ishte neutrale, por praktikisht inekzistente. E sigurtë është, qoftë edhe përmes këtij dokumenti se shqiptarët në një masë nuk ishin neutralë dhe kjo shpjegon, ose i jep një kontekst historik, por edhe shpjegim, politikave që pasuan mandej ndaj shqiptarëve dhe Shqipërisë. Qoftë nga fqinjët e veriut si serbët, ashtu edhe nga fuqitë e Antantës.

Në një punim të vitit 2015, me autor Isa Mulaj të “Institute for Economic Policy Research and Analyses” në Prishtinë, me titullin: “Beteja shumëkombëshe e Galipolit: Shfaqja e disa shteteve kombe dhe Prirjet Bashkëkohore e Referimit të saj për Rigrupimin e Kombeve “Fitimtare”, vihet në dukje se personeli otoman ishte në masë të madhe i përbërë nga shqiptarë dhe ballkanas.

Mulaj thekson se tre komandantët kryesorë të Armatës së Pestë Otomane, ishin gjeneralë shqiptarë: Mehmed Esati, Vehib Pasha dhe Mustafa Kemali. Në krye të forcave otomane qëndronte gjenerali “gjerman me origjinë hebreje”, Oto Liman von Sanders, pas tij Mehmed Esat Bulkati nga Janina që drejtonte Korpusin III dhe Atataturku që ishte nën komandën e Mehmed Esatit.

I vetmi komandant i lartë me etni turke ishte Cevat Cobanli që kishte përgjegjësinë për zonën e fortifikuar të Dardaneleve

shkruan Mulaj që shkon më tutje kur vë në dukje se roli i shqiptarëve në këtë teatër lufte nuk ishte rastësor. Madje ai ishte aty i konfirmuar pas një fitoreje mbi mendimin e “otomanëve turq” për rreshtimin në luftë. Shkruan Mulaj:

Lideri i Revolucionit Xhonturk, Enver Pasha, ishte me origjinë shqiptare, që para, gjatë dhe pas betejës ishte ministër i Luftës i Perandorisë Otomane. Në dallim nga otomanët shqiptarë, shumica e otomanëve turq, donin një aleancë me Aleatët. Fitoi alternativa shqiptare, kështu që otomanët e gjetën veten të rreshtuar me Gjermaninë përmes një marrëveshjeje sekrete të firmosur më 30 qershor 1914, vetëm dy ditë pas shpërthimit të Luftës I Botërore

Ai e cilëson personelin ballkanik – kryesisht shqiptarë – si me shumë përvojë dhe i mirëtrajnuar, çka ende sipas tij nuk ka marrë vëmendjen e duhur për të shpjeguar Galipolin nga perspektiva perëndimore, që e ka cilësuar atë edhe “si katastrofë”. Të dhënat e përafërta flasin për rreth 50 000 shqiptarë në atë betejë, shifër që në një vlerësim tjetër zbret në 25 mijë.

Mulaj e vijon punimin e tij me një kronologji të ushtarakëve me origjinë shqiptare në lëvizjet politike turke, që nga Lufta për Pavarësi me pasuesin e Ataturkut, Kazim Koprulu, te kreu i grushtit të shtetit të vitit 1980, Kenan Evren, një shqiptar nga Presheva apo Bujanovci, si dhe vë në dukje edhe një “kontribut të myslimanëve nga Ballkani” në këtë betejë.

Jehona e Kalifatit duket se vazhdon të mobilizojë në këtë kohë, por ajo që intereson këtu janë dy aspekte: heshtja e plotë e historiografisë shqiptare për rolin e shqiptarëve në betejë, roli i besimit fetar, ndikimi i shqiptarëve në gjeopolitikën ndërkombëtare të kohës, rikontektualizimi I betejës për konfirmimin e pavarësisë së Shqipërisë në dritën e këtij roli të shqiptarëve dhe në fund, zgjerimi i bazës gjenealogjike dhe historike të asaj që mund të quhet përvoja shqiptare e luftës. 

Sigurisht përfundimet e prekura nga ky autor kërkojnë verifikim dhe ballafaqim, por me intuitë ne mund të kuptojmë se diçka çalon te pagëzimi nacional i Rilindasve tanë, siç e përcakton atë Historiografia. Është me të vërtetë për të ardhur keq sesi historiografia shqiptare e ka trajtuar dhe vazhdon ta trajtojë edhe historinë e Pavarësimit, edhe Rilindjen Kombëtare edhe diplomacinë perëndimore dhe atë të Rusisë brenda një konteksti imagjinar të një përballjeje të një populli që do Lirinë dhe fuqive grabitqare cinike me fqinjë shovenë si instrumente agresioni.

Mesa duket problemi shqiptar në Ballkan në ato vite ka qenë diçka shumë më komplekse dhe e gjerë sesa problemi i kufijve të Shqipërisë dhe pavarësisë së saj, pikërisht edhe për shkak të faktit se një pjesë e madhe e elitës shqiptare nuk ka qenë neutrale. Ka qenë protagoniste dhe vendimmarrëse, pra Palë. Zgjerimi i bazës historike të shqyrtimit të ngjarjeve të kohës do të vinte në pikëpyetje hierarkinë me të cilën jemi mësuar të tregojmë ngjarjet e fillim shekullit të 20-të, miqësitë dhe rivalitetet, pa dashur të pranojmë se nuk kemi qenë viktima par excellence.

Nga ana tjetër injorimi gati injorant dhe i lig i përvojës shqiptare të luftës dhe drejtimit të saj në kohën otomane, injorimi i përvojës fetare dhe teologjisë nga shqiptarë të ngritur, ngushtica etnike ku janë futur kontributet e figurave të caktuara që quhen të Rilindjes, e ka gjymtuar keq kuptimin tonë për historinë. Duke na lënë në injorancën e vazhdueshme të miqve dhe armiqve, të keqes dhe të mirës, pa kapur një të vërtetë më të madhe të kohës kur shqiptarët ishin më kozmopolitë sesa i paraqet ata kostumi i historiografisë shqipe.

Comments

Submitted by Mark Alem (not verified) on

Ishin aty se zemra i rrihte per kalifatin dhe turqit. Kishin jetuar per 500 vjet me callma ne koke dhe nuk donin te mbaronte asnjehere ajo marredhenie. U ngriten vendet fqinje dhe nisen luftrat ballkanike qe u detyruan te ndahen nga turku. Dhe kur u ndane mbas 6 muajsh erdhi Haxhi Qamili dhe per pak ktheu baben.

Submitted by redaksia on

Nuk besoj se eshte kaq e thjeshte historia. Megjithate edhe ky eshte nje shpjegim qe nuk duhet injoruar. 

Submitted by Aqif (not verified) on

Per Mark Muharremat historia 500 vjecare, ndoshta deri me sot shkruhet vetem me dy rreshta.
I pari , Gjergj Kastrioti heroi yne.
E dyta. Shna Tereza e Kalkutes me gjak shqiptari.

Te tjerat nuk kane rendesi. Sepse ishin vite erresire, me callma.....
Sot, kemi 33 qe I kemi hequr callmat, poturet, breket dhe sutjenat (grate) por, nuk po na marrin .
Atehere Qamilin e vari Esati, sot Berishen do ta vdesi ne burg si Milloshevicin, Rama.

Pyetja eshte, ne rast se Qamili donte babe Sulltan Abdylhamitin, ky Berisha mos Don Baben e Vatikanit dhe Rama eshte xheloz? Intrig e dashuri.

Se fundi, ne rast se nuk kemi qene prijes te Otomaneve por kemi qene skllever, edhe sot kemi mbetur te tille, biles me keq.

Submitted by Andrea (not verified) on

Cilesimi si shqiptar i atij a ketij gjenerali, apo turk a ebre te nje tjetri mund te jete edhe i vertete nese fizikisht shikohet prejardhja e gjaku i personit. Por, mendoj se nuk ka fare baze reale te thuhet se nese fitoi teza e ketij, qe paska gjak shqiptar, paska fituar teza shqiptare. Dihet qe perandoria kishte dhjetra besime te fehehta dhe jo, dhjetra grupe etnike, po asnjehere nuk ka patur ne udheheqje grupe qe punonin ne avantazh te nje kombi tjeter. Shqiptare kishte me shumice, ebrej, boshnjake, po kishte me gjak grek apo sllav, po te gjithe otomane ishin. E vija ujit asokohe, nje vend e kishte drejtimin, te sulltanati. Padyshim qe ne canakale do shkonin nga Sanxhaku e nga Beiruti, siriane e egjiptiane pasi iu pergjigjen fatwas, dhe nuk kishte fare te bente me mbrojtjen e tokave te te pareve. Fotoja ne fjale eshte mbledhja e leximit te dekretit.
Sjellja e dhjetra mijerave australiane, afrikane apo indiane qe luftojin per Angline e lane kockat nen udheheqjen e Curcillit ne turqi, nuk ka neonje diference te madhe nga mijerat e shqiptareve qe luftian per palen tjeter

Submitted by Plaku Xhuxhumaku (not verified) on

Perandoria Osmane ishte nje shtet shume kombesh edhe ne kuptimin teritorial te fjales, megjithate po te bejme nje krahasim me SHBA sot, qe eshte nje shtet shume etnik, megjithese homogjen territorialisht, ngjashmerite jane me te shumta se ndryshimet, ne kuptimin qe nje gjeneral i ushtrise amerikane qe etnikisht mund ti perkase nje kombi tjeter, nuk do te quhet sipas asaj etnie, por thjesht AMERIKAN. Nqs ata gjeneralet a pashallaret qe permenden ketu vinin nga treva te banuara nga shqiptare, nese ishin nenshtetas te Perandorise Osmane (dhe ma do mendja qe keshtu duhet te ishin, spse perndryshe perse do te luftonin per \turqine), ata ishin TURQ dhe nuk besoj se kjo ha debat, njesoj si gjenerali AMERIKAN qe mund ta kete gjyshin emigrant kinez.

Submitted by redaksia on

Dua te kujtoj - per aq sa ka vlere - se beteja eshte zhvilluar ne vitin 1915, kur Shqiperia ishte njohur si shtet. 

Nuk po thote kush se ne Perandori kishte nje politike te shqiptareve, ama eshte shkruar se Porta nje Politike per shqiptaret ne kete kohe e kishte. Nese ketu konsiderojme elementet e diplomacise qe parashtrohen me siper, duhet te shohim disi me ndryshe te ashtuquajturin komplot te Beqir Grebenese, miratimin otoman per Ismail Qemalin deri diku dhe edhe neutralitetin e Gjermanise per ceshtjen shqiptare ne Konferencen e Londres. 

Analogjia me ShBA qendron por eshte pak e veshtire p.sh te besohet se njerez si Kissinger apo Brzezinski jane te zhveshur nga ndergjegja nacionale ne detyrat e tyre perkatese. Pa folur per te ashtuquajturin element hebre ne ShBA qe luan perhere ne funksion te nje kauze qe po dallon perhere e me shume nga ShBA. 

Te kemi parasysh edhe faktin se ishte nje serb, Sokollu Mehmed Pasha, qe ndikoi per rikthimin e Patriarkanes se Pejes qe ka pasoja te medha historike. 

Eshte nje gje te flasesh per nje gjeneral dhe origjinen e tij por krejt tjeter te vesh ne dukje se personeloli qe luftoi ishte ne mase me origjine te njejte me ata qe drejtonin. Edhe per t"u injoruar nuk eshte..me.siguri fuqite kundershtare te shqiptareve ne ate kohe, nuk e kane injoruar, por kjo do sqaruar nga historiane. 

Submitted by Dori (not verified) on

Ne lajmet dhe reportazhet qe mediat perendimore bejne per Shqiperine, i referohen kesaj si "vendi me shumice myslimane". Ne fillim me acaronte nje gje e tille, por u be kaq e rendomte sa u mesova me te. Kjo tregon sesi na perceptojne europianet ne. Kadare rrefen per nje shqiponje ne roberi, qe i kishin vene nje unaze ne njeren kembe; kur u kthye pastaj nga roberia ne familjen e vet, shqiponjat e tjera nuk e qasnin sepse e shihni si te huaj; unaza ne kembe ishte shenje e ketij tehuajsimi. Ne, pervec boshnjakeve, jemi populli i vetem europian qe u fekthyem masivisht ne islam. Kjo eshte arsyeja kryesore se pse shqiptaret, ndryshe nga fqinjet, nuk kishin aleate te medhenj; edhe ato qe na perkrahen, e bene per arsye krejt gjeopolitike, si kunderpeshe ndaj sllaveve ne ballkan. Procka e stergjysherve tane, para 300 viteve e dha efektin ne fund te shekullit te 19-te dhe fillim te 20-it, me pjesen me te madhe te territorit te grabitur nga fqinjet, me qindra mijera shqiptare te masakruar dhe miliona te deportuar. Shi, po te ishin mbledhur, jo 50 mije, por te pakten 25 mije shqiptare ne kohen e lufterave per pavaresi, shume gjera do te ishin ndryshe ... por kaq u mblodhen per Turqine... tmerr!
Ne kete kontekst, ajo qe bene rilindasit ishte jashtezakonisht e madhe.

Submitted by Aqif (not verified) on

Sakte per sa shkruajte.
Ne Kosove, qe hiqen per patriote. Mbi 2 million kosovare, vetem 12 mije u bashkuan UCKse.

Submitted by Plaku Xhuxhumaku (not verified) on

Po thone qe prania e shtuar e muslimaneve ne kohen e sotme ne Shqiperi, nuk eshte aq pasoje e konvertimit te arberve ne Islam, sa kolonizimi i territorit me kolone turq. E njejta gje thuhet edhe per Bosnjen, pra sot muslimanet e Shqiperise dhe te Bosnjes nuk jane arber dhe/ose sllave te konvertuar ne Islam, por turq perkatesisht te shqiptarizuar (VO prandaj edhe ndryshimi i etnonimit nga arber - shqiptar per te vene ne dukje faktin qe keta te sotmit nuk jane ata te djeshmit), ose turq te sllavizuar.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.