Serbia njeh përfundimisht targat e Kosovës

Postuar në 26 Dhjetor, 2023 18:03

Qeveria e Serbisë miratoi një vendim me të cilin njeh targat e Republikës së Kosovës. Kreu i Zyrës për Kosovë dhe Metohi në qeverinë e Kosovës, Petar Petkoviç, tha se nga 1 janari, të gjitha automjetet me targa të Kosovës mund të kalojnë pa problem në të gjitha pikat kufitare administrative.

Kjo sipas tij është bërë “ekskluzivisht për arsye praktike, për të lehtësuar lëvizjen e lirë të individëve” dhe nuk mund të interpretohet si njohje e pavarësisë së Kosovës.

Petkoviç theksoi se ky vendim nuk duhet të merret si tërheqje e Beogradit “nga të drejtat që i janë dhënë sipas Rezolutës 1244 (1999) të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”.

Petkoviç shtoi se me marrjen e këtij vendimi, qeveria serbe ka mbrojtur të drejtat e serbëve në Kosovë, 99% e të cilëve përdorin targat e Kosovës, dhe u ka mundësuar atyre lirinë e lëvizjes.

Targat, përdorimin e të cilave ne kemi lejuar, si kartat e identitetit të një viti më parë, nuk janë simbol i shtetësisë”, tha Petkoviç, duke shtuar se në mbarë botën ka shembuj të shumtë ku rajone të ndryshme brenda një vendi kanë targa të ndryshme, si Italia, Kina dhe Hong Kongu.

Mbulimi i simboleve shtetërore të Serbisë dhe Kosovës në targa me një pullë ngjitëse ishte pjesë e marrëveshjes së përkohshme të arritur mes Beogradit dhe Prishtinës më 30 shtator 2021, në një proces të ndërmjetësuar nga BE-ja, me qëllim depërshkallëzimin e situatës në veri të Kosovës.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.