Partia e Vuçiç fiton sërish në Serbi

Postuar në 18 Dhjetor, 2023 14:23

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, shpalli fitoren në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të së dielës.

Partia e tij Progresive Serbe, ose SNS, pritet të sigurojë 47% të votave të serbëve sipas projeksioneve.

Partitë opozitare nën flamurin “Serbia kundër dhunës” (SPN) pritet të ndalen në 23%.

Në këto zgjedhje shqiptarët e Luginës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit dolën të ndarë me dy lista. Vetëm Shaip Kamberi arriti të ruajë karrigen e tij në parlamentin serb, ndërsa “Alternativa Demokratike Shqiptare- Lugina e Bashkuar” e Shqipërim Arifit nuk mori asnjë mandat.

Ndërsa opozita pretendon se ka manipulime dhe kërkon rinumërim, SNS e Vuçiç sipas rezultateve paraprake ka siguruar më shumë se gjysmën e 250 vendeve në Asamblenë Kombëtare.

"Detyra ime ishte të bëja gjithçka në fuqinë time për të siguruar një shumicë absolute," tha Vuçiç, ndërsa shpalli fitoren në krah të kryeministres Ana Brnabiç dhe liderit të Bosnjës, Milorad Dodik.

Zgjedhjet e së dielës do të konfigurojnë parlamentin e ri serb, por paralelisht me to u mbajtën edhe zgjedhje lokale edhe për 65 autoritete vendore.

Aleanca e gjerë e opozitës serbe, e cila ka mbajtur shpesh protesta masive, shpresonte të merrte shumicën në Beograd. Por sipas saj, aty u shtuan në listat e votuesve të paktën 40 mijë votues.

SNS e Vuçiç është në pushtet që në vitin 2012, por vetëm në tre vitet e fundit janë mbajtur tre herë zgjedhje.

Pjesëmarrja në zgjedhje në shkallë kombëtare u vlerësua në 59.1%.

Vëzhguesit lokalë raportuan parregullsi të ndryshme të dielën, duke përfshirë votuesit që u futën me autobus nga Bosnje-Hercegovina për të votuar në Beograd. Misioni vëzhgues i KRRTRSH-së dha detaje për tentativën e manipulimit të votave në disa qendra votimi.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.