Gjykata Kushtetuese pezullon ratifikimin e Protokollit me Italinë për emigrantët

Postuar në 13 Dhjetor, 2023 18:11

Gjykata Kushtetuese  ka pezulluar ratifikimin në Kuvend të marrëveshjes Shqipëri-Itali për emigrantët. Në një njoftim të publikuar sot, Kushtetuesja bën me dije se pas marrjes në shqyrtim të padisë së deputetëve të grupit Bardhi-Berisha, automatikisht pezullohet ratifikimi i marrëveshjes në Kuvend, që pritej të bëhej nesër më 14 dhjetor. Kjo do të thotë se deri në një vendim përfundimtar nga Kushtetuesja, s’mund të kemi votim në Kuvend të marrëveshjes. Ndërkaq padia pritet të shyqrtohet më 18 janar në orën 10:00. Në njoftim bëhet me dije se:

Kolegji i Gjykatës Kushtetuese, në datën 11 dhjetor 2023, pasi mori në shqyrtim paraprak çështjen vendosi ta kalojë atë për shqyrtim në Mbledhjen e Gjyqtarëve. Mbledhja e Gjyqtarëve, e mbledhur sot, në datë 13 dhjetor 2023, vlerësoi se kërkesa plotëson kriteret paraprake të pranueshmërisë dhe vendosi kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare, mbi bazë dokumentesh. 

Bazuar në nenin 52, pika 3 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, shqyrtimi në seancë i çështjes pezullon automatikisht procedurat e ratifikimit në Kuvend të Protokollit të bashkëpunimit, deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.

Duke mbajtur parasysh parashikimin e së njëjtës dispozitë ligjore (neni 52, pika 3), që kërkon përfundimin e shqyrtimit të çështjes brenda 3 muajve nga paraqitja e kërkesës, Mbledhja e Gjyqtarëve vendosi që seanca të zhvillohet në datën 18 janar 2024, ora 10:00.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.