Manipulim dhe vetëmanipulim me "dhunën gjinore"

Postuar në 04 Dhjetor, 2023 18:00
Skerdilajd Zaimi

 

Në Kosovë ka ndodhur një vrasje që prej ditësh është shndërruar në një çështje kombëtare diskutimi. Një shtetas raportohet se ka vrarë bashkëshorten e tij për të siguruar me gjasë sigurimin e jetës që shkonte në disa milionë euro. Menjëherë janë ngritur në këmbë të gjithë. E sidomos TË GJITHA. Të gjitha gratë me pozitë e status social të shpikur e sajuar, në Kosovë e në Shqipëri, për të folur sërish për dhunën gjinore. Raportohet që “ai e vrau për lekë”, por jo. Kjo nuk ka rëndësi. Ai vrau një femër. Qëllon që në rrjetet sociale, degradimi i të cilave u promovua kryesisht nga një ligjërim pornografik i subjekteve femërore, ku feminizmi po shndërrohet në antimaskilizëm, të hasësh edhe lëtyra banale si këto fjali:

Sa herë që vdes një vajzë, një grua, një nënë faji është i gjithë shoqërisë. Faji nuk është i porositësve. Dhuna që ndodh në vendin tonë nuk është rastësore, por ka burim. Janë injorimeve që bëjmë situatave të tilla, janë jo serioziteti që në i trajtojmë këto ngjarje, ai populizmi dhe ajo dëshira për të ditur dhe spiunuar te jeta e tjetrit

Një status kështu, në ecje e sipër. Sepse zanati i aktivistit të detyron të prononcohesh për gjëra të tilla, sepse “ndjekësit po presin”.

Mirëpo si mundet që “Rrjeti” të krijojë gjykimin se kemi të bëjmë me një krim me motive gjinore? A nuk janë autoritetet ato që duhet të flasin së pari? Nëse vrasësi që supozohet se është bashkëshorti e ka bërë krimin pse kishte patologji ndaj seksit femër, kjo është klinikë që nuk e hasim ndër shqiptarë në kuptimin e obsesionit. Patjetër që vrasjet e femrave në Shqipëri favorizohen nga rrethanat e jetës në vendin tonë, nga agresiviteti i mashkullit dhe mungesa e reagimit institucional, nga marrëdhëniet toksike dhe kështu me radhë, por nuk është regjistruar deri më sot një vrasje apo dhunë në kuptimin e mirëfilltë gjinor.

Patjetër që një burrë me probleme alkolizimi dhe kumari mund ta ketë për rrethanë më të favorshme të dhunojë bashkëshorten, por nuk e bën këtë detyrimisht se ajo është femër, apo për refluks ndaj seksit tjetër. E bën për arsye të tjera që kanë të bëjnë edhe me mentalitetin, e sidomos edhe nivelin e të dyve.

Ka rëndësi ky dallim sepse ka kohë që dhunës në familje i është mbivendosur një etiketë e rreme. Ne dimë se numri i divorceve është përherë në rritje, numri i fëmijëve në ulje, diferenca ekonomike mes një burri dhe një gruaje përherë në ulje dhe këto dëshmojnë evolucionin e marrëdhënieve. Dhuna në familje nuk është përherë dhunë gjinore. Është refleks i papranueshëm i një marrëdhënieje jofunksionale.

Etiketa e “dhunës gjinore” priret të tematizojë një dukuri që në fakt ushqen më shumë shoqatat OJF-të që marrin fonde të caktuara, sesa të vërë gishtin në plagë. Më tej, ajo priret të zëvendësojë një paradigmë të madhe që është solidariteti me një viktimë të dhunës, me solidaritetin e Femrave për çdo Femër që dhunohet. Në rastin e Liridonës, mediat në Kosovë i dhanë hapësirë figurave femërore për komentet e veta, duke nënkuptuar se akti i vrasësit është një akt-akuzë ndaj të gjithë meshkujve. Për mentalitetin primitive e kështu me radhë.

Diçka që as mund të pranohet në asnjë rrethanë. Loja me “dhunën gjinore” apo Femrën si Viktimë par excellence të një shoqërie që duhet të ndryshojë, është cinike dhe kjo mjafton të shihet në komente e reagime të subjekteve femërore. Më shumë sesa keqardhje, apo pikëllim, viktimat e gjinisë femërore janë lëndë e parë një alibie të shumëkujt që kërkon të luftojë të ashtuquajturat paragjykime të shoqërisë “maskiliste, pra primitive” ndaj Lirisë së Femrës. Atë Liri që një kategori e madhe këtyre e sheh te manifestimi i seksualitetit, sensualitetit, zgjedhjeve të pakushtëzuara në jetë e kështu me radhë. Dhe duke mos guxuar të ngrihen publikisht, apo të bëjnë zgjedhje publike për atë që duan, e shtrëngojnë presionin social duke maksimalizuar tonin e një lloj elegjie panfemërore që luhet e stërluhet në të vetmen partiturë të mësuar mekanikisht tashmë: Meshkujt janë fajtorë.

Të jemi të qartë: VRASJA ËSHTË E PAPRANUESHME. E dënueshme. Por instrumentalizimi i saj me izmat e radhës, dëshmon sesa të sëmurë jemi të gjithë me sëmundjen e rëndë të Hipokrizisë. Sesi një shoqëri që dhunon reciprokisht individët e vet çdo ditë, çdo natë, kudo, në çdo mjedis, me akte, me gjeste, me indiferencë, me përshfaqjen e luksit dhe kërkimin e rrugës së shkurtër, befas kujtohet të derdhë lotë për një viktimë të vrarë brutalisht.

Një shoqëri që nuk do dhe nuk ka më mjetet etike të luftojë dukuri të këtilla, që janë sëmundje që po e çojnë në pikë terminale familjen dhe pozitën e mashkullit si entitet simetrizues i femrës dhe plotësues i tij, di vetëm të tubohet me mërinë anonime të rrjeteve sociale, mërinë dhe irritimin e pakuptueshëm të like dhe komentit, por që i ikën luftës së përditshme që nis me hapjen e mendjes.  

Padyshim që jemi në një terren ku të gjithë kanë të drejtë. Dhe kushdo që ka një opinion mund të sulmohet. Por ndoshta problemi i sotshëm në diksutimin e ngjarjeve të tilla është inflacioni i akuzave për përgjegjësi kolektive ndërkohë që Femra në vetvete nuk po di të menaxhojë Lirinë që ka fituar. Apo e ka marrë të dhuruar.

Është po kaq e korruptuar sa mashkulli të cilin e akuzon ditë e natë(Ka femra që me siguri në emër të intuitës së pagabueshme dalin në tituj mediash me pretendimet ultimative: “Meshkujt shqiptarë nuk dinë të bëjnë seks”, një shpjegim ky i gatshëm për kryeministrin që të justifikojë rënien e popullsisë).  Dhe janë përfaqësueset e rreme të kësaj gjinie, që po deformojnë diskutimin mbi probleme si ky duke korruptuar një tjetër hapësirë që duhet të ishte ndryshe. Dhe te gënjeshtra të bëhen solidarë vetëm ata që kanë interes. Të tjerat janë çjerrje të njerëzve që nuk kanë jetë veçse si shpërfaqje dixhitale.

Në fund të fundit të mos ngatërrojmë një fakt: unë kam të drejtën time të përçmoj inteligjencën e dikujt dhe ta asocioj atë me kriterin gjinor, dhe ky është një Opinion. Por kjo nuk do të thotë se ky Opinion sugjeron dhunë, apo stigmë, siç vrapojnë “Femër-Izmat” me status. Jo. Kushdo ka të drejta të barabarta. Ai sugjeron një distancë të shëndetshme mbi bazën e zgjedhjes së lirë dhe një perspektivë që nuk mund të interpretohet ndryshe.

Comments

Submitted by Dori (not verified) on

Ne fakt, ato qe tha vellai i gruas se vrare, mund edhe te kishin sherbyer si nxitje per kete revolte femerore ne mediat shqiptare.
Vellai i gruas se ndjere tha, nder te tjera: motra nuk ka pasur probleme, ajo ishte e ndershme...! Keto fjale nxjerrin ne pah nje mendesi te padurueshme maskiliste me tipare shqiptaro-orientale; sepse, po te mos paskesh qene e ndershme, ta zeme te paskej pasur ndonje lidhje jashtemartesore, do ta kishte merituar ndeshkimin e tmerrshem?!
Gjeja tjeter qe degjova po nga i vellai, por edhe nga pjesetare te tjere te familjes, ishte se i kishin lene afat 2 a 3 dite, pra pak me shume bile sec e kerkon Kanuni. Se c'nenkuptohet, a me qarte, kuptohet, me te kjo eshte shume e qarte (gjithsesi, pati njelloj terheqjeje nga keto deklarime te fillimit, mesa duket ngaqe e kuptoi ose mund ta kene keshilluar dashamiret, duke thene qe ia ka lene ne dore drejtesise).
Ne kriminologjine amerikane askush nuk eshte i imunizuar nga krimet, sado te tmerrshme qofshin ato; qe nga femijet deri tek pleqte dhe plakat; burre qe vret gruan, grua qe vret burrin; burre e grua qe vrasin femijet, femije qe vrasin prinderit; niper e mbesa qe masakrojne gjysherit, gjysher qe bejne te njejten gje me nipa,mbesa e stermbesa; shkurt e me pak fjale cdokush mund te vrase cdokend.
Nje nder krimet me te perhapur qe kam hasur ne keto dokumentaret amerikane te tipit criminal psychology, eshte ky mes bashkeshorteve pikerisht; madje ka edhe shume batuta cinike ne lidhje me kete fenomen; dhe eshte nje nder krimet qe shume, shume rralle mund te mos zbulohet.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.