Ukraina: Perëndimi të prodhojë armë për veten dhe për ne  

Postuar në 24 Tetor, 2023 16:07

Ukraina u kërkon demokracive perëndimore të rrisin investimet në armë. Në një intervistë për Politico, ministri i Ukrainës për Industritë Strategjike, Oleksandr Kamyshin, kërkoi që vendet perëndimore të përshpejtojnë prodhimin e raketave, predhave dhe dronëve ushtarakë sa më afër vijës së frontit.

"Bota e lirë duhet të prodhojë mjaftueshëm për të mbrojtur veten," tha Kamyshin, në një mision në kryeqytetin gjerman për të bindur prodhuesit e armëve të investojnë në Ukrainën e shkatërruar nga lufta. "Kjo është arsyeja pse ne duhet të prodhojmë më shumë dhe armë më të mira për të qenë të sigurt. "

Kapaciteti aktual i prodhimit është i mjerueshëm”, argumentoi ai. "Nëse mblidhni të gjitha kapacitetet në mbarë botën për prodhimin e armëve, për prodhimin e municioneve, kjo nuk do të jetë e mjaftueshme për këtë luftë", tha Kamyshin.

Dy frontet e luftës, njëri në Europën Lindore dhe tjetri në Lindjen e Mesme, e kanë vënë në dyshim kapacitetin e Perëndimit për t’i furnizuar me armë Ukrainën dhe Izraelin.   

Zgjidhja sipas Kamyshin, është të nisë menjëherë ndërtimi i objekteve të prodhimit.

"Ajo që ndodh tani në Izrael tregon dhe dëshmon se industria e mbrojtjes në nivel global është një destinacion për investime për dekada," tha ai.

Kamyshin, i cili ka qenë më parë drejtues i Hekurudhës Shtetërore, e ka marrë detyrën e ministrit pas nisjes së luftës.

Gjermania vijon ta mbështesë kërkesën e Ukrainës për armë. Sot pritet që gjatë një takimi të kancelarit Olaf Scholz me homologun e tij ukrainas, Denys Shmyhal, të njoftohet një sipërmarrje të re të përbashkët midis Rheinmetall dhe Ukroboronprom, një kompani ukrainase e mbrojtjes.

Para shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, Ukrania ka qenë një qendër e prodhimit të armëve dhe pajisjeve ushtarake. Që prej fillimit të operacionit ushtarak rus në shkurt të 2022-shit, Ukraina është asistuar me armë nga vendet e NATO-s, BE dhe Australia.

Pavarësisht kësaj, Kamyshin është i pakënaqur.

"Kjo luftë mund të zgjasë me dekada," tha ai. "Rusët mund të kthehen gjithmonë."

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.