Poshtë cipës së demokracisë

Postuar në 22 Tetor, 2023 18:22
Skerdilajd Zaimi

 

Një incident i ndodhur së fundmi në një mjedis “atipik” për politikën fton të mendosh për botën ku jetojmë. Për muret e saj që sa vijnë e ngushtohen, për dritaret që mbyllen dhe izolimin e detyruar ku po rrëshket shoqëria. Paddy Cosgrave, një sipërmarrës irlandez që ka bashkëthemeluar konferencën më të madhe europiane për teknologjinë, Web Summit, është detyruar të dorëhiqet nga pozicioni i vet si drejtues i saj për shkak të komenteve në mediat sociale për luftën e fundit në Izrael.

Krimet e luftës janë krime lufte edhe kur bëhen nga aleatët

shkruajit ai në mediat sociale, një qëndrim që solli tërheqjen nga aktiviteti i këtij viti i disa kompanive të mëdha të teknologjisë.

Qëndrimi ishte një kritikë dhe denoncim pse jo i akteve të Izraelit në konfliktin e fundit me Hamasin, çka nuk është pritur mirë. Cosgrave publikoi edhe një ndjesë, përmes së cilës dënonte krimet e Hamasit, por shtonte se Izraeli, megjithë të drejtën e vet për ekzistuar nuk mund të shmanget nga Konventa e Gjenevës dhe nuk duhet të bëhet autor i krimeve të luftës.

Por kjo nuk ka mjaftuar dhe ai është detyruar të largohet. Ky episod nuk është i izoluar. Prej kohësh në SHBA ka një diskutim të ndezur mbi një lloj sektarizmi ekstrem për tema të ndryshme të interesit publik, ku palët duket se kanë krijuar tabu dhe kanë ndarë tashmë anën e mirë dhe të keqe të medaljes. Lëvizjet e shumëdiskutuara në SHBA, që kryesisht anojnë majtas, janë shndërruar aktualisht në pjesë të debatit të edhe profesoratit universitar, në mjedise të caktuara të të cilit ka gjëra për të cilat është mirë të mos flasësh.

Kjo edhe mund të kuptohet deri diku nisur nga klisheja e diskredituar tashmë se universitetet janë vende prej ku gjenerohen gjykime morale dhe moralizuese ndaj dukurive në shoqëri, por është krejtësisht e pakuptueshme sesi kjo të ndodhë në mjedisin e biznesit.

Si mundet dhe përmes cilit mekanizëm aktivizohet ky lloj ostracizmi që bën të pabesueshme të gjithë propagandën e lirisë së shprehjes? Të flasësh për krimet e luftës së Izraelit, nuk është të përhapësh gjuhë urrejtjeje, por të gjykosh mbi teprinë e një reagimi që po legjitimon në mos krime lufte, një politikë agresive që pak e ndan nga kriminaliteti i premisave.

Çfarë vepron brenda shoqërisë perëndimore kaq mirë, saqë edhe aty ku evokohet me të madhe Privatja, Publikja, apo shtetërorja ndërhyn kaq efektivisht?

Çfarë mund të prodhojë ky bojkot radikal ndaj një personi që bëri disa komente me natyrë kritike në Europën e nesërme? Çensurë, autoçensurë dhe një rreshtim homogjen të njerëzve që për disa gjëra flasin e për disa jo.

Çfarë prodhon debati për Benzemanë në Francë për të njëjtën gjë? Natyrisht që asgjë të mirë. Prodhon një botë të ndarë në mes, ku e Mira dhe e Keqja janë kufij të rremë të një realiteti virtual që përkufizohet nga interesi ku nuk vepron as konstituphet asnjë kod etik e moral që të quhet realisht i tillë. Çfarë është më trishtues është fakti se kjo qasje nuk dallon aspak nga ai vulgariteti i ndarjes që shohim në Ballkan e që shpesh mendohet se është një atavizëm dhe defiçencë që nuk e has në Europën e emancipuar, të civilizuar.

E emancipuar? Kjo është e pavërteta më e madhe ndoshta. Sepse asnjë mësim nuk duket të jetë nxjerrë që të ketë vlerë universale, veç atij mësimit se e shkuara vetëm sa e dobësoi Europën.

Tingëllon në këto kohë që po zymtësohen shumë shpejt, si profetike, deklarata e para gjashtë viteve e djalit të ish-guvernatorit nazist të Polonisë, Hans Frank, i cili në një intervistë për BBC do të shprehej se nuk duhet t’u besohet gjermanëve dhe se kjo qetësi dhe ky liberalizëm është vetëm falë ekonomisë, por jo një ndryshimi me të vërtetë të thellë në shoqëri.

Kjo akuzë vlen mesa duket për mbarë Perëndimin që nuk do të shkëputet në fakt nga psikoizolimi i vet prej nga e sheh botën vetëm si metropoli I çdo gjëje. Dhe ku çdo gjë ka më shumë vlerë se kudo. Edhe jeta e një njeriu. Dhe kur cinikët që luajnë liberalin hipin për të qeverisur, anarkia është çështje kohe.

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

1.Proporcionaliteti eshte parimi baze i te drejtes. Ka 80 vjet qe jemi gjendur ne te njejten situate: ekstremistet palestineze sulmojne hedhin ne ere dy makina dhe plagosen tre persona.
Izraeli pergjigjet rrafshon dy pallate dhe vret 100 persona.
2. Nuk mund te detyrosh 2 milion njerez te jetojne ne 360 km katror. Eshte sikur Shqiperia te popullohej nga 85 milion njerez.
Eshte cnjerezore. Normal qe ky ambjent do te prodhoje ekstremiste dhe dhune.
3. E drejta e jetes dhe e sigurise nuk mund te jete per qutetare te dores se pare dhe ...te dhjete.
4. Do ti qe rrallehere ja qellon ti Skerdo.

Submitted by Robert Ferhati (not verified) on

Këto diskutimet për çështje që ziejnë në botë dhe zelli ynë për tu kozmopolitizuar, më solli ndër mend një barcaletë.

Vitet '80. Vjen tetoja nga USA të shikojë të afërmit në Korçë. Ndenji ca ditë, u "çmall" e u skandalizua nga mjerimi e zhuli. Erdhi dita të largohet, i mbledh të afërmit dhe i pyet se çfarë donin t'ju sillte tetua me pako në postë. I thanë të gjithë dëshirat, vjen rradha e një nipi. Po ti o nip, ç'pret nga tetua? Një vespë bre tetko....Ikën tetua në shtëpi të saj në Amerikë, në krye të javës vjen letër me postë. I shkruante nipi: tetkë bre tetkë, më dërgo një vespë! Javën tjetër, letra tjetër: tetkë bre tetkë, më dërgo një vespë. E kështu disa javë njera pas tjetrës, nuk pushonte nipi. I erdhi tetkës në majë të hundës e i kthen përgjigje nipit: ç'vespë more tuhaf, një skalldabanjë thuaj, të hiqni zhulnë!!!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.