Gratë kërkojnë përfshirje në Kishën Katolike

Postuar në 19 Tetor, 2023 13:55

Gratë kërkojnë më shumë vend në Kishën Katolike. Një grup përfaqësuesesh të kësaj lëvizjeje janë mbledhur në Romë për të përcjellë kërkesën e tyre. Nga Europa, Shtetet e Bashkuara, Kolumbia, India apo Afrika e Jugut, ato thonë se i bashkon fakti se janë të përjashtuara nga rolet kryesore në atë që shumë e shohin si një Kishë "patriarkale dhe maço".

Vendi i grave në Kishën Katolike -- e udhëhequr për 2 000 vjet nga një burrë dhe që nuk njeh abortin, priftëreshat dhe divorcin -- është një nga temat e nxehta në asamblenë e përgjithshme të Sinodit të Peshkopëve që po zhvillohet katër javë.

"Nëse ndjek një meshë në Vatikan, do të shohësh qindra burra priftërinj të veshur në të njëjtën mënyrë dhe asnjë grua," thotë për France 24 Teresa Casillas Fiori, anëtare e shoqatës spanjolle "Revuelta de Mujeres en la Iglesia" (Revolta e grave në Kisha).

Unë mendoj se meshkujt e kanë bërë veten pronarë të Zotit.

Asambleja e Sinodit, e cila do të zgjasë deri më 29 tetor, shënon megjithatë një pikë kthese historike në Kishë. Aty murgeshave dhe grave pa besim u lejohet për herë të parë pjesëmarrja.

Rreth 54 gra -- rreth 15 për qind e gjithsej 365 anëtarëve të asamblesë -- do të mund të votojnë mbi propozimet që do t'i dërgohen Papa Françeskut.

Analistët e çështjeve të kishës e kanë quajtur atë një revolucion.

Adeline Fermanian, bashkë-presidente e Komitetit të Skirt, tha se Papa ka dhënë sinjale për një  "hapje" për çështjen e shugurimit të grave.

"Ai e kuptoi se çështja nuk ishte shqyrtuar mjaftueshëm në nivel teologjik," tha ajo.

Që nga zgjedhja e tij në 2013, Françesku ka kërkuar të krijojë një Kishë më të hapur, më mirëpritëse për besimtarët, të divorcuarit dhe komunitetin LGBTQ dhe duke inkurajuar dialogun ndërfetar.

Ai e ka rritur numrin e grave të emëruara në Curia, qeveria qendrore e Selisë së Shenjtë, me disa në poste të larta.

Megjithatë, disa aktivistë i shohin ndryshimet si reforma "kozmetike" që fshehin një perceptim të njëanshëm për gratë.

Procesi i Sinodit është i ngadalshëm. Takimi aktual në Romë vjen pas një konsultimi global dy-vjeçar dhe një asamble e dytë e përgjithshme është planifikuar për vitin e ardhshëm.

Regina Franken-Wendelsorf, anëtare gjermane e bordit ekzekutiv të Këshillit të Grave Katolike, thotë se gratë shpresojnë në veprime konkrete.

Por ndërsa Papa Françesku përballet me rezistencë në axhendën e tij të reformave, ka rezistencë të konsiderueshme edhe ndaj kërkesës së grave për më shumë përfshirje në Kishën Katolike.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.