Të gjitha macet janë të bukura

Postuar në 16 Tetor, 2023 13:30
Intervistoi për ResPublica: Eleana Zhako

 

Elson Zguri është një prej përfaqësuesve të njohur të brezit të dytë të shqiptarëve në Greqi, i cili pavarësisht se prej disa vitesh jeton në Berlin, vazhdon të jetë një zë shumë aktiv përsa u përket kërkesave e të drejtave të komunitetit shqiptar. Gjatë kohës së karantinës, ai botoi librin e tij të parë në greqisht me titullin “Të gjitha macet janë të bukura” me rrëfenja personale, por edhe të emigrantëve të tjerë, duke marrë shkas nga portreti i maces, që varej në zyrën e një polici grek në Pire. Ndonëse, Elsoni vazhdon të jetë skeptik rreth vështirësive që hasin ende një pjesë e shqiptarëve emigrantë, jehona që iu bë librit në shtypin grek, është një tregues shumë optimist mbi dinamikën e marrëdhënieve greko-shqiptare.

Në parathënien e librit tuaj në greqisht “Të gjitha macet janë të bukura”, i cili është botuar dy herë deri tani, nëntor 2020 e mars 2022, një sukses jo i vogël për një shkrimtar, që i prezantohet për herë të parë lexuesit grek, thoni se që në moshën dymbëdhjetë vjeçare shkruanit dëshpërimisht në faqet e bardha të librave shkollorë, mendimet, ëndrrat dhe kryesisht frikërat tuaja. Po përmbledh rreshtat e parë: “Ndjeja fillimisht, që kisha lindur në vend të gabuar. […] Në vazhdim kisha ndjesinë, që po rritem në vend të gabuar, me emër të gabuar e fe të gabuar, ndaj dhe më kaplonte një frikë e vazhdueshme. […] Në emisionet e lajmeve, kishte gjithmonë një lajm që u referohej shqiptarëve, në shumicën e rasteve negativ. Nuk e kuptoja, përse nuk i përmendnin shqiptarët me emër, por thjesht me fjalën “shqiptar”. Tashmë, që prej disa vitesh jeni vendosur në Gjermani si nënshtetas grek, ç’ndryshim vini re në lajmet greke përsa i përket imazhit të shqiptarëve?

Që nga fillimi i viteve ‘90, masmedia greke ka luajtur një rol kryesor në stigmatizimin e emigrantëve shqiptarë. E përmend këtë rol në parathënien e librit tim, sepse që në moshë të vogël fillova të kuptoj se diçka nuk shkonte, që s’kishte mundësi, që emigrantët shqiptarë në Greqi të qenë kaq monstruozë. Edhe nëse do të ishte e vërtetë, kjo nuk mund të vlente për të gjithë. Duket sikur 30 vjet më vonë situata ka ndryshuar, por fatkeqësisht nuk është kështu. Në janar të vitit 2022, “asgjë më e zakontë se një shqiptar me armë”, u dëgjua nga goja e gazetarit dhe prezantuesit të njohur grek, Nikos Evangjelatos, në lajmet e një kanali të rëndësishëm televiziv. Muajin pasardhës të të njëjtit vit, patëm vrasjen brutale të një tifozi 19-vjeçar grek në Selanik nga huliganët e ekipit rival dhe arrestimi i parë që u bë, ishte një shqiptar i brezit të dytë. Të gjithë artikujt dhe postimet në rrjetet sociale fillonin me "Vrasësi shqiptar...", ndërkohë që i akuzuari, nuk kishte dalë ende para trupit gjykues. Më vonë rezultoi, që autorët e vrasjes, konkretisht 12 persona, ishin pjesë e një grupi të organizuar tifozësh fanatikë të skuadrës greke PAOK, ku bënte pjesë dhe i riu me origjinë shqiptare. Në 6 korrik të këtij viti, që të dymbëdhjetë personat e implikuar, u shpallën fajtorë nga gjykata greke për vrasje.

Gjithashtu, në vitin 2022, një grek vrau një familje prej katër emigrantësh shqiptarë, qëlloi me armë prindërit dhe mbyti dy fëmijët e tyre, sepse i kishin borxh disa qira. Mediat greke u morën shumë pak me vrasjen makabre të familjes shqiptare dhe kjo ngjarje e dhimbshme u harrua shpejt. Mediat greke vazhdojnë të theksojnë kombësinë e autorëve, çdo herë që autorët janë me origjinë shqiptare. Nga ana tjetër, në rastin e vrasjes brutale të shqiptarit Keli Limka, baba i tre fëmijëve, nga fqinji i tij grek Dimitris Kutrumanis për një vend parkimi, në lajmet dhe artikujt e dy ditëve të para, vura re se përmendej “një autor 68-vjeçar dhe një viktimë 39-vjeçare”. Nëse autori nuk do të ishte grek, por shqiptar, kombësia e tij do të shfaqej në çdo titull. Kjo gjë, ndodh në mënyrë sistematike.

Kur një emigrant shqiptar në Evros doli live në llogarinë e tij në Facebook në rolin e xhelatit, duke marrë peng në furgonin e tij emigrantët që hynin nga Turqia kinse për t’i denoncuar në policinë greke, u shkruan artikuj ku kërkohej mendimi i emigrantëve shqiptarë për ngjarjen. M’u kërkua edhe mua nga dy gazeta greke të shprehja opinionin tim, por nuk pranova të komentoja. Përse kërkohet mendimi ynë vetëm kur dikush me origjinë shqiptare është autori i një akti kaq të urryer dhe jo kur viktimat janë shqiptare, siç ishte rasti i familjes prej katër anëtarësh, që u vranë për disa qira të papaguara? Ndaj me keqardhje të madhe, mund të them pa hezitim se situata ka ndryshuar shumë pak, por edhe kjo falë rrjeteve sociale, ku njerëzit mund të kenë një reagim të menjëhershëm dhe të konfirmojnë informacionin e lajmit. Një arsye tjetër për këtë ndryshim të vogël lidhet me flukset e mëdha të refugjatëve në Greqi, sidomos gjatë dhjetëvjeçarit të fundit, të cilët janë bërë pre e sulmeve ksenofobike dhe raciste. Megjithatë, ka shumë zëra brenda dhe jashtë Greqisë, emigrantësh shqiptarë por edhe vendas, që denoncojnë këtë trajtim nga pjesa më e madhe e mediave. Shpresoj që këto zëra të shtohen!

“Në Greqi”, shkruani, “isha gjithmonë “shqiptari”. Kur vizitoja Shqipërinë, automatikisht isha “greku”. Gjatë zënkave në të dyja vendet, më ngjisnin fjalën “m..ti”. Në vitet e para të krizës ekonomike, kur shkova të studioj për një vit në Belgjikë, isha “greku dembel”. Në Gjermani, ku jetoj si nënshtetas grek, dëgjova disa herë “po ti, nuk ngjan me grek”. Meqenëse keni emigruar me familjen në Greqi në moshën nëntë vjeçare dhe jeni shkolluar atje, besoj se gjuha kryesore e të folurit, të shkruarit dhe e të menduarit për ju, është greqishtja. Çfarë mendoni se e përcakton vetëdijen etnike të njeriut?

Prej kohësh kam kuptuar se nuk flas në mënyrë të përsosur asnjë nga katër gjuhët e mia, pavarësisht se lexoj, dëgjoj dhe ndodh t’i flas të katërta, thuajse çdo ditë gjatë viteve të fundit. Kjo është përditshmëria ime si emigrant në Berlin. Nga të katërta arrij të shprehem më mirë në greqisht, pasi pjesën më të madhe të jetës e kam kaluar në Greqi; atje mbarova shkollën fillore, të mesmen e të lartën. Besoja se mendoja dhe ëndërroja vetëm në greqisht, por shpesh e kam kapur veten duke e bërë këtë edhe në gjuhët e tjera, madje edhe në gjermanisht, e cila është më e dobëta prej tyre.

Duket se njerëzve u pëlqen shumë të  etiketojnë të tjerët, është më e volitshme për ta, që ta diferencojnë “tjetrin” sipas mendësisë me të cilën janë brumosur. Në çdo vend që kam jetuar ose vizituar, më kanë ngjitur etiketa të ndryshme. Për shumë njerëz, çështja e vetëdijes kombëtare, e identitetit është diçka e thjeshtë. Ata janë lindur në një vend dhe kanë qenë pjesë e shumicës etnike, prindërit e tyre gjithashtu, po ashtu dhe prindërit e prindërve të tyre. Nëse nuk u është dashur të jetojnë në vend tjetër apo të kenë qëndruar gjatë jashtë vendit të tyre, atëherë është akoma më e lehtë për ta. Në një poezi, Elona Beqiraj shkruan:

Not home here

Not really home there

Këto vargje përshkruajnë gjendjen shpirtërore dhe udhëtimin për shumë emigrantë, që jetojnë ndërmjet dy atdheve. Mendoj se në fund të fundit, mënyra se si formohet vetëdija kombëtare është diçka krejtësisht personale dhe ndryshon te çdo njeri, madje edhe mes individëve që kanë pasur përvoja të njëjta. Kur rritesh si fëmijë emigrantësh shqiptarë në Greqinë e viteve ‘90 dhe 2000, mediat dhe në përgjithësi shoqëria, nuk të linin shumë hapësirë për t’u ndjerë diçka tjetër, përveçse "shqiptar", të paktën kështu e përjetova unë. Megjithatë, kjo nuk vlen për të gjithë fëmijët e emigrantëve të gjeneratës sime, është diçka krejtësisht personale, siç e theksova. Kam takuar nga gjenerata ime, të rinj që e quajnë veten vetëm shqiptarë, disa vetëm grekë, disa të dyja bashkë dhe disa asnjërën prej tyre. Nuk dua të gjykoj asnjë, nuk dua t’i them askujt se çfarë duhet të ndihet. Nuk ekziston një përkufizim i prerë, përsa i përket identitetit.

Mua më lidhin gjëra të ndryshme me Shqipërinë dhe Greqinë, madje tani edhe me Gjermaninë. Nga pikëpamja krijuese, tema e vetëdijes kombëtare, ose më saktë e identitetit, më intereson shumë. Më është më e lehtë të krijoj personazhet e mia. Mendoj se kjo ndodh për shkak të përvojave të mia personale  dhe kryesisht sepse, duke u rritur në Greqi, më bënë të ndihesha me faj për çdo gjë që lidhej me Shqipërinë. Kurse, që nga momenti që erdha në Berlin, kam riformësuar marrëdhënien time me Shqipërinë, që përbën pikë referimi - kujtimet e mia të para, vizitat te gjyshet, gjyshi dhe te të afërmit e tjerë. Larg Greqisë, kam riformësuar edhe marrëdhënien time me Greqinë. Distanca ndihmon shumë në kthjellimin e ndjesive.

Në Gjermani, në zyrë dhe jashtë saj, shoqërohem me njerëz, që herë më konsiderojnë shqiptar, herë grek dhe herë greko-shqiptar. Tashmë nuk kam problem me asnjë prej këtyre tre identiteve, pasi këto karakteristika, qofshin të dëshiruara ose jo, bashkekzistojnë brenda meje dhe përkufizojnë jo vetëm identitetin tim, por edhe personalitetin tim, do të shtoja.

Libri juaj përbëhet nga 43 histori emigrantësh në Greqi. Të gjitha janë të shkruara në vetën e parë, duke të krijuar ndjesinë e rrëfenjave personale. Ku jeni bazuar kryesisht për ndërtimin e fabulës së tyre? Janë histori të trilluara me një bazë vërtetësie apo dëshmi reale?

Libri në fakt është historia e jetës sime. Në këtë libër gjendet jeta ime, që nga momenti kur familjarisht arritëm në Korçë dhe qëndruam për pak ditë, derisa të na dilte viza për të emigruar në Greqi. E kisha shumë të vështirë të tregoj këto histori, t'i publikoj me emrin tim, sepse është në njëfarë mënyre historia e familjes sime. Janë gjëra shumë personale dhe emocionale për ne. Libri ndahet në dy pjesë: pjesa e parë përmban historinë time personale, si u ndjeva si fëmijë emigrant shqiptar në Greqi, përjetimet e mia. Ndërsa pjesa e dytë, përmban histori nga miqtë dhe të njohurit e mi, që jemi afërsisht moshatarë dhe kanë ndarë me mua emocionet dhe përvojat e tyre.

Libri i referohet kryesisht brezit të dytë, por nuk mungojnë edhe tregimet për brezin e parë të emigrantëve shqiptarë në Greqi. Në fund të fundit, të dy brezat kanë të njëjtin emërues, janë të lidhur drejtpërdrejt, sepse brezi i dytë bëhet zëri i brezit të parë, që nuk ka pasur mundësi deri tani të flasë për përvojat dhe veçanërisht për ndjenjat e veta. U përpoqa t’i përcillja sa më mirë. Po ndaj diçka, që më preku thellë dhe ma ka thënë një prind në Rethymno, kur vizitova shkollën ku zhvillohej mësimi i gjuhës shqipe: “faleminderit, që u tregove fëmijëve tanë historinë tonë”.

Jo vetëm në Greqi, por edhe në shumë vende të tjera, brezi i dytë zakonisht është më i etur për t’u përfshirë në çështjet dhe problematikat e vendit të tyre të origjinës. Kjo shpjegohet me faktin se në ndryshim nga prindërit, ata zotërojnë armë më të forta konstruktive apo dekonstruktive. Flasin gjuhën si vendasit, janë shkolluar në vendet ku prindërit e tyre zgjodhën të emigrojnë dhe mund t’i dalin zot mefshtësisë, mosnjohjes, pavendosmërisë e frikërave të prindërve, që kanë pasur si synim kryesor mbijetesën. Ç’mendim keni për këtë raport midis brezit të parë e të dytë?

Gjenerata e parë e emigrantëve është ajo që fillimisht lufton për mbijetesë dhe kur lufton për mbijetesë shpërfill shumë gjëra, nuk ke kohë as të merresh me to. Mendoj se emigrantët e parë në Greqi donin të hidhnin rrënjë diku, për të krijuar një të ardhme të sigurt për fëmijët e tyre. Sakrificat e tyre janë të shumta, pranuan pa u ankuar racizmin e vendasve, punuan pa letra, pa sigurime shoqërore, pa asnjë siguri. Prandaj më duket normale, që ka një hendek midis këtij brezi emigrantësh dhe brezit të ardhshëm, timit. Neve kishim të gjithë kohën e lirë për të përjetuar gjithçka nga brenda, u rritëm në shoqërinë greke, ishim pjesë e saj që në fillim dhe sigurisht pamë pabarazitë dhe kushtet në të cilat prindërit tanë luftuan për të na siguruar gjithçka. Por, jam i bindur se janë pikërisht këto pamje të prindërve tanë, duke bërë punë nga më të vështirat, ato që nuk bënin greket, më të keqpaguarat, që na bëjnë të kemi një perceptim tjetër, një përfshirje tjetër, një lidhje tjetër, qoftë me vendin e origjinës, Shqipërinë, ashtu edhe me vendin në të cilin jemi rritur, Greqinë.

Nuk ka qoftë edhe një fëmijë emigrantësh, që nuk i njeh sakrificat e prindërve. Janë këto sakrifica, që njihen nga të dy brezat, mbi të cilat mbështetet marrëdhënia e tyre. Shumë herë, mbi një bazë jo fort të mirë. Por brezi i parë, kam përshtypjen, se po jeton edhe jetën e të dytit, këta njerëz jetojnë përmes fëmijëve të tyre. Pra, ka një hendek, por në rastin e emigrantëve shqiptarë të viteve 1990 nuk kishte rrugë tjetër. Ishte, siç thashë, një çështje mbijetese. Brezit të dytë i garantohen disa të drejta të caktuara dhe kështu ka kohën, vullnetin, guximin, interesin për t'u angazhuar, për t'i kushtuar më shumë kohë vendit të origjinës, për të zbuluar rrënjët, kuptimin e shumë gjërave, për të zgjidhur vramendjet, për të ndërtuar marrëdhënie, për ripërcaktimin e identitetit të tij.

Në krye të librit, keni zgjedhur një poezi kushtuar nënës nga libri i Elona Beqiraj “Un wir kammen jeden sommer”. Keni provuar një ndjenjë fajësie të ngjashme ndaj theksit të prindërve tuaj në greqisht?

Më fal

për të gjitha ditët

që për theksin tënd pata turp

s’e kisha idenë

që ish e vemtja gjë

që të mbeti nga atdheu yt.

Poema e Elonës, personifikon gjithë fëmijët e emigrantëve nga shumë vende, përfshirë edhe ata në Greqi. Nuk mund të injorohet fakti se shpesh herë fjalët "shqiptar" dhe racizmi sistematik në Greqi, kanë bërë që emigrantët shqiptarë të ndjehen të diskriminuar dhe të stigmatizuar, përfshirë edhe mua. Kjo poezi është një shembull i fuqishëm i përballjes me këtë realitet dhe shpreh një të vërtetë të dhimbshme. Në disa raste, ndieja turp për theksin e huaj të prindërve tanë. Megjithatë, kjo ndjenjë nuk lindi vetvetiu. Disa faktorë, përfshirë median greke dhe shoqërinë, na bënin të ndiheshim me turp. Duke lexuar poezinë, zemërohem me veten, që u lejoja disa njerëzve të vendosnin vlerën time dhe të nënës sime në bazë të theksit të gjuhës. Në të vërtetë, janë ata që duhet t’u vijë turp, që na shkaktonin ndjenja turpi, as unë, as Elona dhe asnjë fëmijë tjetër emigrantësh, qofshin në Greqi, Gjermani a kudo tjetër nuk duhet të ndihemi keq për theksin e prindërve. Ky theks i huaj është në fund të fundit, dëshmia e sakrificave dhe e punës së palodhur të prindërve tanë. Sot jam shumë krenar për atë theks të thyer!

Poema mund të shërbejë si një intro e parë e librit tim, pasi aty përshkruhen me pasion dhe sinqeritet sfidat dhe vuajtjet, që fëmijët e emigrantëve përballen gjatë rritjes në një vend tjetër. Eksperienca e Elonës dhe e prindërve të saj përshkruhen me ndjeshmëri të lartë, duke na sjellë një perspektivë të brendshme mbi jetën e emigrantëve shqiptarë në Greqi.

Historia e prindërve të mi është një rrëfim vetëmohues i pionierëve shqiptarë, që sollën një frymë të re në Greqi. Ata nuk patën privilegjin e edukimit formal, por arritën të mësojnë gjuhën dhe të përmbushin ëndrrat e tyre, duke punuar shumë për të siguruar një të ardhme më të mirë për fëmijët e tyre. Kjo poezi na bën të ndjehemi krenarë për trashëgimtarët tanë dhe për reziliencën e tyre ndaj sfidave të jetës.

Gjatë leximit të poezisë, ndjenja e fajit dhe e turpit që shpeshherë shoqëron emigracionin, ndiej se më ka ikur. Poezia është përçlirim dhe shpresë për të gjithë fëmijët e emigrantëve, duke na kujtuar se identiteti ynë është fuqia jonë më e madhe dhe se me vullnet dhe besim në vetvete, mund të kapërcejmë çdo pengesë. Ne i jemi mirënjohës asaj që e ndau këtë poezi të frymëzuar dhe emocionuese me ne. Ajo na bën të reflektojmë mbi rrugën që kemi kaluar dhe të shpresojmë për një të ardhme më të ndriçuar për të gjithë emigrantët dhe pasardhësit tanë. Për mua mbetet poezia më e bukur, që kam përkthyer në greqisht.

Fakti që libri brenda dy viteve është ribotuar dy herë dhe po shkon edhe për ribotim të tretë, është tregues i interesit të lartë të lexuesit grek për natyrën e librit. Gazeta greke Lifo, që konsiderohet ndër gazetat më të rëndësishme në vend, i ka kushtuar një hapësirë të posaçme personit e librit tuaj. E kishit parashikuar këtë lloj suksesi?

Kur fillova të shkruaja këto tregime, nuk e çoja ndërmend publikimin. Procesi i shkrimit ishte terapeutik dhe më ndihmoi të reflektoja mbi jetën time dhe përvojat e mia. Shkrimi më ndihmoi të bëhesha më i vetëdijshëm për disa aspekte të jetës dhe situatave të veçanta. Në fillim isha i pasigurt në lidhje me idenë e botimit të këtij libri, pasi ishte pothuajse historia ime personale. Megjithatë, në momentin që mora vendimin për ta botuar, isha i përgatitur për çdo sfidë, pavarësisht nëse do të dështoja apo jo. Historia jonë nuk ishte dëgjuar mjaftueshëm, mendova se është e rëndësishme, që të tregojmë vetë ne historinë tonë dhe përvojat tona. Mendoja që librat tanë, ata që përshkruajnë jetën tonë, duhet të komunikohen, të shkruhen nga vetë ne

Në njëfarë mënyre, ky libër ishte historia që doja të lexoja, por që nuk qe shkruar ende. Për të përdorur fjalët e Toni Morrison, "duhej ta krijoja vetë". Nuk e dija nëse do të arrinte suksesin, por isha gati për çdo rezultat. Ishte dëshira ime që lexuesit grekë dhe shoqëria greke, të dëgjonin zërin tim, të lexonin përjetimet e një fëmije shqiptarësh në Greqi. Po ashtu dëshiroja të takohesha me të rinj të tjerë si unë, për të ndarë përvojat tona, kujtimet tona dhe mbresat nga jeta jonë. Doja që të krijonim një platformë për të diskutuar, për të zhvilluar ngjarje dhe aksione. Doja që të zbulohemi si një brez i dytë i emigrantëve shqiptarë në Greqi dhe të ndajmë historitë tona me botën. Dhe, kam përshtypjen, që deri diku, “Të gjitha macet janë të bukura” e kanë bërë këtë, sepse është një libër që ka imazhin, emrin, zërin e një fëmije emigrantësh shqiptarë në Greqi dhe përshkruan ndjenjat dhe përjetimet e tij pa miklime, pa filtra.

Për mua suksesi më i madh ose momenti më i bukur, ka qenë kur kam vizituar disa shkolla në Greqi për të folur me nxënësit për çështjen e racizmit, diversitetit dhe pranimit të një fëmije për atë që është, pa e ndryshuar identitetin e tij, thelbësore për një shoqëri të hapur dhe të ndërlikuar. Është e rëndësishme për fëmijët të kuptojnë dhe të pranojnë, që secili individ ka vlerat e veta, pa marrë parasysh prejardhjen, fenë, ngjyrën e lëkurës, orientimin seksual, ose çfarëdo ndryshimi tjetër. Çdo person meriton të jetë i respektuar dhe i pranuar në shoqëri, pa pasur nevojë të ndryshojë për të plotësuar standardet e dikujt tjetër.

Për të rritur një brez të ri në një mjedis të ndërgjegjshëm dhe të tolerueshëm, është e rëndësishme të nxisim respektin ndaj diversitetit dhe të përcaktojmë vlerat e tolerancës dhe mirëkuptimit. Edukimi dhe ndërgjegjësimi i fëmijëve, por edhe i shoqërisë për vlerat e diversitetit, janë hapat kyç për të ndërtuar një mjedis të paqësor dhe të drejtë për të gjithë.

Dhjetëvjeçarin e fundit, ekziston një ndryshim i dukshëm pozitiv përsa i përket figurës së të rinjve me origjinë shqiptare në Greqi. Një numër i madh shqiptarësh ka spikatur në fusha të ndryshme dhe kohët e fundit vihet re një pjesëmarrje e ndjeshme përfaqësuesish shqiptarë në politikën greke. Por, pavarësisht se një numër i madh shqiptarësh është i pajisur me nënshtetësi greke, kjo nuk reflektohet në numrin e votave ndaj kandidatëve shqiptarë. Ky fragmentarizim mendoni se është rrjedhojë e mungesës së një “kauze” të përbashkët në lidhje me nevojat e të drejtat e shqiptarëve në Greqi?

Përfaqësimi, nëse mund ta quajmë kështu, sidomos në fushën e artit tashmë është i madh dhe kjo, përveçse e bukur, është edhe shumë thelbësore e shpresëdhënëse, sepse tregon jo vetëm potencialin e padiskutueshëm që kanë emigrantët, por edhe shkallën e pritjes e tyre nga shoqëria greke. Në lidhje me politikën, çështja është e ndërlikuar. Jo të gjithë shqiptarët që kanë marrë nënshtetësinë greke janë të përqendruar në një zonë elektorale, dhe as të gjithë kandidatët shqiptarë nuk janë pjesë e së njëjtës parti. Nga ana tjetër, kam parë kandidatë që përmendën origjinën e tyre emigrante vetëm para zgjedhjeve, për të siguruar votat e bashkatdhetarëve të tyre.

Megjithatë, komuniteti shqiptar nuk është i unifikuar, nuk ndan të njëjtat gjykime, si çdo komunitet tjetër ka zëra të ndryshëm brenda tij. Por, ishte ky komunitet, që mbështeti në masë të madhe kandidatët shqiptarë në zgjedhjet e fundit parlamentare. Përsa i përket zgjedhjeve vendore dhe rajonale të mbajtura së fundmi, nuk kam një pamje të qartë, por di, që edhe atje kemi pasur shumë kandidatë me origjinë shqiptare. Ata kanë kandiduar për këshilltarë dhe jo si kryetarë bashkie apo si kryetarë qarku, duke treguar se shoqëria greke nuk është ende e gatshme për një ndryshim të tillë.

Deri më tani nuk ka pasur deputetë me origjinë shqiptare të zgjedhur në parlamentin grek, për aq sa di. Personalisht, do të doja të shoh një situatë të tillë në të ardhmen. Kjo nuk do të zgjidhte të gjitha problemet e emigrantëve, por do të transmetonte një mesazh, se pranimi nga shoqëria greke është real dhe themelor, dhe se konotacionet negative, që i janë bashkangjitur fjalës “shqiptar” në Greqi për dekada, janë reduktuar, nëse jo zhdukur fare. Kjo do të ishte një shenjë e rëndësishme integrimi në shoqërinë greke.

Shumica dërrmuese e brezit të dytë janë tashmë nënshtetas grekë. Cilat janë  kërkesat e tyre në Greqi, që lidhen direkt ose indirekt me Shqipërinë?

Së pari, duhet të theksoj se, sipas vëzhgimit dhe njohurive të mia, shqetësimi kryesor i brezit të dytë lidhet me zgjidhjen e çështjes së pensioneve, që ka të bëjë me brezin e parë, prindërit tanë, të cilët punuan për vite të tëra në kushte të vështira dhe në punë të rënda, madje edhe pas legalizimit të tyre. Kjo ngjarje nuk është thjesht një detyrim ndaj prindërve, por edhe çështje ligjore. Një problem tjetër është vështirësia dhe vonesa në procedurat për marrjen e shtetësisë për fëmijët e lindur dhe të rritur në Greqi, si dhe kriteret e papranueshme për marrjen e shtetësisë nga njerëzit e brezit të parë, të cilët kanë jetuar dhe kanë paguar taksat dhe sigurimet shoqërore në Greqi për 20-30 vjet.

Për sa i përket Shqipërisë, nuk besoj se ka ndonjë kërkesë të veçantë ndaj shoqërisë greke, përveç ndjenjës së përgjithshme të zhgënjimit për imazhin negativ që ka pasur Shqipëria për shumë kohë në opinionin e publikut grek. Megjithatë, me rritjen e turizmit në Shqipëri, këto perceptime kanë ndryshuar. Disa vite më parë, ne i bënim thirrje miqve tanë grekë që të vizitonin vendin tonë të origjinës, ta eksploronin, të shihnin bukuritë natyrore dhe të njihnin njerëzit e vendit tonë. Tani, ata po na bëjnë thirrje që të vijmë bashkë me ta për pushime në Shqipëri. Ky është një zhvillim shumë interesant dhe shpresoj që ky trend të vazhdojë.

Një tjetër aspekt për të cilin emigrantët shqiptarë kanë pasur dëshirë, është të shohin më shumë ngjarje kulturore që janë të lidhura me Shqipërinë në Greqi. Kultura dhe arti janë mjetet më të mira për të ndërtuar lidhje mes popujve. Unë personalisht gëzohem kur shoh se gjithnjë e më shumë libra shqip përkthehen në gjuhën greke dhe shfaqje teatrale shqiptare prezantohen në skenat greke. Megjithatë, këto janë hapat fillestarë, dhe kemi nevojë për më shumë shkëmbime kulturore për të ndërtuar ura të forta midis vendeve tona. Emigrantët shqiptarë në Greqi dhe minoriteti grek në Shqipëri janë thesare për të dy vendet dhe mundësia më e mirë për të ndërtuar lidhje të forta dhe të qëndrueshme mes dy shoqërive. Ky është një proces, që duhet të inkurajohet dhe të mbështetet për të ndihmuar në rritjen e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit reciprok.

Shpeshherë kam vënë re se një pjesë e të rinjve të brezit të dytë, kanë një qëndrim përjashtues ndaj shqiptarëve me prirje më të madhe asimilimi apo, që e kanë më të theksuar lirinë e vetëpërcaktimit. Besoj, se ashtu sikurse shoqëria greke nuk ka arritur në shkallën e duhur të emancipimit, as brezi i dytë i shqiptarëve, nuk është shumë i hapur ndaj së drejtës së vetëpërcaktimit, pa etiketat përkatëse.

Më tepër se prirje asimilimi, unë e shoh si një udhëtim të gjatë e të dhimbshëm, një odise për të gjetur identitetin. Shpeshherë, një person mund të njohë më mirë vetveten, duke e eksploruar nga perspektiva e ndryshme, dhe kjo është pjesë e procesit të kërkimit të identitetit, është pjesë e rrugëtimit të jetës. Me gjithë sfidat dhe vuajtjet që brezi i dytë i emigrantëve shqiptarë ka përjetuar, është e natyrshme që secili prej tyre të ndjekë një rrugë unike, duke krijuar identitetin e tyre me hapat e veta dhe në tempin e vet. Nuk ka një model të përbashkët,  që duhet të ndjekin të gjithë.

Përveç kësaj, në çdo grup njerëzish ka diversitet në mendim dhe perceptim. Është e natyrshme që të dëgjohen shumë zëra dhe reagimet ndaj çështjeve të identitetit mund të jenë të ndryshme, siç është e pritshme. Nuk mund të përgjithësohet se shqiptarët e brezit të dytë nuk janë të hapur ndaj të rinjve të tjerë me origjinë shqiptare, që kanë zgjedhur të ndihen më afër identitetit grek. Ky është një proces shumë personal, i ndërlikuar dhe i ndryshëm për secilin individ, dhe nuk ka një rrugë të vetme apo lineare për të arritur në identitetin përfundimtar. 

Në fund të fundit, thelbi i çështjes është të arrijmë në një pikë, ku identiteti ynë personal nuk do të jetë më i përcaktuar nga origjina jonë, por nga vlerat, veprimet, dhe marrëdhëniet tona në shoqëri

Çështjet e identitetit janë komplekse dhe dinamike dhe ndryshojnë me kohën. Kështu, është e rëndësishme të pranojmë diversitetin dhe të ndërtojmë një shoqëri të hapur dhe të pranueshme për të gjithë.

Gjithashtu, ju keni përkthyer në greqisht librin e Rudi Erëbarës, “Epika e yjeve të mëngjesit”, që ka marrë dhe çmimin Europian për Letërsinë 2017. I është bërë jehonë librit në rrethet letrare, që frekuentoni?

Përkthimi i librit të Rudi Erebarës për mua ishte një nga eksperiencat më të bukura. Librin e lexova në gjuhën shqipe, gjuhën e shtëpisë, të vetmen gjuhë që kuptoja deri në moshën 9-vjeçare, dhe pastaj e përktheva në greqisht, gjuhën përmes së cilës mund të shprehem më mirë sot. Ishte një proces shumë i bukur, pavarësisht vështirësisë së përkthimit, sepse kuptova se sa bukur bashkëjetojnë dhe plotësojnë njëra-tjetrën të dyja gjuhët.

Ndjeva njëfarë detyrimi, që një libër të shkëlqyer si "Epika e yjeve të mëngjesit", ta përcillja sa më mirë te lexuesi grek, t’i sillja një fragment nga historia dhe kultura e Shqipërisë në Greqi. Jam shumë i lumtur, që ka shumë libra të autorëve shqiptarë të përkthyer në greqisht dhe disa librari greke janë të interesuara për të pasur letërsi shqiptare në raftet e tyre. Sigurisht, "Epika e yjeve të mëngjesit" u prit mirë në Greqi, megjithatë nuk u reklamua dhe nuk u shfaq aq sa meritonte. Por, kjo ka të bëjë edhe me faktin se u botua gjatë pandemisë, ku gjithçka ishte e mbyllur. Shpresoj që të ribotohet në të ardhmen, sepse është një roman shumë i mirë dhe flet për një periudhë të historisë shqiptare për të cilën shpesh herë nuk flitet, vitet 1970, kur Shqipëria ndërpreu lidhjet me Kinën dhe u izolua krejtësisht nga pjesa tjetër e botës.

Tani, që jetoni në Gjermani, si bashkëjetojnë brenda jush këto dy identitete?

 Një prej objektivave kryesore ishte të vija në Berlin, një qytet shumëngjyrësh, multikulturor dhe shumë i hapur ndaj diversitetit, një qytet që përqafon Artin dhe që të jep vërtet mundësinë të jesh vetvetja, të bësh atë që ndjen dhe ta komunikosh pa frikë. Berlini më ndihmoi të ndërtoj marrëdhëniet e mia me Shqipërinë dhe Greqinë në baza të reja, më të forta, si të bashkëjetojnë të dyja vendet brenda meje. Këtu nuk kisha asnjë ndjenjë faji në lidhje me Shqipërinë dhe gjithçka që kishte të bënte me të.

Këtu ndjeva se sa e rëndësishme është të kesh një marrëdhënie të shëndetshme me vendin e origjinës, vendin ku ke lindur, vendin e prindërve. Këtu zbulova se sa i pasur është një person, që vjen nga dy vende, dy gjuhë dhe dy kultura, sa horizonte dhe sa dyer i hap kjo. Këtu u ndjeva mirë duke folur shqip, me theks ose pa theks, me dialekt ose jo, pa pasur ankthin e vështrimeve kritike në vende publike

E njëjta gjë vlen edhe për greqishten, si edhe për çdo gjuhë tjetër. Në çdo prezantim të librit tim lexoj një pasazh në shqip, sepse nuk dua të kem më asnjë ndjenjë turpi për gjuhën e familjes time, nuk dua të flas shqip me zë të ulët. Këtë pasazh ua dedikoj të gjithë fëmijëve me origjinë shqiptare, që kishin frikë apo turp të flisnin publikisht me zë të lartë gjuhën e familjes së tyre. Është fat i madh të rritesh me dy ose me shumë gjuhë dhe gjuha shqipe, ashtu si edhe ajo greke, është shumë e bukur. Të gjitha ndjenjat negative që kam pasur për shqiptarinë apo greqizmin tim, janë zhdukur pothuajse fare për aq kohë sa jetoj këtu, ku çdo gjë e shoh nga një distancë e sigurt.

Comments

Submitted by Eva (not verified) on

Si emigrante pee me teper se 25 vjet me shpwtuan edhe nja dy lot se duke lexuar kete interviste mu duk sikur e njihja autorin nga afer. Tani po shkoj te gjej librin. Bravo Eleana

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.