Kriza e vajit/ Mes luftës dhe ndryshimit të klimës

Postuar në 08 Gusht, 2023 19:38

Tregu botëror i vajit vegjetal është në një moment transformimi, për një sërë arsyesh, të cilat kanë çuar në uljen e disa prodhimeve, rritjes së të tjerave dhe luhatjeve të çmimeve që prekin kryesisht Evropën. Kjo vërehet para së gjithash te vaji i ullirit, kostot e të cilit sipas FoodNavigator po rriten me 20% në bazë mujore dhe me 114% në bazë vjetore, sepse në vendet që kryesojnë prodhimin, Spanja dhe Italia, alternimi i thatësirave, zjarreve dhe përmbytjeve vazhdon të kërcënojë ullishtet.

Nga ana tjetër, kjo do të thotë se nuk ka vaj ulliri të mjaftueshëm në treg për të përmbushur kërkesat dhe se çmimet vazhdojnë të rriten. Nuk ka asnjë element që të bën të mendosh se trendi do të ndryshojë përgjatë vitit 2024, sipas disa konsulentëve të intervistuar nga FoodNavigator. Për më tepër, shifrat flasin qartë: vitin e kaluar, prodhimi ishte rreth 600 mijë tonë, pra shumë më i ulët se 1.5 milion në 2021, dhe nëse vlerësimet flasin për një rritje për vitin 2023, ato parashikojnë gjithashtu që në dimrin e ardhshëm, tregu të jetë ende në nevojë për produktin dhe çmimet do të jenë shumë të larta.

Natyrisht, mungesa e vajit të ullirit ka pasoja për të gjithë vajrat e tjerë vegjetalë si luledielli, farat e kanolës dhe misri, por në këtë rast parashikimet për çmimet janë më optimiste: shumë kompani kanë përfituar nga luhatjet e tregut për të blerë sasi të mëdha dhe pritet që kostot, të cilat janë rritur shumë që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, të bëhen më të qëndrueshme në muajt e ardhshëm. Megjithatë, edhe në këtë rast, ka dy variabla që mbeten jashtë kontrollit: lufta dhe klima, të cilat mund ta ndryshojnë shumë shpejt situatën.

Lufta, në veçanti, e ka ndryshuar thellësisht tregun: përveç rritjes së madhe të kostos së vajit të lulediellit, për të cilin Ukraina është prodhuesi kryesor në botë, ajo ka shtyrë pothuajse të gjitha vendet të investojnë në prodhimin e farave të tjera, për të kufizuar varësinë nga furnizimet e Ukrainës. Në sezonin 2023/2024, prodhimi ukrainas vlerësohet të arrijë në 12.4 milionë tonë, pak më i lartë se vitin e kaluar, por ende nën sasinë mbi 17.5 milionë tonë që prodhoheshin para luftës (në 2021/2022). Megjithatë, ndikim pritet të ketë edhe shkatërrimi i digës Kakhovka, e cila ka kompromentuar mijëra hektarë të kultivuar, bombardimet e vazhdueshme të portit të Odesës dhe, natyrisht, pezullimi i marrëveshjes së grurit.

Për momentin, në Evropë ka një ofertë në rritje për yndyrna të ndryshme bimore: sot çmimi i vajrave të lulediellit, palmës, kanolës dhe sojës është nën çmimet e para luftës. Dhe kjo, nga ana tjetër, ka shtyrë Poloninë, Rumaninë dhe Bullgarinë të ndalojnë importin e vajit të lulediellit ukrainas, sepse këto vende kanë frikë se mund të dëmtojë prodhimin vendas. Në fakt, kompanitë që kanë kaluar nga vaji i lulediellit në vajra të tjerë për recetat e tyre, vështirë se do të kthehen pas, të paktën derisa të përfundojë lufta, dhe kjo mund të gjenerojë një tepricë paradoksale të vajit ukrainas në treg. Mbi të gjitha ka edhe faktorë psikologjikë, të cilët i shtyjnë blerësit të shkojnë drejt vajrave 'të sigurt'.

Për sa i përket motit, dimrat e ngrohtë dhe të thatë në Amerikën e Veriut, valët e të nxehtit të verës në Evropë dhe një korrik shumë i lagësht në Britaninë e Madhe kanë rritur çmimin e vajit të kanolës, prodhimi evropian i të cilit është në nivelin më të lartë të të gjitha kohërave, dhe gara mund të vazhdojë, edhe nëse tani për tani oferta tejkalon kërkesën dhe pritet të mbetet e tillë edhe në muajt në vijim.

Prandaj, tregu është në mëshirën e variablave të ndryshëm të pamenaxhueshëm dhe për këtë arsye, sipas FoodNavigator, edhe nëse varietetet e rritura sot janë tashmë shumë rezistente, skenarët e rinj kërkojnë një rishikim dhe, ku është e mundur, ndoshta, përdorimin e bimëve gjenetikisht të modifikuara, të cilat mund të japin më shumë dhe të jenë edhe më pak të prekshme ndaj eventeve klimatike dhe atyre ekstreme.

Së fundi, ndikim mund të ketë edhe legjislacioni i ri europian kundër shpyllëzimit, i cili rrezikon të prekë mbi të gjitha fermerët më të vegjël, të cilët në rastin e vajit të palmës përbëjnë rreth 40% të totalit. Ka të ngjarë që ata të përjashtohen nga tregu evropian, nëse nuk rishikohet ligji dhe në këto kushte ta ofrojnë produktin e tyre në vende të tjera si Kina. Kjo do të thotë se, në Evropë, kërkesa për vajra bimore alternative, përfshirë vajin e palmës, është e destinuar të rritet dhe, bashkë me të, edhe çmimet.

/ Il fatto alimentare

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.