Ky ishte fillimi i fundit të Putinit

Postuar në 25 Qershor, 2023 17:06
Lucian Kim*

 

Kur pashë pamjet e para të burrave të armatosur me uniforma që pushtonin qytetin rus të Rostov-on-Don të shtunën në mëngjes, m'u kujtuan menjëherë "burrat me jeshile" që filluan të shfaqen në qytetet e Krimesë dhe Ukrainës lindore në 2014. Ashtu si trupat ruse dhe mercenarët që filluan pushtimin e fshehtë të Ukrainës nga Kremlini, luftëtarët në Rostov nuk shfaqën asnjë shenjë kur vunë nën kontroll ndërtesat kryesore, mes të cilave edhe selinë e Qarkut Ushtarak Jugor të Rusisë. Ashtu si në Ukrainë nëntë vjet më parë, nuk pati asnjë rezistencë nga oficerët vendas të zbatimit të ligjit, të cilët zgjodhën jetën në vend të një përleshjeje me persona të armatosur të vendosur.

Marrja e rrufeshme e kontrollit të Rostovit këtë fundjavë nga grupi mercenar Wagner ishte hapi i parë i një rebelimi të armatosur të udhëhequr nga Yevgeny Prigozhin, ish-mashtruesi që u bë komandanti më famëkeq i fushës së betejës në Rusi. Prej atje, forcat Wagner nisën një marshim drejt Moskës derisa Prigozhin papritmas urdhëroi njerëzit e tij të ktheheshin mbrapsht në bazat e tyre. Në harkun e 24 orëve, pamë çmendurinë e plotë të diktaturës së Vladimir Putinit. Simboli i sulmit të tij ndaj Ukrainës ishte një tank Wagner, i shenjuar me shkronjën "Z".

Prigozhin foli për një mosdakordësi me udhëheqjen ushtarake, të cilën ai e akuzoi se po përpiqej të shkatërronte Grupin Wagner. Prigozhin ka histori të ofendimit publikisht të ministrit rus të Mbrojtjes, Sergei Shoigu, dhe shefit të shtabit të përgjithshëm, Valery Gerasimov, dhe pavarësisht kësaj nuk ka pasur pasoja. Por shfaqja hapur e armëve të Prigozhin në tokën ruse u kthye në një sfidë për Kremlinin, që Putini nuk mund ta injoronte më. Në një fjalim televiziv, presidenti rus e quajti kryengritjen e Wagnerit një "thikë pas shpine" dhe paralajmëroi për luftë civile. Putin madje kujtoi kolapsin e dhunshëm të Perandorisë Ruse në Luftën e Parë Botërore, megjithëse nuk përmendi Carin Nikolla II, sundimtarin e turpëruar që u vra nga revolucionarët rusë.

Ka një tjetër ngjashmëri me Luftën e Parë Botërore që Putini nuk e përmendi: korrupsioni dhe paaftësia në ushtrinë ruse, si dhe trajtimi çnjerëzor i ushtarëve të saj. Zemërimi me drejtuesit nuk është kufizuar vetëm te Wagner dhe tërbimi i Prigozhin mund të shtrihet edhe te radhët e ushtrisë ruse. Së paku, fakti që ushtria e Prigozhin ishte në gjendje të udhëtonte qindra milje pa pengesa tregon se Kremlinit i mungojnë mjetet për të shuar një rebelim të brendshëm, veçanërisht kur trupat e tij më të mira po luftojnë në Ukrainë.

Pavarësisht dramës së situatës, një kryengritje e njerëzve më të rrezikshëm të Rusisë nuk duhet të jetë befasi. Kremlini e lejoi Prigozhin të rekrutonte trupën në burgje, gjë që mbushi forcën luftarake të Ëagner me të dënuar të dëshpëruar. Prigozhin ka qenë prej kohësh njeriu i Kremlinit për punët e pista, që nga ndërhyrja në zgjedhjet presidenciale të 2016-ës në SHBA me të ashtuquajturën “fermë të troll-eve”, deri te luftimet e fshehta në Ukrainë, Siri dhe Republikën e Afrikës Qendrore. Kremlini mohoi çdo lidhje me Prigozhin, dhe Prigozhin, natyrisht, mohoi punësimin e njerëzve që u morën me fushatën e Trump në internet dhe luftëtarëve. Kur disa kontraktorë të Wagner-it në Siri u vranë nga forcat amerikane në vitin 2018, Kremlini heshti, pasi zyrtarisht ata nuk ishin anëtarë të forcave të armatosura të Rusisë.

Ka të ngjarë që Putini fillimisht ta ketë imagjinuar Wagnerin si një version rus të Blackwater, kontraktori ushtarak privat i SHBA-së që u bë i njohur në Luftën e Irakut. Mercenarët e Wagner-it në Siri dhe Afrikë luajtën rolin, duke mbajtur kapele bejsbolli dhe syze dielli, ndërsa mbanin në dorë armë serioze. Kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës në shkallë të plotë vitin e kaluar, Prigozhin doli nga hija për të kërkuar pronësinë e Wagner-it – dhe meritën për fitoret e saj të kushtueshme. Një vare u bë simboli jozyrtar i Grupit Wagner pasi Prigozhin tha se një nga luftëtarët e tij ishte ekzekutuar me një vegël të tillë si ndëshkim për kalimin në anën ukrainase.

Për Putinin, rebelimi i Wagnerit është një plagë e vetëshkaktuar, rezultat i luftës së tij vetëvrasëse kundër Ukrainës. Putini mund të kishte zgjedhur të qëndronte në rrugën e një ekonomie me të ardhura mesatare, me eksportet e naftës dhe gazit në Evropë që garantojnë para të mjaftueshme për të ngopur miqtë e tij, për të shtypur armiqtë dhe për të mbajtur pjesën tjetër të vendit të qetë, nëse jo të lumtur. Megjithatë, sa më gjatë që ai qëndroi në pushtet, aq më pak i interesuar u bë Putin që të kujtohej thjesht si lideri që stabilizoi Rusinë pas rënies së Bashkimit Sovjetik. Kjo nuk mjaftoi. Putini donte të kujtohej si njeriu që rivendosi një perandori, duke filluar me Ukrainën.

Në fillim, misioni i "burrave me jeshile" që ai dërgoi në Ukrainën lindore ishte ta kthenin vendin në një shtet të dështuar duke e përfshirë në një luftë të përhershme dhe të nivelit të ulët. Por ukrainasit sfiduan Rusinë dhe edhe pas pushtimit të vitit 2022, ata u mblodhën në mbrojtje të vendit dhe nuk e lanë të binte në kolaps. Edhe pse e goditur dhe e gjakosur, Ukraina është e bashkuar dhe e qartë për qëllimin e saj. Tani Rusia duket si shteti i dështuar. Askush në Rusi nuk e kupton se për çfarë po bëhet lufta në Ukrainë. Dhe pas rebelimit të Prigozhin, askush nuk e di nëse ajo luftë mund të mos mbërrijë edhe në Rusi. Kush do ta mbrojë Putinin? Dhe kush do të zgjedhë Prigozhinin?

Sipas një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga udhëheqësi bjellorus, Alexander Lukashenko, akuzat kundër Prigozhin do të rrëzohen dhe atij do t'i lejohet kalimi i sigurt në Bjellorusi. Por marrëveshja vështirë se eliminon kërcënimin që Prigozhin - ose dikush si ai - paraqet për Kremlinin në të ardhmen. Është e paqartë nëse jemi dëshmitarë të fillimit, mesit apo fundit të fundit të Putinit. E sigurt është se ky është kapitulli i fundit i sundimit të tij.

*Gazetar, ka mbuluar Rusinë që nga viti 2003. Aktualisht shef i zyrës së NPR në Moskë dhe bashkëpunëtor i Qendrës Wilson në Uashington

/ Foreign Policy

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.