Një “botë” alternative pa dominimin e dollarit

Postuar në 24 Qershor, 2023 12:01

Vendet e BRICS janë angazhuar muajt e fundit për të shmangur përdorimin e dollarit, monedhë që sipas tyre i ka vënë në disavantazh. BRICS është shkurtesë për Brazilin, Rusinë, Indinë dhe Kinën, të cilave në vitin 2010 iu bashkëngjit edhe Afrika e Jugut, të gjitha tregje në zhvillim që së bashku përbëjnë 1/3 e ekonomisë globale dhe 40% të popullsisë së botës.

Thirrjet e para për të braktisur dollarin si monedha e tregtisë erdhën nga presidenti i Brazilit, Luiz Inácio Lula da Silva. Këtë fundjavë, atij iu bashkua edhe homologu i Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa, i cili në një samit financiar në Paris tha se tregjet në zhvillim duhet të rishikojnë mbështetjen e tyre në monedhën e gjelbër.

Çështja e dollarit pritet të jetë tema e ditës në samitin e radhës të vendeve të BRICS. Por nga ana tjetër, SHBA është e pakënaqur. Sekretarja amerikane e Thesarit të SHBA-së, Janet Yellen, thotë se do të ishte e vështirë për këto vende që të gjenin zëvendësues të mundshëm për një monedhë që ka dominuar tregtinë për dekada.

"Ka një arsye shumë të mirë pse dollari përdoret gjerësisht në tregti dhe kjo është sepse ne kemi tregje të thella, likuide, tregje të hapura kapitali, sundim të ligjit dhe instrumente financiare afatgjata", tha ajo në përfundimit të samitit në Paris.

Deklarata e saj vjen në një kohë kur Kina ka intensifikuar përpjekjet për të rritur përdorimin e juanin në nivel ndërkombëtar. Rusia e penalizuar nga sanksionet perëndimore ka kaluar në përdorimin e monedhës kineze si një nga monedhat e saj kryesore për rezervat ndërkombëtare dhe tregtinë jashtë shtetit.

Ngrirja e aseteve të bankës qendrore ruse me vlerë 300 miliardë dollarë nga aleatët perëndimorë të Ukrainës – shumica e të cilave mbaheshin në dollarë dhe euro – ka shkaktuar shqetësime se Uashingtoni do të përdorë më rregullisht dominimin global të monedhës së tij si një mjet për qëllimet e tij të politikës së jashtme.

Në vitin 2021, autoritetet amerikane konfiskuan asetet që i përkisnin bankës qendrore të Afganistanit që mbaheshin në Rezervën Federale të Nju-Jorkut. SHBA i motivon këto sanksione, duke u shprehur se vendet që janë bërë subjekt i tyre "janë fajtore për abuzime të mëdha, duke përfshirë abuzimet e të drejtave të njeriut".

Ndërsa disa banka qendrore i janë përgjigjur sanksioneve ndaj bankës qendrore të Rusisë duke blerë ar, ato ende mbajnë nën 60 për qind të rezervave të tyre në monedhën amerikane, sipas të dhënave të FMN-së. Muajt e fundit, vendet e BRICS kanë intensifikuar përpjekjet për të shmangur përdorimin e dollarit në tregtinë me njëra-tjetrën, duke parë si alternativë monedhat kombëtare ose opsione të tjera. Me dëshirën për të shmangur përdorimin e dollarit, edhe Egjipti e ka motivuar së fundmi aplikimin për t’iu bashkëngjitur këtij grupi.

Comments

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.