Një raport mbi spiunazhin në Europë

Postuar në 05 Shkurt, 2023 13:44

Dy autorë, pjesë e Agjencisë Surdeze të Kërkimit në Fushën e Mbrojtjes, kanë publikuar një raport paraprak për rastet e gjykimit për spiunazh në Europë në vitet 2010-2021. Nga dokumenti i publikuar rezulton se në 10 vjeçarin e marrë në shqyrtim ka një rritje të rasteve të spiunazhit në Europë nga agjenci të huaja ku dominojnë ato ruse.

Sipas autorëve dokumenti duhet cilësuar si një hap i parë i replikimit të studimeve amerikane në këtë fushë; statistikat flasin për 62 persona, nga të cilët 42 janë dënuar për spiunazh. 95% e tyre janë meshkuj të moshës mesatare 30-39 vjeç. Më shumë se ¾ janë identifikuar se janë nga shtetet balltike dhe Polonia dhe 37 raste i përkasin aktiviteteve të agjencive ruse të zbulimit, në krye të të cilave qëndron GRU – Drejtoria Qendrore e Shtabit të Përgjithshëm dhe Forcave të Armatosura të Federatës Ruse, pasuar nga FSB – Shërbimi Federal i Sigurisë dhe SVR – Shërbimi i Zbulimit.

Raporti është komisionuar nga shërbimet suedeze në maj të vitit 2022 dhe aty vihet në dukje ndër të tjera se dënimet që janë marrë si casus në raport, janë maja e ajsbergut, për shkak se nga inkriminimi në provë kërkohet të dhëna dhe kohë.

Në qendër të vëmendjes për Europën vjen GRU-ja, shërbimi ushtarak i zbulimit rus, të cilit i atribuohen vrasje kundërshtarësh, por edhe akte të tilla si shpërthimi në një njësi magazinimi municionesh në Çeki. Nga veprimet e sabotazhit agjencitë ruse kanë kaluar në organizim operacionesh të koordinuara me sfond politik, ku spikat përpjekja për rrëzimin e kryeministrit malazez në vitin 2016, por edhe mbështetja për drejtimet radikale apo kundër unitetit të Europës në Francë, Gjermani, apo Britani e Madhe.

Duke lënë mënjane synimet e agjencive të angazhuara në veprimtari spiunazhi, vlen të sillet në vëmendje analiza për motivet e individëve që përfshihen në rekrutim.

Motivimet për spiunazh, një krim që siç raportohet, kryhet tipikisht nga pjesëtarë të klasave të mesme, rrallë nga të varfrit, janë të vështria për t’u vlerësuar

shkruajnë autorët.

Nga të gjitha referencat teorike që sillen për motivet, spiunazhi vihet në relacion me probleme psikologjike dhe çështje ekonomike. Një tjetër vërejtje që duket se do të shënojë kthesë në trajtimin e spiunazhit në Europë është fakti se Kina është identifikuar tashmë si aktori kryesor i spiunazhit në SHBA, kryesisht në drejtim ekonomik dhe teknologjik, çka patjetër, herët apo vonë do të reflektohet edhe në kontinentin tonë, sapo kriza me Rusinë të jetë mbyllur.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.